Kur njëri nga prindërit nuk është më...
Ata nuk duhen përjashtuar dhe gënjyer, pasi kanë humbur njërin prej prindërve. Nuk do ta shohin më, nuk do të jenë më me të, nuk do të komunikojnë më me të.
Humbja e njërit prej prindërve në moshën e fëmijërisë dhe veçanërisht në periudhën 0–15 vjeç është gjymtyese. Për këtë arsye, të gjithë specialistët këshillojnë që në ngjarje të tilla fëmijët duhet të vendosen në qendër të vëmendjes, duke u dhënë të drejtë për vuajtjen, trishtimin apo frikën. që ata provojnë. Ata nuk duhen përjashtuar dhe gënjyer, pasi kanë humbur njërin prej prindërve. Nuk do ta shohin më, nuk do të jenë më me të, nuk do të komunikojnë më me të. Kështu, duhet lejuar, që edhe ata të jenë pjesë e zisë në familje, ta shprehin dhimbjen e tyre,madje duhen nxitur për këtë.
Të rriturit duhet t’u drejtohen me shumë respekt, duke i pyetur për atë çka ata provojnë, pasi ata vetë nuk kanë patur përvoja të tilla. Ata duhet ta sigurojnë se e duan shumë, se prindi, që nuk është më, e ka dashur shumë dhe se humbja e tij nuk ka ardhur për shkak të tij.
Nëse në rrethin familjar apo shoqëror ndodhen persona që kanë përjetuar të njëjtën përvojë, që i ka ndodhur e njëjta gjë, është mirë që të jenë ata bashkë me prindin që jeton, që të komunikojnë me fëmijën që ka patur të njëjtën eksperiencë.
Për pjesëmarrjen në ceremoninë e varrimit, është e këshillueshme që fëmijët të pyeten, nëse do të duan të marrin pjesë apo jo në ceremoni.
Të vepruarit në këtë mënyrë mbron shëndetin mendor të fëmijës. Humbja e një prindi është traumë shumë e madhe për fëmijën në këtë moshë. Të rriturit pranë tyre nuk duhet të lejojnë përkeqësimin e dhimbjes. Përjashtimi nga zija, duke mos i treguar fëmijës të vërtetën për një kohë të caktuar, është një faktor që favorizon gjymtimin e personalitetit dhe identitetit.
Jonit askush nuk i tregonte asgjë. Nëna e veshur me të zeza vetëm qante, po ashtu edhe gjyshja. Atë vetëm e largonin. Edhe kur ai ishte i pranishëm, të tjerët e përkëdhelnin, i jepnin para dhe kaq. Asnjë fjalë. Edhe kur shkonte të flinte, nëna as në gjumë nuk e vinte më. Diçka kuptonte; rrobat e zeza të nënës, lotët e saj, fjalët e papërgjegjshme të të rriturve që vinin për ngushëllim. Në gamën e këtyre fjalëve ishin të përfshira nga martesa deri tek vetësakrifikimi. Për djalin e vogël vetëm një fjalë, “i shkreti”, nuk rreshti kurrë, që nga nëna e deri tek....., por asgjë tjetër, asnjë sqarim, asnjë pyetje për atë çka ai ndjente.
Joni sot, djalë i rritur por me përvoja shumë të vështira, drejton të njëjtën pyetje “Si nuk kishte njeri një fjalë për mua, që nga nëna ime, në atë çast kur mua më shembej qielli”.
Lira Gjika (marrë nga libri Fëmijëria)
Si duhet të funksionoj "Mesatarja e Artë" në jetën e përditshme? Po në mësimdhënie dhe mësimnxënie?
Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?
Pranvera Musta: Rëndësia dhe përdorimi i fjalëve motivuese për nxënësit në klasë, strategji për të frymëzuar suksesin