Manual i Riskut në Shkolla - Ekstrakt praktik për profesionistët e arsimit

Ky është një ekstrakt 175-faqesh i Manualit të Riskut të publikuar nga ASCAP, përgatitur nga Fiqiri Çifliku, që përmbledh në mënyrë të shkurtër aspektet teknike të menaxhimit të riskut në shkolla. Një material i dobishëm për të gjithë profesionistët e arsimit.

Mbështetur në Manualin e Riskut të Institucioneve Arsimore Parauniversitare, i përditësuar nga Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimit Parauniversitar në vitin 2026, po sjell një version të përpunuar, shumë të shkurtër mbi aspektet teknike të riskut në shkolla. Sigurisht që materiali i ASCAP është shumë voluminoz dhe i detajuar, si dhe kërkon trajnim të thelluar me stafet e shkollave apo të institucioneve të tjera që lidhen me shkollën për të kuptuar dhe për të vepruar në përputhje me të. E konsideroj një hap shumë të rëndësishëm dhe profesional të ASCAP, sepse personalisht i mëshoj shumë edhe në modulin për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Financave dhe Materialeve që zhvillohet me drejtorët dhe aspirantët për drejtorë të institucioneve arsimore. Së pari për të garantuar jetën dhe shëndetin e përdoruesve të mjediseve të shkollës dhe më tej për të siguruar arsim cilësor dhe rezultate më të mira.

 

1) Çfarë është risku në shkollë?

Në kuptimin teknik, risku nuk është vetë ngjarja problematike, por efekti që pasiguria mund të ketë mbi arritjen e objektivave të shkollës. Ai matet si kombinim i dy elementeve: probabilitetit që një faktor pengues të ndodhë dhe pasojës/ndikimit që ai sjell mbi funksionimin, sigurinë, cilësinë dhe rezultatet e institucionit. Në terma praktikë, niveli i riskut përllogaritet si: Niveli i Riskut = Probabiliteti × Pasoja.

 

2) Parimet kryesore të menaxhimit të riskut

Menaxhimi i riskut në shkollë trajtohet si proces i integruar në drejtim, planifikim dhe vendimmarrje, jo si veprim i shkëputur administrativ. Ai duhet të jetë i strukturuar, gjithëpërfshirës, i bazuar në prova, i përshtatur me kontekstin e shkollës, dinamik ndaj ndryshimeve, transparent në raportim dhe i orientuar drejt përmirësimit të vazhdueshëm. Po ashtu, manuali thekson se faktorët njerëzorë, klima institucionale dhe kultura organizative ndikojnë drejtpërdrejt te mënyra si lind, perceptohet dhe menaxhohet risku.

 

3) Llojet kryesore të riskut në shkolla

Manuali e organizon vlerësimin e riskut në 9 tregues strategjikë, të cilët përfaqësojnë edhe fushat kryesore ku mund të shfaqen rreziqet në shkollë: mirëqenia e nxënësve, vizioni dhe drejtimi i institucionit, infrastruktura, burimet njerëzore, burimet financiare, teknologjia e informacionit dhe komunikimit, vlerësimi i brendshëm, bashkëpunimi dhe bashkëpjesëmarrja, si dhe rezultatet e nxënësve. Këto fusha japin kuadrin bazë për të kuptuar jo vetëm ku ndodhen rreziqet, por edhe cilat janë prioritetet e ndërhyrjes.

Në plan praktik, rreziqet më tipike që dalin në shkolla lidhen me: cenimin e sigurisë fizike të nxënësve, bullizmin dhe dhunën, amortizimin e infrastrukturës, mospërputhjen e profilit profesional të mësuesve me lëndët që japin, mosfunksionimin ose mosintegrimin e teknologjisë, si edhe deformimin e vlerësimit të nxënësve përmes “fryrjes” së notave.

 

4) Si identifikohet risku?

Identifikimi i riskut bazohet mbi mbledhjen e provave nga disa burime njëherazi. Manuali përdor atë që e quan “trekëndëshi i vlerësimit”, i cili përfshin: shqyrtimin e dokumentacionit, vëzhgimin e drejtpërdrejtë në terren dhe intervistat/anketat me aktorët përkatës. Kjo do të thotë se risku nuk identifikohet vetëm nga raportet në letër, por edhe nga ajo që shihet realisht në shkollë dhe nga perceptimet apo përvojat e nxënësve, mësuesve dhe prindërve.

Dokumentacioni që ndihmon në identifikim përfshin regjistra, plane vjetore, procesverbale, evidenca administrative dhe të dhëna të tjera zyrtare. Vëzhgimi në terren shërben për të verifikuar gjendjen faktike të mjediseve, shërbimeve, praktikave dhe sigurisë. Intervistat dhe anketat përdoren për të zbuluar problematika që nuk dalin gjithmonë në dokumente, si p.sh. bullizmi, klima emocionale apo vështirësitë në përdorimin e teknologjisë.

 

5) Si analizohet dhe vlerësohet risku?

Analiza teknike e riskut mbështetet te një matricë 5×5, ku secilit risk i caktohet një vlerë për probabilitetin dhe një vlerë për pasojën. Probabiliteti klasifikohet në pesë nivele: nuk ka gjasa, i rrallë, i mundshëm, pothuajse i sigurt dhe i sigurt. Po ashtu, pasoja vlerësohet me pesë nivele: e papërfillshme, e ulët, mesatare, domethënëse dhe shumë e lartë. Produkti i këtyre dy vlerave jep nivelin e riskut për secilin tregues.

Pas kësaj bëhet prioritizimi. Shkolla klasifikohet sipas shkallës së riskut në këto nivele: shumë i ulët (1–2.5), i ulët (2.5–4.5), mesatar (4.5–11.5), i lartë (11.5–18.5) dhe kritik (18.5–25). Ky klasifikim është thelbësor sepse përcakton intensitetin e ndërhyrjes: nga monitorimi rutinë, te masat parandaluese, masat specifike përmirësuese, ndërhyrja e menjëhershme dhe deri te reagimi emergjent kur risku është kritik.

Në nivel të përgjithshëm, risku i institucionit përllogaritet edhe si mesatare aritmetike e risqeve të treguesve, duke dhënë një pamje të përmbledhur të ekspozimit të përgjithshëm të shkollës. Kjo ndihmon që vendimmarrja të mos mbështetet vetëm te raste të veçuara, por te tabloja e plotë institucionale.

 

6) Rreziqet tipike dhe mënyra si njihen

A. Risku për mirëqenien dhe sigurinë fizike të nxënësve  

Ky risk identifikohet përmes vëzhgimit të perimetrit të jashtëm, kontrollit të hyrje-daljeve dhe evidentimit të kushteve të sigurisë. Sinjalet kryesore janë prania e pikave të shitjes së substancave të ndaluara pranë shkollës, mungesa e rrethimit mbrojtës, mungesa e sinjalistikës rrugore dhe mangësitë në kontrollin e mjedisit përreth. Pasojat mund të jenë ekspozimi i nxënësve ndaj rreziqeve sociale, aksidente fizike dhe cenim i sigurisë së përditshme. Masat kryesore janë monitorimi i zonave me rrezik, bashkëpunimi me policinë dhe respektimi rigoroz i procedurave të hyrje-daljes.

 

B. Bullizmi, dhuna dhe cyberbullying  

Ky risk identifikohet përmes anketave anonime, kutive të ankesave, raporteve të prindërve dhe monitorimit të hapësirave digjitale që përdoren nga nxënësit. Tregues janë izolimi social, gjuha e urrejtjes, konfliktet e përsëritura, shenja të tërheqjes emocionale dhe raste të raportuara të dhunës verbale ose fizike. Pasojat shtrihen nga dëmtimi i shëndetit mendor te ulja e performancës shkollore dhe dobësimi i klimës së sigurisë. Masat reduktuese përfshijnë forcimin e shërbimit psiko-social, krijimin e mekanizmave të sigurt të denoncimit dhe moderimin aktiv të hapësirave virtuale.

 

C. Risku nga infrastruktura e amortizuar ose e pasigurt  

Ky lloj risku identifikohet përmes auditimit teknik të godinës dhe kontrollit të pajisjeve të sigurisë. Tregues tipikë janë fikëset e zjarrit të skaduara, mungesa e hidrantëve funksionalë, instalimet elektrike të dëmtuara, lagështia, mungesa e ujit të rrjedhshëm dhe kushtet e papërshtatshme higjieno-sanitare. Pasojat mund të përfshijnë zjarre, aksidente, përhapje sëmundjesh dhe dëmtime të shëndetit. Minimizimi kërkon mirëmbajtje parandaluese, verifikim periodik të sistemeve të sigurisë, përmirësim të kushteve sanitare dhe plane të qarta evakuimi.

 

D. Risku i burimeve njerëzore  

Ai shfaqet kur mësimdhënia mbulohet nga persona pa profilin përkatës, kur ngarkesa shpërndahet padrejtësisht ose kur procedurat e emërimit dhe zhvillimit profesional nuk ndiqen siç duhet. Identifikimi bëhet duke krahasuar dosjet personale, diplomat, ngarkesën mësimore dhe praktikën faktike në klasë. Pasojat janë ulja e cilësisë së mësimdhënies, demotivimi i stafit dhe dobësimi i rezultateve të nxënësve. Masat kryesore janë respektimi i kritereve të profilit profesional, mentorimi, trajnimi i vazhdueshëm dhe organizimi më i drejtë i ngarkesës

 

E. Risku në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit  

Ky risk identifikohet nga verifikimi fizik i laboratorëve dhe pajisjeve, si edhe nga vëzhgimi i përdorimit real të tyre gjatë mësimit. Tregues janë pajisje të papërdorura, mungesë interneti funksional, mungesë protokollesh mirëmbajtjeje dhe refuzim praktik i mjeteve digjitale. Pasojat përfshijnë humbje ose dëmtim pajisjesh, prapambetje në kompetencat digjitale dhe dobësim të procesit mësimor. Masat përfshijnë trajnime praktike, protokolle përdorimi e mirëmbajtjeje, filtra sigurie online dhe alternativa rezervë kur infrastruktura digjitale nuk funksionon.

 

F. Risku te rezultatet e nxënësve dhe vlerësimi jo real  

Ky risk identifikohet duke krahasuar rezultatet e brendshme të shkollës me rezultatet e provimeve kombëtare. Shenjë e qartë është diferenca e lartë mes notës mesatare vjetore dhe performancës reale në testime standarde. Pasojat janë krijimi i një suksesi fiktiv, mungesa e diagnozës së saktë pedagogjike dhe dështimi i nxënësit në nivelet pasuese. Reduktimi i këtij risku kërkon testime të standardizuara të brendshme, rritje të objektivitetit në vlerësim dhe transparencë më të madhe me nxënësit e prindërit.

 

7) Si minimizohen efektet e riskut?

Manuali parashikon katër qasje themelore për trajtimin e riskut: shmangien, transferimin, zbutjen/trajtimin përmes veprimit dhe tolerimin. 

Shmangia nënkupton mënjanimin e veprimtarisë ose situatës që gjeneron risk. 

Transferimi do të thotë ndarje e përgjegjësisë me struktura të tjera, si bashkia ose policia. 

Zbutja është qasja më e përdorur dhe nënkupton vendosjen e kontrolleve, masave korrigjuese dhe ndërhyrjeve konkrete. 

Tolerimi përdoret kur risku konsiderohet i pranueshëm ose kur kostoja e ndërhyrjes është më e lartë se përfitimi.

Minimizimi i efekteve nuk është një akt i vetëm, por një cikël i plotë që fillon me identifikimin e problemit, analizën, përzgjedhjen e trajtimit, zbatimin e masave, kontrollin efektiv dhe rivlerësim i “riskut të mbetur”. 

Nëse pas zbatimit të masave risku mbetet i lartë ose i papranueshëm, atëherë kërkohen masa më të forta ose një plan i ri trajtimi.

 

8) Plani i trajtimit të riskut

Pas vlerësimit, shkolla duhet të hartojë Planin e Trajtimit të Riskut, i cili nuk është thjesht listë masash, por dokument strategjik për zbatim. Ky plan duhet të mbështetet në katër shtylla: burimet njerëzore, fondet financiare, infrastruktura dhe rrjeti i partnerëve. Kjo do të thotë se për çdo risk duhet të jetë e qartë jo vetëm çfarë do të bëhet, por edhe kush e bën, me çfarë burimesh, në çfarë afati dhe si do të matet suksesi.

Manuali kërkon që objektivat dhe masat e planit të ndërtohen sipas logjikës SMART. Pra, të jenë specifike, të matshme, të arritshme, realiste dhe të lidhura me kohë (afate). Në praktikë, kjo e bën menaxhimin e riskut më të kontrollueshëm dhe më të gjurmueshëm.

 

9) Monitorimi, raportimi dhe ndjekja

Monitorimi i riskut përshkruhet si kontroll aktiv dhe i vazhdueshëm. Ai synon të identifikojë shmangiet nga plani, të verifikojë nëse masat po funksionojnë dhe të vlerësojë nëse kanë ndryshuar probabiliteti apo pasoja e riskut. Pra, monitorimi nuk është formalitet administrativ, por pjesë e sistemit të paralajmërimit dhe korrigjimit në kohë.

Për ndjekjen përdoret Regjistri i Riskut, i cili duhet të përditësohet detyrimisht dy herë në vit: në fund të janarit dhe në fund të vitit shkollor pas vlerësimit përkatës. Raportimi bëhet periodikisht dhe shërben për të dokumentuar si kërcënimet, ashtu edhe masat e ndërmarra, ecurinë e planit dhe riskun e mbetur. Kjo i jep procesit gjurmueshmëri dhe llogaridhënie institucionale.

 

10) Roli dhe detyrat e strukturave

Shkolla / drejtuesi i institucionit  

Në nivel shkolle, përgjegjësia kryesore është administrimi dhe përditësimi i vazhdueshëm i regjistrit të riskut, garantimi i saktësisë së të dhënave, hartimi i planeve konkrete të trajtimit dhe koordinimi me partnerët për menaxhimin e rreziqeve që shkolla nuk i zgjidh dot vetëm.

 

ZVAP  

Zyra vendore cakton koordinatorët përgjegjës, organizon mbledhjen e të dhënave, verifikon situatën në terren përmes trekëndëshit të vlerësimit, harton regjistrat e riskut për secilën shkollë dhe për nivelin e vet, si edhe klasifikon shkollat sipas shkallës së riskut.

 

DRAP  

Struktura rajonale mbikëqyr procesin në njësitë vendore nën juridiksion, ndjek problematikat me peshë më të lartë dhe mund të propozojë ose të nisë procedura administrative/disiplinore në rastet e fshehjes apo shtrembërimit të të dhënave.

 

AKAP  

Kjo strukturë përdor regjistrin kombëtar të riskut si bazë për planin e monitorimeve dhe për vlerësimin e jashtëm të institucioneve me bazë risku. Roli i saj është më shumë mbikëqyrës, orientues dhe verifikues në nivel sistemi.

 

ASCAP  

Kjo strukturë harton regjistrin kombëtar të riskut, zhvillon analiza kombëtare mbi trendet, mbështet profesionalisht procesin dhe përcjell gjetjet për ndërhyrje strategjike në nivel qendror.

 

Bashkëpunimi institucional  

Manuali e trajton menaxhimin e riskut si proces vertikal dhe horizontal njëkohësisht. Vertikalisht mes shkollës, ZVAP, DRAP dhe strukturave kombëtare. horizontalisht mes shkollës, prindërve, bashkisë, policisë dhe partnerëve të tjerë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur risku tejkalon kapacitetet e brendshme të shkollës.

 

11) Çfarë duhet të mbajë mend një shkollë?

Thelbi teknik i manualit është ky: "Shkolla duhet të dijë ku janë rreziqet, si maten, cilat janë prioritetet, çfarë masash duhen marrë, kush përgjigjet për to dhe si provohet që masat kanë funksionuar." 

Menaxhimi i riskut nuk është vetëm reagim ndaj problemit, por sistem i vazhdueshëm parandalimi, kontrolli, reagimi dhe rikthimi. Dokumentimi i hapave do të siguronte historinë dhe do të garantonte përmirësim institucional.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

685 Lexime
6 orë më parë