Dedikimi

Letra e një nëne kushtuar djalit të saj me autizëm...

“Greil ne e nisëm bashkë këtë udhëtim dhe do e përfundojmë po bashkë, shpirti i mamit. Une jam bota dhe dashuria për ty bir”, pak nga letra e Brunilda Kondakçiu, dedikuar djalit të saj gjimazist me spektrin e autizmit.

Në ditët e sotme fëmijët me nevoja të veçanta etiketohen në shoqëri! Duke bashkëjetuar 16-vjet me djalin tim, që vuan nga autizmi e di mirë se çfarë do të thotë të luftosh përditë me të panjohurën .


Në shoqëri ne që etiketohemi si “normalë” ne jemi më të cekët në gjykim, ne vetëm paragjykojmë. Të qenët mamaja e një fëmije me autizëm më ka bërë mua një grua më të fortë, njeri më të mirë, më të drejtë, më të mençur!Të rritesh një fëmijë me autizëm nuk është fare e lehtë, është sfidë. Jam e lumtur sepse djali është ky që është në saj të punës që është bërë me të. Unë jam e vetmja që ndoshta e kuptoj më mirë dhe kur ai nuk flet, ne të dy flasim me gjuhën e trupit dhe mimikën e fytyrës; unë mund ta kuptoj shqetësimin ose gëzimin e tij. Biri im i dashur, duke u kujdesur për ty kam kuptuar thelbin e jetës, kam kuptuar se çfarë do të thotë të jesh nënë.


Greil ne e nisëm bashkë këtë udhëtim dhe do e përfundojmë po bashkë shpirti i mamit. Une jam bota dhe dashuria për ty bir.... 


Secili nga ne është unik  dhe i veçantë! Dikush ka aftësi të këndoj, dikush ka aftësi të pikturoj, dikush ka aftësi të flas mirë në publik etj; nëpërmjet këtyre aftësive ne bëhemi të dobishëm për shoqërinë...por për sa i përket personave me aftësi ndryshe, ata sipas logjikës tonë nuk janë të dobishëm, apo ne nuk dimë të vlerësojmë aftesitë e tyre speciale dhe unike?


Ne jemi akoma një shoqëri e pazhvilluar dhe ndoshta nuk dimë të bëjmë dallimin midis njerëzve normal dhe atyre special ...sepse u japim rëndësi vetëm atyre gjërave të cilave mund të përfitojmë diçka! Personat me aftësi të veçanta mund të na japin shumë më shumë se ato gjëra materiale që ne kërkojmë...pra ne si njerëz normalë i njohim vlerat njerëzore dhe virtytet dhe përseri jepemi mbas gjërave materiale, ekonomike, financiare etj; 



Ne njerëzit normal harrojmë se sa e rëndësishme është DASHURIA ne kërkojmë pasuri, famë, shtëpi dhe mbasi i arrijmë ndihemi bosh sepse nuk ndiejmë gëzim. Ne flasim për bamirësi, por kur vjen puna ta bëjmë vet tërhiqemi, prandaj sot ju bëj thirrje:


Bëni mirë...dhe ju që e keni mundësinë, sponsorizoni për një shkollë ku të studiojnë të rinjtë me  nevoja speciale...Ju mundeni të lumturoni shumë familje! Këta fëmijë kanë nevojë për gjëra të vogla me dashuri të madhe! 

Mamaja e një fëmije me nevoja speciale, Brunilda Kondakçiu! 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,457 Lexime
1 vit më parë