JETA E RE

Lorela Garuli: Efektet psikologjike të mësimit online tek mësuesit, nxënësit dhe roli i familjes

Një këndvështrim psikologjik nga psikologia Lorela Garuli mbi mësimin online dhe disa sugjerime për familjen gjatë kësaj periudhe, për të lehtësuar këtë proces dhe për ta bërë më të prekshëm e të arritshëm për fëmijën.

Situata e re dhe rutina aktuale i ka dhënë një kuptim të ri jetës së gjithkujt. Është e qartë tashmë se nuk është fjala për një periudhë të shkurtër fare, por për një rutinë të re qe duhet t’i përshtatemi. Kush mundet, punon dhe studion nga shtëpia. 


Një sfidë e pazakontë për sistemin arsimor, për mësues e nxënës; ku të parët duhet të përpiqen fort për të kryer misionin e tyre, në kushte të vështira, ku i lëkundet siguria profesionale dhe me pikëpyetje pa përgjigje janë të detyruar të mbyllin një vit akademik, nëpër ekrane. Nga ana tjetër e monitorit janë fëmijë e adoleshentë të cilëve gjithashtu nën ndikimin e mësimit virtual, iu shtohet stresi. Ndjenjat që më së shumti përjetojnë studentë, mësues e nxënës përgjatë kësaj periudhe kanë të bëjnë me paqartësi të shumta, lodhje, humbje e besimit, mund të ndihen “të tradhëtuar” nga sistemi, pa referencë, mbështetje, të stresuar.Megjithatë, me të gjitha vështirësitë e kontekstit të ri, mësuesit janë përpjekur të vazhdojnë të ruajnë marrëdhënien dhe komunikimin mësues-nxënës. 


Nga ana tjetër, kjo situatë po përball për herë të parë mbase prindërit me vështirësitë që kanë fëmijët e tyre në kryerjen e detyrave, në disiplina të caktuara, ndonjë prani e mundshme e një crregullimi në të nxënë; pra po kuptojmë që shumë prej vështirësive që ua kanë deleguar shkollës, në fakt nuk janë vetëm përgjegjësi e saj. 


Kështu, disa sugjerime për familjen gjatë kësaj periudhe, për të lehtësuar këtë proces dhe për ta bërë më të prekshëm e të arritshëm për fëmijën i gjeni në vijim:


• Të mirëpërcaktohet një rutinë e re.

• Oraret e ciklit gjumë-zgjim të jenë të ngjashme me ato të kohës kur fëmija ishte në shkollë.

• Të caktohet një plan javor/ditor me detyrat dhe lëndët përkatëse.

• Të njoftohen fëmijët paraprakisht për oraret e mësimeve, në mënyrë që të kenë kohë të përgatiten.

• Të kërkojnë ndihmën e një profesionisti të shëndetit mendor nëse ndjejnë se nuk po ia dalin dot stresit apo nëse ndihen “të humbur”.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,545 Lexime
4 vjet më parë