Letra që premtojnë siguri, fëmijë që kërkojnë vëmendje: Kur strategjitë bëhen barrë

“Letra që premtojnë siguri, fëmijë që kërkojnë vëmendje” është reflektimi i mësueses Arbana Pajenga Hallva mbi barrën e burokracisë në shkollë dhe nevojën për më shumë kohë, vëmendje e besim për fëmijët. Një thirrje për të parë përtej letrave.

Po afrohet shtatori dhe bashkë me zilen e çantat e reja, klasat tona mbushen sërish me të njëjtin ritëm të njohur: male strategjish, udhëzues, plane veprimi dhe protokolle të pafundme.


Në tryezën e çdo mësuesi apo ekipi lëndor ulen njëkohësisht dhjetëra dokumente për sigurinë në komunitet, parandalimin e drogës, luftën kundër braktisjes shkollore, mbrojtjen nga bullizmi, edukimin për të drejtat e fëmijëve dhe strategjia për kulturën, edukimi për mjedisin. Një listë e pafundme detyrash që kërkojnë raporte, tabela, matje dhe monitorime.


Por, ndërsa ne humbasim orë të tëra duke plotësuar skema zyrtare për të dëshmuar se “jemi në rregull me letrat”, në bankat e shkollës ulen fëmijë që kanë nevojë për diçka më shumë sesa një strategji e printuar: kanë nevojë të shihen në sy.


Barrë apo Mbrojtje?


Paradoksi i shkollave sot është se sa më shumë strategji hartojmë në letër, aq më shumë mbetemi të vetmuar përballë realitetit të fëmijëve. Një mësues nuk është sociolog, as oficer policie, as inspektor statistikash. Mësuesi është njeriu që hap derën e klasës çdo mëngjes me shpresën se do të mund të mbjellë diçka të mirë te shpirtrat e vegjël që i besohen.

Kur strategjitë shumohen deri në absurd, ato pushojnë së qeni udhërrëfyes dhe kthehen në një barrë administrative që konsumon energjinë më të çmuar të mësuesit: kohën për fëmijën.


Fuqia e vërtetë e mësueses në klasë


Asnjë VKM dhe asnjë strategji kombëtare nuk e ndal dot braktisjen shkollore, nëse mësuesi nuk e ka luksin e kohës për të ulur kokën pranë një nxënësi që po vuan në heshtje. Asnjë plan kundër drogës nuk ka më shumë peshë se çasti kur një fëmijë kupton se te mësuesja e tij gjen një strehë të sigurt, ku mund të flasë pa u gjykuar.


Ne, mësuesit, nuk jemi kundër rregullave apo dokumentimit. Por ne e dimë mirë se puna jonë më e madhe nuk matet me numrin e dosjeve të mbyllura në dollap, por me buzëqeshjen e një fëmije që sot hyri në klasë më i sigurt se dje.


Këtë vit shkollor, le të guxojmë të shohim përtej letrave. Le t'i kërkojmë sistemit më pak burokraci dhe më shumë besim te profesioni ynë. Fëmijët tanë nuk kërkojnë plane strategjike me pesë yje; ata kërkojnë mësues që kanë kohë t'i dëgjojnë, sy që i kuptojnë dhe zemra që nuk janë lodhur duke mbushur raporte.


Sepse në fund të ditës, siguria e vërtetë e një fëmije nuk ndërtohet në zyra me raporte standarde, por në çdo klasë ku mësuesi ka kohë të jetë njeri.



© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

159 Lexime
14 orë më parë