INTERVISTË

Mësuesja inovatore e mësimit në distancë, Irena Biba: Është koha e zotërimit të teknologjisë në arsim

Ajo nuk resht së kërkuari nga vetja për një zhvillim të përhershëm profesional. Mësuesja Irena Biba, ndryshe nga shumë kolegë të saj, e ka shfrytëzuar verën për t’u trajnuar në drejtim të mësimdhënies online. Ajo tashmë është certifikuar ndërkombëtarisht dhe sot rrëfen gjithçka për Portalin Shkollor Albas.

Irena Biba, mësuese e gjuhës shqipe dhe letërsisë në AMU dhe AML prej 24 vitesh ka mbaruar Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë, dega Gjuhë-Letërsi.

Njohëse shumë e mirë e tri gjuhëve të huaja (anglisht, frëngjisht dhe italisht), ka mbrojtur titullin “Mësues Mjeshtër” me vlerësimin shkëlqyeshëm.

Për tri vite me radhë ka dhënë eksperiencën e saj si drejtuese në një shkollë 9-vjeçare dhe tashme është aplikante fituese për të ndjekur Shkollën e Drejtorëve.

Mësuese inovatore në teknologji pjesë e stafit të RTSh, koordinatore në eTwinning, ajo nuk resht së kërkuari nga vetja për një zhvillim të përhershëm profesional.



Si ishte për ju të merrnit çmimin si eksperte e të mësuarit në distancë nga NCE( Nearpod Certified Educators) USA dhe ck-12 CPE USA?


Përfshirja në programe studimi e më pas certifikimi nga organizata prestigjioze të arsimit në botë, për mua ishte një mundësi e artë. Pas një pune me të vërtetë sa të lodhshme por aq edhe të bukur arrita të certifikohem dhe të jem e lumtur me këtë diapazon të ri të zbuluar. Jam mrekulluar me mënyrën se si ata e përcjellin informacionin tek nxënësit, për prakticitetin, interaktivitetin dhe të mësuarit në progres. Në platformën Ck-12 për shembull kishte materiale të gatshme pa fund për mësuesit, kryesisht për mësuesit e shkencave që ata mund t’i përdornin dhe mund t’i personalizonin pasi kishte në to opsione kombinimi të pafundme. Flexbook ishte një kompleks aktivitetesh që konsistonte në leximin e një materiali mësimor, shikimin e një videoje për atë temë, dhe më pas në realizimin një kuiz-i ku nxënësi njihej menjëherë me përgjigjen e saktë dhe duke dhënë shpjegime në rastin kur nuk ishte e saktë. Pasi mbaron quizi nxënësi shikon në reports se ku është klasifikuar sipas ngjyrës së butonit (e kuqe-dobët, e portokalli-duhet përmirësim, e verdhë-mirë dhe jeshile-shumë mirë). Pas dhënies së këtij rezultati nxënësit në mënyrë automatike i jepen video shpjeguese dhe materiale shtesë në formën e assignment për ato pika ku ai kishte mangësi. Në këtë mënyrë mësuesi shikonte progresin e tij. Një platformë tjetër Neipard ku unë tashmë kam titullin “eksperte”, e bazon të mësuarit (dhe kjo ndodh jo vetëm në situatën e pandemisë) në interaktivitet. Brenda një mësimi nearpod në formën e shfletimit të një libri gjen aty video, të cilat i merr me URL ose embed, materiale (files) nga kompjuteri quiz-e, braingstorming në formë shumë të këndshme digjitale etj. Mësimi lançohet në Zoom pasi Nearpod ndërvepron me të dhe mësuesi ndan lehtësisht ekranin me nxënësit, iu kërkon atyre të shkruajnë në ekranin e tyre pasi u jep akses duke krijuar interaktivitet dhe duke e bërë të mësuarin shumë tërheqës. Natyrisht hyrja e tyre në mësim (lesson) është me kod të cilin ua shpërndan mësuesi. Një mënyrë tjetër ishte që ky mësim t’u jepet atyre edhe  ta vëzhgojnë vetë (paced) dhe të dorëzojnë detyrat ( mësuesi shikon nëse nxënësi e ka parë (viewer) si  dhe korrigjon detyrat e tij si në Google classrom ose duke u integruar me të.



Zj.Irena, nuk është hera e parë që angazhoheni dhe merrni pjesë në kurse të tilla edhe nga qendra të kurseve në Shqipëri. E shikoni këtë zhvillim profesional si domosdoshmëri apo ka edhe arsye të tjera?


Është e vërtetë! Certifikata e parë si” Mësues digjital” është marrë nga Britich Council në bashkëpunim me ASCAP në Shqipëri e më pas dy certifikata nga Shkolla e Drejtorëve për këtë tematikë dhe 5 module me nga 3 orë secila nga e Twinning Albania (ku dhe jam koordinatore) etj. 


Patjetër që e shikoj si domosdoshmëri këtë lloj kualifikimi. Arsimi po kalon në një dimension tjetër dhe nevoja e dikton përshtatjen me të mësuarit nëpërmjet teknologjisë. Risitë në arsim dhe zhvillimi profesional janë bashkudhëtarë të përjetshëm për mësuesin. Besoj edhe pas pandemisë mënyra e  përcjelljes së informacioneve te nxënësit ka ndryshuar dhe teknologjia është pika më e fortë.



Sa mendoni se do t’ju shërbejnë këto kualifikime për vitin shkollor që po vjen?


Sigurisht që janë shumë të vlefshme për mua dhe për mënyrën se si do të realizojmë mësimin këtë vit shkollor, i cili ka gjasa të jetë sërish një sfidë më vete. Së pari në punën e përditshme më nxënësit, më pas në shpërndarjen e përvojave në Ekipin lëndor në shkollë, më pas si mësuese mentore me praktikantët e mi dhe pse jo këto njohuri të mundem t'i shpërndaj dhe më tej. Në platformën ClassDojo unë kam marrë titullin School leader dhe aty mund të jap ndihmesën time në trajnime apo menaxhimin e web-it të shkollës nëse do të arrijmë ta implementojmë pasi është akoma herët për të vendosur. Shumë tematika të zhvillimit profesional diskutohen në Rrjetin profesional.



A mund të ndani me ne disa sugjerime apo përvoja në këtë drejtim.


Çdo shkollë së pari duhet të unifikojë platformën që do të përdorë si fillim. Përdorimi i një platforme kërkon një organizim të tërë digjital (dokumentacioni shkollor, stafi etj.) të cilin shkollat në vendet e zhvilluara e kanë pasur gjithmonë. Fillohet me një plan pune vjetor nga drejtoria (posaçërisht për punën me platformën), ku përfshihen të gjitha veprimet apo aktivitetet që kërkohen. Drejtoria në bashkëpunim me personin që do të menaxhojë platformën në baze shkolle dhe me mësuesit mentorë, e fillon më herët punën. Trajnohet stafi, ngrihet platforma me të dhënat e shkollës dhe punohet për realizimin e materialeve të sigurta sipas programeve lëndore. Secila shkollë ka specifikat e saj ndaj dhe mënyra e organizimit mund të jetë e ndryshme. Çdo mësues duhet të trajnohet për përdorimin e platformës në detaje por edhe për mënyrën se si mund të realizojë materiale mësimore efektive dhe për mënyrën se si të organizojë punën e tij në sinkron dhe në asinkron.



Çfarë prisni të ndodhë këtë vit shkollor?


Edhe pse rikthimi fizik në shkolla do të ishte alternativa më e mirë për mësuesin dhe nxënësit, parashikimet janë që ne mund të zhvillojmë një mësim të alternuar (blended learning) mes mësimit fizik dhe atij në distancë (remote learning), por edhe mund të ketë kthim 100% në mësimin online. Mësuesit kanë treguar që dine t’i përballojnë sfidat, dinë të përqafojnë shpejt të renë. Tashmë është krijuar një feedback mbi bazën e të cilit mund të përmirësojmë punën tonë, mësuesit kanë një repertor materialesh mësimore. 

                 


Këshilla juaj për kolegët?  


Distanca nuk duhet të na ndajë as me nxënësin dhe as me prindin. Të qëndruarit të lidhur tashmë është më e rëndësishme se kurrë. (Staying connected is more important now than ever. Bonny) Ramirez-teacher.  Mësuesi është ai që i bën gjërat më të lehta, në një mënyrë ose në një tjetër.

         


Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,300 Lexime
1 muaj më parë