Lira Gjika-prindërve: Kur fëmija juaj qan, bërtet e insiston t’i plotësoni kërkesën, mos u nënshtroni

Prindër, kur dëgjoni fëmijën tuaj që qan, bërtet dhe insiston që t’i plotësoni kërkesën, mos u nënshtroni. Prindër mos u turpëroni kur skenat ndodhin në rrugë, por ruani qetësinë...

Prindër, kur dëgjoni fëmijën tuaj që qan, bërtet dhe insiston që t’i plotësoni kërkesën, mos u nënshtroni, sepse nuk do të zgjidhni gjë dhe ç’është më e keqja, do ta fiksoni edhe më shumë këtë sjellje të fëmijës suaj. Shkencëtarët e shpjegojnë këtë sjellje të fëmijëve si një tregues inteligjence. Fëmija përpiqet të imponohet për të realizuar dëshirat dhe kërkesat e veta. 


Prindërit duhet ta marrin me qetësi dhe të mos plotësojnë kërkesën e fëmijës edhe pse qan apo bërtet. Duhet t’i japin të drejtë që mërzitet, por zgjidhja duhet të ndodhë pasi fëmija të pushojë të qarën apo të bërtiturën. Prindërit duhet t’i thonë: mbaro të qarën dhe më pas flasim për të gjetur zgjidhje. Kur fëmija pushon dhe kërkesa eshte e plotësueshme, plotësojani duke i thënë: “E shikon, gjërat zgjidhen me fjalë dhe jo me të qarë.”


Prindër mos u turpëroni kur skenat ndodhin në rrugë, por ruani qetësinë dhe përsëritni shprehjen: “Mbaro të qarën, unë jam këtu me ty, nuk je vetëm, përpiqu ta qetësosh veten siç e bërë dje.” Ose pasi pushon, përgëzojeni duke i thënë, se radhën e shkuar tu desh më shumë kohë për të qetësuar veten dhe të pushoje së bërtituri. “E shikon që po e mëson edhe këtë mundësi që ke për të qetësuar ti vetë veten tënde.” Tek e fundit i rrituri prandaj është pranë fëmijës që ta ndihmojë të arrij vetëqetësimin ashtu siç e ka nxitur të ecë, të flasë. Po ashtu po i mëson të vetëqetësohet. Kështu i mëson fëmijës të mendojë e të zgjedhë e të gjejë forcat e veta për t’ia dalë. 


Edhe një gjë të fundit, mos lejoni të huajt të ndërhyjnë në këtë proces ndërgjegjsimi dhe zhvillimi të fëmijës për veten, qofshin këta edhe gjyshërit. 


(Lira Gjika; Portali Shkollor)

13,521 Lexime
5 vjet më parë