Mësuesja i dergon letër të hapur kryeministrit

"Kur vendosa të dal për herë të parë përballë nxënësve të mi në gjimnazin e një qyteti periferik të vendlindjes sime, në vitin 98, Shqipëria ishte e tronditur prej ngjarjesh politike"

Sot është një nga ato ditët e trishta, ku pesha që mbartet prej parimesh morale dhe rëndesa e saj më shtyjnë që të zgjedh komunikimin publik me ju, për aq sa zanafilla dhe fundi i çështjes nuk është gjasë personale, por një shqetësim publik në këtë Shqipërinë tonë së cilës përveç të varfërve po i ikin njëri pas tjetrit të gjithë , dhe jo vetëm, por edhe shkrimtarët.

Nesër psh, ju do të keni një vend pune të lirë dhe një të punësuar më tepër në sistemin e edukimit, e me këtë rast kjo ikje do ju ketë ndihmuar në realizimin e synimit tuaj për punësimin e qindra mijëra mësueseve që presin të ushqehen me bukën e përditshme, të cilën nuk ia lusin më Zotit por një partie politike në pushtet!

Kjo, sepse Shqipëria e tillë është edhe pas 25 viteve tranzicioni të dhimbshëm, në mjerimin që ka ravijëzuar plagën e institucioneve të kapura nga prapësia e politikanëve që kurrë nuk vepruan si burra shtetesh, por si projektues të greminës ku tashmë liritë dhe të drejtat bazë të njeriut janë peng-marrë nga dhuna e instaluar në sistemin i cili është krejtësisht unik në llojin e vet! Kjo, krahasuar me vendet e bllokut lindor, të cilat e kanë lënë pas Ballkanin perëndimor ku jemi edhe ne shqiptarët e Shqipërisë së bashku me ju, kryetarin e qeverisë që synonte rilindjen e shpresës së vrarë të një kombi e populli të shumë vuajtur në diktaturë e tranzicion të dhimbshëm.

E keq-ardhur në atë çka duket në mes të ditës ende edhe sot, por edhe e zhgënjyer prej besimit se ky vend mund të bëhej i sigurt dhe demokratik, jo vetëm për gjeneratën e prindërve tanë, e gjeneratën tonë, por edhe për fëmijët tanë dhe nipat e mbesat, ndjej sot detyrimin moral t’u sjell në vëmendje se Shqipëria e shekullit të XXI, e vitit 2015 është një atdhe i rënë në greminën, buzë së cilës u la prej atyre që ky popull i ndëshkoi me votë, duke ju besuar ju se do ta ngrinit prej zgripit drejt normalitetit.

Por çfarë bëtë ju si i kreu i qeverisë?

Fusha ime është arsimi dhe kultura. Si shkrimtare, dhe si Presidente e PEN qendrës së Shqipërisë nuk marr mundimin t’ju drejtohem për aq sa kreu i kulturës si në asnjë vend të botës së lirë ka një padurim të çuditshëm ndaj PEN. Nuk e shoh të arsyeshme t’ju sqaroj se çfarë është PEN International në botë, pasi nuk ia lejoj vetes të fyej inteligjencën dhe dijen tuaj, për aq sa ju jeni piktor e si njeri i artit së fundmi keni pasur ekspozitat tuaja përtej Shqipërisë, dhe më gjerë deri në OKB.

Por si njeri i edukimit, ku kam investuar me përkushtim vetveten, duke i besuar parimit anglosakson se ne nuk edukojmë vetëm lëndën në aspektin shkencor por mendjen e shoqërisë të së ardhmes e shoh të arsyeshme t’ju drejtohem.

I nderuar kryeministër i vendit! Kur vendosa të dal për herë të parë përballë nxënësve të mi në gjimnazin e një qyteti periferik të vendlindjes sime, në vitin 98, Shqipëria ishte e tronditur prej ngjarjesh politike që ju mbase i përcillnit prej së largu! Dhe, si pasardhësja e një familje të persekutuar nga regjimi diktatorial, vetëm për shkak të origjinës më larguan me dhunë prej detyrës të cilën sapo kisha filluar ta ushtroja.

Tirana i ka pritur të gjithë të zhvendosurit nga të gjitha anët e Shqipërisë, dhe në një prej gjimnazeve më prestigjioze të Tiranës, ndodhi të isha edhe mësuesja e Gregut, i cili në atë periudhë duhej të përballej me injorancën e drejtuesve për shkak të funksioneve tuaja politike. Pas ikjes së Gregut, sigurisht që më larguan edhe mua. Por kjo nuk ka aspak rëndësi, pasi në kujtesën e kohës së brezave Gjimnazi PNL drejtohej nga një titullare me pushtet politik me lidhje të dyshimta.

Shqipëria është një vend kaq i vogël i paradokseve të mëdha. Pas transferimit të padëshirueshëm tek Gjimnazi i parë i Tiranës, Gjimnazi ‘Qemal Stafa’, jo rrallë herë m’u desh të përballem me sulmet dhe intrigat e mediokërve të katapultuar në pozicione drejtuese, dhe shpesh kam menduar të jap dorëheqjen nga arsimi për aq sa lufta me mullinjtë e erës është akt donkishotesk.

Shqipëria u ndryshua në 2013, dhe besoj jo vetëm unë por një milionë njerëz duhet t’i kenë besuar ndryshimit. Por jo! Shqipëria e pas 2013 nga buza e greminës lënë prej paraardhësve të klasës politike u gremis në thellësi të tilla prej së cilës vështirë të shpëtohet. Dikur, kur lexoja At Zef Pëllumbin në bibliotekën e Gjimnazit ‘Qemal Stafa’, i kam kërkuar partive politike, por edhe ju si lider i opozitës të mos përdornit stafet e arsimit dhe gjimnazistët në aktivitete politike! Madje, ju kam sugjeruar të krijonit politika pasi edukimi është shtylla e shoqërisë të së ardhmes për vendin tonë, ku unë dua të jetoj dhe të plakem qetësisht e sigurt, pasi pas nesh sigurisht e ardhmja do na shërbehet në varësi të asaj çka ne të gjithë gatuam.

Koha kaloi shpejt, dhe çuditërisht ndodhi e pabesueshmja, katapultime amorale figurash të dyshimta u kryen politikisht në institucionet e arsimit, dhe më e keqja, persona të inkriminuar me të kaluar të errët në kohën e diktaturës, bashkëpunëtorë të sigurimit famëkeq të shtetit, u emëruan në stafin drejtues të një prej gjimnazeve më të rëndësishme të Tiranës.

Personalisht pata fatin t’i kem përballë, dhe vazhdimisht pas meje me një bllok shënimesh ku hynë dhjetëra herë në orët e mia mësimore, sigurisht për të më përndjekur. Kjo përndjekje është dhunë verbale e qëllimshme.

Këta njerëz bërtasin, ulërijnë, shkelin të gjitha kodet e etikës dhe kodet e punës duke dhunuar njerëz në krye të detyrës dhe duke shkelur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, duke lënë jashtë dyerve të shkollës dhjetëra nxënës, e duke ua përplasur derën në fytyrë komunitetit të cilit duhet t’i shërbehen.

Sot, e shoh të pamundur të ushtroj detyrën time si mësuese në një mjedis të dhunshëm ku janë përmbysur të gjitha vlerat dhe mbi të gjitha ku triumfon dhuna. Sot unë nuk mundem të jem përballë drejtuesish të tillë e garantuar dhe e sigurt në ushtrimin e profesionit tim. Sot unë e shoh të pamundur që të ushtroj detyrën time duke edukuar të kundërtën e dhunës, vlerat universale të lirisë tek nxënësit e mi të cilët unë mësuesja e tyre nuk kam fuqi t’i mbështes apo mbroj nga e keqja me të cilën përballen në çdo minutë të kohës së tyre në shkollë. Sot unë nuk e shoh të moralshme të ndaj kohën time të punës në një institucion që drejtohet nga të emëruar politikë, për të cilët do i drejtohem arkivave për hapjen e dosjeve të tyre për shërbimet që kanë kryer në diktaturë ku janë kryer krime kundër njerëzimit……

E keq-ardhur, por e bindur në parimet të cilat besoj, po ju them publikisht se unë nuk i kthehem ushtrimit të detyrës sime si mësuese e Gjimnazit “Qemal Stafa”, deri ditën kur prej atij institucioni të jenë larguar mercenarë të terrorit politik, paradoksale kjo në kohën të cilën ju e quani koha e rilindjes, ndërsa unë e shoh si çastin më të errët të një Shqipërie e cila është tepër larg shtetit të së drejtës për të gjithë qytetarët e saj.

Kjo nuk është dorëheqje publike nga detyra, pavarësisht se dikush tjetër do të ketë vendin tim, e ju do të keni një të punësuar më tepër në statistikat tuaja të punësimit. Ky është një akt moral, prej së cilit Institucionet e Arsimit Publik dhe Qeveria juaj duhet të kuptoni se Shqipëria nuk është oborri i ofiqarëve e mercenarëve të pushteteve politike të një klase që në 25 vite ka marrë peng demokracinë dhe e kriminalizoi vendin në çdo aspekt.

Sot. unë e gjej veten në të njëjtin fat me brezin e mësuesve si Arshi Pipa e Lasgush Poradeci, të cilët diktatura i dënoi me arrati drejt lirisë apo izolim total. Të jem mes tyre do të thotë të mbart peshën e vetëdijes historike të vendit, origjinës dhe atdheut të cilit i përkas, tashmë si shkrimtare…….

(ndjesë që ju kujtoj për mirë Gregun, ashtu si mund të ma kujtonin mua Jurgerin djalin tim të vetëm ata njerëz që kanë kontribuar në rritjen dhe edukimin e tij, e që u jam mirënjohëse për tërë jetën)

Entela Safeti Kasi, Presidente e Qendra PEN E Shqipërisë

2,229 Lexime
8 vjet më parë