Matura 2026, pse munguan autorët shqiptarë në provimin e Gjuhës shqipe dhe Letërsisë?

Asnjë autor shqiptar në provimin e Maturës Shtetërore të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë 2026. Evans Drishti ngre pikëpyetje mbi përzgjedhjen e teksteve dhe mungesën e autorëve vendas, duke analizuar ndikimin e kësaj zgjedhjeje te maturantët dhe procesi i vlerësimit.

Asnjë autor shqiptar në provimin e Maturës Shtetërore të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë 

“Fati” i maturantëve të 2026-tës do të varet nga Leo Buscaglia.  


Nga Evans Drishti 


Këtë të martë, datë 09. 06. 2026 u zhvillua provimi i Maturës Shtetërore 2026 për lëndën Gjuhë shqipe dhe Letërsi. 


Sikurse edhe u pa, teza e provimit u shpërnda në mënyrë të rrufeshme në rrjetet sociale, madje e plotësuar. 


Nga një vështrim i menjëhershëm dhe i kujdesshëm kupton se: 

  • Teksti i parë joletrar titullohet ”Zgjidhni jetën” dhe në fund të tekstit shkruhet: “Marrë nga “Të jetosh, të dashurohesh, të kuptohesh” Leo Buscaglia “Botimet Çabej” 1982. 
  • Teksti i dytë letrar titullohet ”Prometeu i mbërthyer” nga Eskili. 
  • Pjesa e tretë është eseja, ku maturantëve u jepet një temë në lidhje me lumturinë bazuar sërish në leksionet e Leo Buscaglias. 


Pra shkurt; 

Fati i maturantëve të këtij viti do të varet nga Leo Buscaglia. 

Nëse bëni një kërkim të shpejtë në Google do të gjeni këto fjali përshkruese për këtë autor: 

Leo Buscaglia u lind në Los Angelos të Amerikës nga prindër emigrantë Italianë. U diplomua për pedagogji, psikologji dhe sociologji. Gati 30 vjet punoi si mësues dhe bëri udhëtime të shumta nëpër botë, veçanërisht në Lindje, në manastirin Zene dhe në ato Budiste. Është autor i shumë librave më të cilat trajtohet tema e dashurisë si: Love, Loving, Living and learning, Bus 9 to paradise etj. Në vitin 80 hapi në Universitetin e Kalifornisë së Jugut një kurs njëvjeçar për lëndën e dashurisë, kursi i vetëm në llojin e tij në botë. 


Të kuptohemi, 

s’është çështja se ka diçka ndaj autorit, përkundrazi është një personalitet në fushën e letrave, por a nuk është e çuditshme, që në një tezë provimi të Maturës Shtetërore në Republikën e Shqipërisë nuk i jepet vend asnjë autori shqiptar? 


Në ç’përqindje qëndron numri i maturantëve, të cilët e kanë njohur apo e kanë trajtuar gjatë viteve të gjimnazit këtë autor?


Nëse maturantëve ju drejtohet një teme eseje duke iu referuar pikërisht një autori të jashtëm, më e pakta e të paktës maturantët “detyrimisht” duhet të kenë një mendim paraprak rreth shkrimeve të këtij autori, në mënyrë që të arrijnë të sjellin argumente bindëse rreth tezës në fjalë, në të kundërt, pra në mungesë të njohjes së autorit dhe për rrjedhojë edhe të shkrimeve të tij, maturantët do të përcjellin mendime krejtësisht jashtë kontekstit të kërkuar, dhe bazuar gjithçka në imagjinatën e tyre. Paramendoni se ç’shkrime do të lexohen në këto ese, duke patur parasysh se kënaqësitë të përkthyera në “lumturi” të gjimnazistëve të kohëve të sotme, në pjesën dërrmuese mbeten të kufizuara tek telefonat dhe kafenetë. 


Nga ana tjetër, në fakt shtjellimi i idesë së lumturisë mund të bëhet edhe nga trajtesa e ofruar në tekstin e parë joletrar, por sa përqind e maturantëve kanë arritur ta kuptojnë drejtë dhe saktë atë që ka dashur të shprehë autori, sikurse thuhet edhe vetë në tekst: “Të zgjedhësh jetën nuk është kaq e vështirë sa kujtojmë. E megjithatë janë të shumtë ata që nuk janë në gjendje të zgjedhin”.


Autori shprehet gjithashtu, duke iu drejtuar lexuesve – këtë rast maturantëve – se kur keni ardhur në jetë ju është dhuruar e tërë bota, kjo e simbolizuar në një kuti magjike, brenda së cilës gjenden të gjitha përjetimet njerëzore. Vijon autori teksa shprehet në argumentimin e lumturisë: “Ne mund ta kthjemë dëshpërimin në shpresë, dhe kjo është magji. Mund t’i fshijmë lotët dhe t’i zëvendësojmë me buzëqeshje.” Por sa e posedon vallë ky brez një fuqi të tillë tjetërsuese?! 


Duke qenë se teksti joletrar ka të bëjë me një aspekt social e kulturor, a nuk do ishte më me vend që të ofrohej një tekst i kuruar me kujdes nga analistët tanë të njohur që shpalos më së miri aspektet sociale të shoqërisë sonë, në mënyrë që edhe maturantët tanë të kthjellohen dhe të vetëdijësohen të paktën në një provim shteti rreth çështjeve dhe fenomeneve sociale të vendit të tyre. Dhe të tillë analistë dhe analiza nuk është se mungojnë. Kujtojmë këtu “Opinionet” që ofrohen në gazetat e përditshme “Panorama”, “Shqiptare”, “Sot”, “Koha jonë” etj. 


Suksese të gjithë maturantëve!



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

110 Lexime
8 orë më parë