ZOTËRIMI I KLASËS

Klasa zotërohet në këtë mënyrë

Të jesh një mësues i mirë është puna më shpërblyese dhe entuziazmuese në botë. Megjithatë, po të mos punosh në mënyrë të efektshme me fëmijët, mund të rezultojë një zanat stresues, i mundimshëm dhe tejet i lodhshëm...

NË SHKOLLË FËMIJA JUAJ ËSHTË I EDUKUAR, I RESPEKTON RREGULLAT DHE E DËGJON FJALËN E MËSUESES, POR SAPO KTHEHET NË SHTËPI BËN TË KUNDËRTËN DHE NUK JU DËGJON. CILI ËSHTË SEKRETI I MËSUESEVE? 

Të jesh një mësues i mirë është puna më shpërblyese dhe entuziazmuese në botë. Megjithatë, po të mos punosh në mënyrë të efektshme me fëmijët, mund të rezultojë një zanat stresues, i mundimshëm dhe tejet i lodhshëm. Kemi përzgjedhur disa këshilla për mësueset dhe jo vetëm…


 MËNYRA E PARË: ZOTËRONI KLASËN 

1. JINI SHEMBULL PËR NXËNËSIT Duhet të keni gjithmonë parasysh se jeni ju mësuesja. Është e rëndësishme që ju të jeni një lloj superheroi për sytë e fëmijëve. Kini parasysh se ata ju admirojnë, ndaj do të mundohen gjithmonë t’ju vlerësojnë. Nëse jeni e pasjellshme apo e patakt, nxënësit do të marrin një model sjelljeje të pavend. Është thelbësore që nxënësit të shohin te ju një njeri të cilit t’i besojnë, në mënyrë që ta lënë veten të udhëhiqen prej jush, të ndihen të sigurt në besimin që ju japin. Nxënësit, në të gjitha moshat, kanë nevojë për dikë ku të mbështeten, për dikë që ta admirojnë dhe ku të besojnë pa mëdyshje. 


2. PËRCAKTONI PASOJAT  Zgjidhni pasoja precize për ata që thyejnë rregullat. Përcaktoni se çfarë do të bëni në raste të tilla dhe përdorini atëherë kur duhet. Pasojat duhet të ndjekin një procedurë pasi të keni bërë një paralajmërim joverbal (një shikim i thjeshtë) dhe më pas një lajmërim verbal (kërkojini nxënësit me mirësjellje të mos bisedojë, pasi po shpërqendron vëmendjen e të tjerëve). Nëse ky është një veprim pa rezultat, vini në veprim një dënim. Jeni ju që do të zgjidhni llojin e dënimit, duke respektuar rregullat dhe programin e shkollës. Mund t’i kërkoni të sjellë prindin të nesërmen, apo ta shkruani në fletoren e detyrave ankesën tuaj, në mënyrë që prindërit ta lexojnë. 


3. TREGONI DHEMBSHURI Mësuesit e mirë ndërtojnë marrëdhënie solide me nxënësit dhe e shfaqin se kujdesen për ta. Ata janë të sjellshëm, të kujdesshëm, i dëgjojnë fëmijët për problemet që mund të kenë. Jini e gatshme të qëndroni në shkollë përtej orarit të mësimeve për t’i ndihmuar nxënësit apo merrni pjesë në aktivitete të ndryshme jashtëshkollore bashkë me nxënësit. Do të shihni se ata do të mësojnë më shumë, në mënyrë që të mos ju zhgënjejnë.


 4. PËRCAKTONI RREGULLAT BAZË Duhet të përcaktoni nga tri deri në pesë rregulla për të cilat nxënësit duhet të jenë në dijeni. Bëhet fjalë për rregulla që, nëse thyhen, janë subjekt i pasojave për të cilat folëm më sipër. Lejojuni nxënësve t’ua sugjerojnë ato rregulla: organizoni një bashkëbisedim dhe mbani shënim idetë e tyre. Ky veprim do t’i bëjë nxënësit të kuptojnë që ju i dëgjoni dhe ju intereson mendimi dhe kontributi i tyre, njëkohësisht do të vendosni baza të cilave ata duhet t’u qëndrojnë besnikë, pasi janë nxënësit vetë që i kanë vendosur ato rregulla. Veproni si mediator për të garantuar që rregullat e caktuara janë të duhurat. Disa norma mund të jenë, për shembull, të mos bisedojnë me njëri-tjetrin ndërkohë që mësuesja flet, ta respektojnë shokun dhe t’i përfundojnë detyrat e shtëpisë apo të klasës. 


MËNYRA E DYTË: PËRGATITUNI PËR MËSIMIN QË DO TË ZHVILLONI NË KLASË 

1. VENDOSNI NJË OBJEKTIV Kur përgatisni një mësim, pjesë thelbësore është objektivi që doni të arrini. Çfarë dëshironi që nxënësit të marrin nga mësimi? Nëse objektivi juaj është i vlefshëm, i rëndësishëm dhe pasqyron me të vërtetë atë çka dëshiron që nxënësit të mësojnë, do të jetë shumë i dukshëm gjatë zhvillimit të orës së mësimit. 


2. PLANIFIKOJENI MIRË MËSIMIN Çdo mësim duhet të jetë i ndarë në tri pjesë të thjeshta, të cilat duhet të pasqyrojnë objektivin tuaj.

 • Pjesa e parë duhet të jetë “mësimi i drejtpërdrejtë”, në të cilin duhet të shpjegoni diçka të re në klasë (sigurisht duke lejuar edhe pyetje apo komente të nxënësve, të cilat mund edhe t’ju bezdisnin).

• Kushtojani pjesën e dytë të mësimit diçkaje që të përfshijë punën në grup, ku nxënësit mund të punojnë me ata që preferojnë. Nga fundi i kësaj pjese mund të hapni një diskutim ku grupet e nxënësve të shprehin përfundimet/opinionet dhe ju mund të jepni vlerësimin tuaj në bazë të pjesëmarrjes. 

• Pjesa e fundit e çdo mësimi duhet të jetë ajo ku nxënësit të kthehen në vendin e tyre dhe të punojnë në heshtje për përfundimin e detyrës së fundit, siç mund të jetë përgjigjja e pyetjeve që mund të shkruani në tabelë, apo të bëjnë një përmbledhje të asaj çka kanë mësuar në klasë. Nxënësit duhet të flasin vetëm me ju (nëse kanë ndonjë pyetje për kryerjen e detyrës) apo me shokun që është ulur pranë tyre. Kjo është pjesa përmbyllëse e mësimit, ku nxënësit kanë mundësinë të punojnë vetëm me detyrën e dhënë dhe ta kuptojnë atë.


3. CAKTONI DETYRA QË PËRVETËSOJNË MËSIMIN Në vend që të caktoni detyra të ndryshme çdo ditë, është më e udhës të caktoni një apo dy detyra të rëndësishme të hënën dhe më pas t’i merrni për t’i parë të premten. Detyrat që do të jepni, duhet të kenë në fokus përgatitjen e mësimeve që keni shpjeguar gjatë javës. Në këtë mënyrë do të kuptoni sa kanë ërvetësuar nxënësit.


4. Pyetini nxënësit Mund të programoni pyetjen e nxënësve çdo të premte, duke u bërë një provim me shkrim, në mënyrë që të vlerësoni nëse ata e kanë kuptuar dhe përvetësuar mirë kapitullin që keni shpjeguar gjatë javës. Mund të gjykoni nëse i keni mësuar mirë nxënësit tuaj nga rezultatet e shumicës së tyre.



(P.Shtini; Portali Shkollor)

10,449 Lexime
4 vjet më parë