Mjalti i maresë

Majlti i maresë, si prodhohet dhe cilat janë vetitë kurative

Studime të pesëvjeçarit të fundit mbi forcën antioksiduese të llojeve të ndryshme të mjaltit, kanë veçuar mjaltin e maresë si mjaltin me fuqinë më të madhe në eliminimin e radikaleve të lira dhe neutralizimin e stresit oksidues në organizëm.

Mareja është një pemë tipike e zonave mesdhetare dhe prodhon lule dhe fruta të vogla që ngjasojnë me luleshtrydhen. Mjalti i bërë nga poleni i mares quhet mjaltë mareje dhe dallohet lehtë nga llojet e tjera të mjaltit nga shija e hidhur dhe ngjyra bezhë. Prodhohet përgjithësisht nga gjysma e tetorit deri në nëntorin e vonë.

Pasi bletët e prodhojnë këtë mjaltë, ai pritet dhe hiqet nga pitet dhe vendoset në centrifugë. Më pas, mjalti i përftuar futet nëpër kavanozë ku mund të ruhet për periudha të gjata.

Mjalti i mares është prodhuar tradicionalisht në Shqipëri dhe konsiderohet si një mjaltë i ushqyeshëm dhe me vlera kurative. Gjendet në shitje në sasi të vogla, pasi më shumë gjen përdorim familjar. Përveç zonës së Përmetit, gjendet në Skrapar dhe Tiranë, ku bima e mares rritet gjerësisht nëpër pyje. Ky mjaltë nuk është shumë i përhapur pasi prodhohet në sasi të vogla dhe ka shije të veçantë.

Ndër shekuj ai është përdorur si detoksifikues për mëlçinë, diuretik, anti-asmatik, antiseptik veçanërisht për rrugët urinare dhe për të përmirësuar qarkullimin.

Ai njihet në zonat mesdhetare si: Shqipëria, Portugalia, Italia, Korsika dhe Greqia. Ky mjaltë dallon për një shije veçanërisht të freskët, por edhe pak të hidhur. Mjalti i maresë përmban një acid fenolik të quajtur Acid Homogentisik, i cili ka forcë antioksiduese tepër të fuqishme.

Studime të pesëvjeçarit të fundit mbi forcën antioksiduese të llojeve të ndryshme të mjaltit, kanë veçuar mjaltin e maresë si mjaltin me fuqinë më të madhe në eliminimin e radikaleve të lira dhe neutralizimin e stresit oksidues në organizëm. Shkencëtarët portugezë kanë krahasuar 39 lloje mjalti lulesh, përfshirë mjaltë trumze, eukalipti, portokalli, mareje dhe akacie të bardhë.

Mjalti i maresë rezultoi me përmbajtje më të lartë të kalciumit, magnezit dhe hekurit, së bashku me mjaltin e eukaliptit. Ndërsa forca antioksiduese ishte dallueshëm më e lartë te mjalti i maresë me një përmbajtje të substancave fenolike më shumë se 600 mg ekuivalente të acidit galik (GAE). Krahasuar me mjaltin e gështenjës dhe te hikerrorit, ai i maresë dallon për forcë edhe më të lartë antioksiduese.

Konsumi i 2-3 lugëve të mëdha në ditë është i mjaftueshëm për të përfituar nga vlerat ushqyese të këtij mjalti. Ai mund të merret siç është, i holluar me ujë ose si pjesë e salcave të ndryshme të sallatave.

Fëmijët nën moshën 2 vjeç nuk duhet të konsumojnë mjaltë! 

Ky mjaltë përmban njësoj sheqer si llojet e tjera, prandaj personat që vuajnë nga diabeti duhet ta llogarisin atë në sasinë ditore të karbohidrateve që duhet të konsumojnë.

17,926 Lexime
7 vjet më parë