VERË & LEXIM

Me pushime... më shumë kohë për libra!

Pushimet e verës janë ideale edhe për të qenë më pranë librave. Por si mund të bëhet leximi më i këndshëm? Po i vëmendshëm? Më poshtë do të gjeni përgjigjet për këto pyetje, por edhe mënyrat më të mira për të mos harruar çfarë lexoni.

Tanimë viti shkollor ka përfunduar. Më shumë kohë për të pushuar, për të organizuar kohën dhe kalimin e saj në mënyrë të shëndetshme. Sigurisht, më shumë kohë edhe për të lexuar. 



Si mund të bëhet leximi më i këndshëm? 


-Në fillim, zgjidh librin që dëshiron të lexosh. 

-Krijoji vetes një hapësirë për të lexuar (një kënd enkas për ty).

-Përcakto një kohë të caktuar për t’u marrë vetëm me lexim.

-Shmang vazhdimisht shpërqendrimet dhe ndërprerjet. Kërkoju njerëzve që ke pranë mos të të shqetësojnë. E ke provuar se sa e pakëndshme është kur je duke lexuar një pjesë mjaft interesante dhe dikush të ndërpret për një njoftim apo bisedë të panevojshme?

-Vëri detyrë vetes të shkëputesh nga njoftimet që vijnë në telefonin tënd. Ose, pse jo, fike telefonin apo laptopin gjatë kohës që ke përcaktuar për të lexuar. 

-Patjetër që, sidomos në familjen tënde, do të përkujdesen që mos të të shpërqendrojnë dhe do të të krijojnë rehati dhe qetësi gjatë leximit. 



Për një lexim më të vëmendshëm


-A e ke llogaritur ndonjëherë se sa faqe lexon për një kohë të përcaktuar? Mund ta bësh këtë provë fare thjesht. Mbaj shënim, ditë pas dite, se sa faqe lexon në një minutazh kohe të njëjtë. Vetëm se çelësi nuk është të kalosh kalimthi nëpër faqe. Në të vërtetë, duhet të ngulitësh në kujtesë gjithçka lexon. 

-Mbaj një stilolaps në dorë dhe shoqëro fjalët me të. Kjo do të të ndihmojë që të jesh i përqendruar në faqen e librit. 

-Shfrytëzo në maksimum kohën që ke përcaktuar për të lexuar. 

-Nëse nuk po kupton se çfarë po lexon, atëherë rilexoje edhe një herë pjesën. Kjo ndodh në rastet kur subjekti është pak i vështirë ose tepër shkencor. Rileximi është mënyra më e mirë për të mos humbur fillin e leximit. 

-Përpiqu të mbash mend sa më shumë detaje. Vetëm duke e ngulitur në mendje rrëfimin, do të të kujtohet edhe pasi të kalojë kohë. 


Mënyra më e mirë për të mos e harruar çfarë lexon 


  • Nënvizo frazat që të pëlqejnë.
  • Tregoji një shoku (shoqeje) ose anëtari të familjes përshtypjet e tua për librin. 
  • Shkruaj në bllokun tënd të shënimeve ose në laptop mbresat e tua për librin. 
  • Pasi ke përfunduar leximin, vendose me kujdes në raftin tënd të librave. 
  • Është koha për të lexuar librin e radhës. 




Përgatiti: Adea Nesturi

©Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,034 Lexime
2 vjet më parë