Mësuesit ndihmës: A mund të trajtojmë orën e hapur duke prezantuar apo shpjeguar një temë para klasës?

Pyetja që po qarkullon së fundmi: A mund mësuesi ndihmës të japë mësim në orën e hapur? Sipas Kleni Buzo, po, kur funksionon mësimdhënia në bashkëpunim: mësuesi i lëndës dhe ndihmës ndajnë përgjegjësi, planifikojnë dhe udhëheqin bashkë nxënësit në mënyrë të barabartë.

Kleni Buzo, mësuese ndihmëse
Drejtuese Rrjetit Profesional për M.N.
Terapiste ABA


Ndoshta edhe ju e keni parë që mësuesit ndihmës janë duke bërë pyetje:

“A mund të trajtojmë orën e hapur duke prezantuar apo shpjeguar një temë para klasës?”


Shumë janë duke i kritikuar dhe duke i nxitur në atë vorbullën e gabuar që është krijuar ndër vite rreth rolit që mbart një mësues ndihmës në Shqipëri.

Po ju dërgoj një material jo shumë të gjatë dhe të lodhshëm për lexuesit, që të kuptoni sesi vërtet duhet të funksionojë mësimdhënia në bashkëpunim.


KUJDES!
Po qarkullon pyetja:

“A mund të japë mësim mësuesi ndihmës, sidomos tani për kualifikim në orën e hapur?”

Është duke u kritikuar nëpër portale që mësuesi mbështetës nuk ka rol mësimdhënës.

Duhet të dini që ky qëndrim është sepse:

  1. Kështu kemi patur dëshirë ne të ndërtohet.
  2. Sepse kjo është kultura në Shqipëri.
  3. Jo informimi i duhur rreth rolit, të drejtave dhe përgjegjësive si M.N.
  4. Keni zgjedhur të pranoni të qëndroni, të veçuar në bankë, mundësisht të heshtur, mos ndieni që ekzistoni së bashku me nxënësin me nevoja veçanta.



Çfarë është mësimdhënia në bashkëpunim?

Mësimdhënia në bashkëpunim (Co-teaching) është një model edukativ ku dy mësues (zakonisht mësuesi i lëndës dhe mësuesi ndihmës/mbështetës) ndajnë përgjegjësinë për planifikimin, instruksionin dhe vlerësimin e një grupi të larmishëm nxënësish në një klasë të përbashkët.

Sipas Friend dhe Cook (2017), ky bashkëpunim duhet të jetë një partneritet i barabartë për të maksimizuar potencialin e çdo nxënësi.


Karakteristikat e mësimdhënies në bashkëpunim:

  • Planifikim i përbashkët: Të dy mësuesit ulen së bashku për të përcaktuar objektivat dhe strategjitë para se të hyjnë në klasë.
  • Përgjegjësi e ndarë: Të dy mësuesit shihen si autoritete nga nxënësit. Nuk ka një "mësues kryesor" dhe një "asistent" (Murawski, 2010).
  • Instruksion i diferencuar: Përdorimi i modeleve të ndryshme (si mësimdhënia në stacione ose mësimdhënia paralele) për të zvogëluar raportin mësues-nxënës (Tomlinson, 2014).
  • Vlerësim i përbashkët: Të dy mësuesit marrin pjesë në korrigjimin e detyrave dhe vendosjen e notave, duke sjellë perspektiva të ndryshme mbi progresin e nxënësit.
  • Fleksibilitet në role: Mësuesit mund të ndërrojnë rolet (njëri shpjegon, tjetri vëzhgon ose mbështet) bazuar në nevojat e temës mësimore.


Çfarë NUK është mësimdhënia në bashkëpunim?

  • Nuk është “Ndihmë rasti”: Nuk është bashkëpunim nëse mësuesi ndihmës thjesht rri ulur dhe pret që nxënësi me nevoja të veçanta të ketë një pyetje.
  • Nuk është “Mësimdhënie e izoluar”: Nuk është bashkëpunim nëse mësuesi ndihmës e merr nxënësin dhe ulet në një cep të klasës duke bërë diçka krejt tjetër nga pjesa tjetër e grupit.
  • Nuk është “Mësuesi dhe Asistenti”: Nuk është bashkëpunim nëse mësuesi i lëndës bën gjithë planifikimin dhe mësuesi ndihmës vetëm ndan fletët ose mbron disiplinën.
  • Nuk është “Marrje e radhës”: Nuk quhet bashkëpunim nëse mësuesit thjesht ndajnë orën në mes (22 minuta njëri, 22 tjetri) pa ndërvepruar me njëri-tjetrin (Friend & Cook, 2017).
  • Nuk është “Përsëritje e leksionit”: Nuk është qëllimi që mësuesi i dytë të përsërisë me zë të ulët atë që mësuesi i parë po thotë me zë të lartë.


Modelet kryesore të mësimdhënies në bashkëpunim (Friend & Cook, 2017):

  1. Njëri jep mësim, tjetri vëzhgon (One Teach, One Observe)
    Njëri mësues mban përgjegjësinë kryesore për instruksionin, ndërsa tjetri mbledh të dhëna specifike mbi sjelljen ose kuptueshmërinë e nxënësve.
  2. Njëri jep mësim, tjetri mbështet (One Teach, One Assist)
    Mësuesi i lëndës shpjegon temën e re, ndërsa mësuesi ndihmës lëviz nëpër klasë për t'u dhënë ndihmë të shpejtë nxënësve që ngecin.
    Kujdes: Ky model nuk duhet të përdoret gjatë gjithë kohës, pasi mund ta bëjë mësuesin ndihmës të duket si "asistent" dhe jo si mësues i barabartë.
  3. Mësimdhënia në stacione (Station Teaching)
    Klasa ndahet në grupe dhe mësuesit qëndrojnë në "stacione" të ndryshme. Nxënësit rrotullohen nga një stacion te tjetri.
    Përfitimi: Ul raportin mësues-nxënës dhe lejon diferencimin e procesit (Tomlinson, 2014).
  4. Mësimdhënia paralele (Parallel Teaching)
    Të dy mësuesit shpjegojnë të njëjtin material në të njëjtën kohë, por e ndajnë klasën në dy grupe të barabarta.
    Pse funksionon: Rrit mundësinë që nxënësit të bëjnë pyetje dhe të marrin pjesë aktivisht.
  5. Mësimdhënia alternative (Alternative Teaching)
    Njëri mësues punon me shumicën e klasës, ndërsa tjetri merr një grup të vogël për t'u dhënë udhëzime plotësuese, ri-shpjegim ose sfidë shtesë.
    Qëllimi: Adresimi i nevojave specifike pa e izoluar nxënësin jashtë klasës (Novak, 2022).
  6. Mësimdhënia në ekip (Team Teaching)
    Të dy mësuesit qëndrojnë para klasës dhe ndërveprojnë me njëri-tjetrin gjatë shpjegimit. Ata plotësojnë fjalitë e njëri-tjetrit ose bëjnë pyetje që nxisin mendimin kritik.




©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë  

512 Lexime
4 orë më parë