Si të jesh drejtues i suksesshëm?

Model platforme për drejtimin e shkollës

Duke qenë se të gjithë ata që aspirojnë pozicionin e drejtuesit të shkollës, duhet me patjetër të paraqesin në Komisionin e Vlerësimit platformën e bashkëqeverisjes së institucionit shkollor, njihemi me një model platforme drejtimi.

Cilësi arsimimi dhe klimë suksesi - përzgjedhje profesionale dhe elitare - funksion bashkëqeverisës - lidership transformues


Duke qenë se të gjithë ata që aspirojnë pozicionin e drejtuesit të shkollës, duhet me patjetër të paraqesin në Komisionin e Vlerësimit platformën e bashkëqeverisjes së institucionit shkollor, njihemi me një model platforme drejtimi i cili ka rezultuar tepër produktiv në shkollën që kam drejtuar.


Menaxhimi i shkollës

(Funksionimi i strukturave të saj)

(Platforma për drejtimin e shkollës)


Shkolla - tempulli i  dijes  dhe qytetërimit të shoqërise njerëzore, rrugëtimi i gjithë  hierarkisë së vlerave të jetës për kapitalin human.


Ështe mësuesi lideri i arsimit i cili me performancën e tij rrezaton dije, qytetari, mirësi ku përveç kualifikimeve, atij së pari i duhet të jetë edukator, organizator dhe profesionist për mirëmenaxhimin e organizimit të nxënësve dhe rritjen e cilesisë së arritjeve të tyre.

Për të qenë kjo pamja reale e shkollës sonë dhe një qasje produktive e gjithë   komunitetit ku jemi të përfshirë, duhet të evoluojë një vizion i ri dhe një plan strategjik afatgjatë me ndërhyrje operacionale. 


Pra, ndryshimi është parimi bazë i ekzistencës sepse shumë nxënës nuk e duan shkollën ose dalin keq në mësime.


Përgjatë përvojës sime në arsim kam evidentuar një tërësi çështjesh thelbësore që kanë lidhje  direkte  me cilësinë e formimit të nxënësve si  qytetar së pari dhe, si njeri i ditur së dyti.

Sipas këndvështrimit tim ekziston kjo pamje:

Pikat e forta 

1- Ka mësues që   punojnë  me përgjegjshmëri të  lartë  dhe  me  metoda bashkëkohore.

2- Prindërit janë  të  interesuar për  cilësinë   e shërbimit  të fëmijëve të tyre.

3- Nxënësit  vijojnë rregullisht në  shkollë.

                                                       

Çështjet 

- Mësuesit trajtojnë nxënësit me respekt, me dinjitet, pa presione, pa paragjykime, pa padrejtësira. Përkujdesen për mbarëvajtjen e nxënësve  dhe vetëvlerësimin e tyre.

- Prindi kujdeset që  fëmija i tij të ndjekë rregullisht institucionin , merr pjesë në takime për fëmijën e tij.

- Nxënësit janë të interesuar për vijimësinë shkollore.


Pikat e dobëta

1- Mungojnë kushtet e sigurisë, të shëndetit dhe të  mjedisit të institucionit.

2- Mungon vlerësimi, zhvillimi dhe kualifikimi i brendshëm në shkollë.

3- Organizmat e institucionit arsimor funksionojnë formalisht, vetëm për objekt dosjesh.


Çështjet

- Shkolla është e parrethuar, mungon infrastruktura e domosdoshme për të zhvilluar orët mësimore me mjete didaktike, siç janë lëndët ekzakte dhe edukimi fizik, pra nevoja që përgjigjet njësia bazë e qeverisjes vendore dhe DAR.

- Nuk është i pranishëm shërbimi psiko-social dhe shërbime të tjera që janë përgjegjëse, DAR dhe organe të caktuara.

- Në shkollë mungon nxitja dhe pjesëmarrja e mësuesit në rrjetet profesionale, nuk organizohen shkëmbime përvojash të mësuesve më me përvoje te mësuesit me më pak përvojë, edhe pse ka modele mësuesish të suksesshëm me rezultate të larta të nxënësve.

- Vlerësimi i brendshëm është vetëm një përmbledhje tabelash rutinë dhe jo gjithëpërfshirje etapash nga te gjithë  mësuesit e shkollës për të përcaktuar instrumentet e duhura për  çdo fushë që do të kryhet vetëvlerësimi.

- Nuk përdoren fushat, treguesit dhe instrumentet standarde të njëjta me ato që përdor vlerësimi i jashtëm.

Nuk zhvillohen teste nga drejtoria , pyetësorë me nxënësit dhe prindërit.

- Organizmat e shkollës,si forma të zhvillimit të brendshëm profesionale të institucionit  arsimor nuk trajtojnë çështje të integrimit lëndor/ndërlëndor , nuk diskutojnë aspekte të praktikave të përditshme profesionale të mësuesve,nuk 

shqyrtojnë  praktika dhe përvoja të suksesshme të kolegëve dhe ato vendase apo të huaja.

Pra, nuk ka një program veprimtarish,qoftë edhe  afatshkurtra:

Mungon kultura e marrëdhënieve dhe e kurrikulave sociale.

Pra, ndryshimi është  i  vetmi proces nga i cili përfitojnë të gjithë aktorët e komunitetit: nxënësit , prindërit dhe vetë stafi pedagogjik nëpërmjet transformimit dhe jo modifikimit.


Vizioni im

Model i bazuar në  aktorët e ndryshimit duke përfshirë zhvillimin, transmetimin dhe zbatimin e imazhit të dëshiruar.


Parimet

- Drejtim strategjik.

- Besimi se shkolla është institucioni ku  i riu  formohet dhe integrohet.

- Vlerësimi i burimeve njerëzore si aktorë të ndryshimit të pandërprerë.

- Bashkëpunim konstant  duke qenë dëgjues dhe komunikues.

- Të qenit proaktiv për të marrë përsipër çështje të rëndësishme edhe pse mund të jenë të vështira.

- Aftësia për të interpretuar drejt, organizuar e detajuar veprimet sipas aftësisë të secilit.


Standardet

1- Ndryshim në menaxhimin e mësimdhënies dhe të nxënit për të  ndryshuar modelet e organizimit  të punës me nxënësit për rritjen e cilësisë  së arritjes së tyre.

- Për këtë sigurohet që ky vizion të shprehet, të kuptohet qartë, të ndahet me gjithë komunitetin dhe të mbështetet nga të gjithë.

Ngrihen grupe pune  me mësuesit më  proaktive për të dhënë  modele  e teknika bashkëkohore të mësimdhënies duke monitoruar ecurinë e procesit.


2- Drejtim të mësimdhënies e të nxënit

-Do të  thotë nxitje e vlerave të fshehta të nxënësve duke menaxhuar mendimet e tyre.Monitorohen,vlerësohen dhe rishikohen praktikat e mësimdhënies në klasë dhe sigurohen strategji  të  përmirësimit të tyre.

Kështu, nxënësi nuk mbetet thjesht një objekt i arsimit, por një përmbajtje sociale e aftë të nxisë, gjykojë, të japë mendim për të reaguar si qytetar dhe për t'u bërë i vetëdijshëm për të marrë menaxhimin e jetës së tij.  

Është pikërisht kjo strategji që sjell pritshmëri në vlefshmërinë e nxënësve dhe gjithpërfshirje në të gjitha nivelet sociale të tyre në kultivimin e pandërprerë të mësimdhënies së pandarë nga edukimi.


3- Zhvillim personal dhe ndërpersonal

Gjithpërfshirje e stafit në hartimin dhe zbatimin e praktikave të shkollës, nxitje e kualifikimit vetjak të personelit  përmes angazhimit në punë sidomos mësuesit e rinj apo pa përvojë.Ndërtohet një kulturë bashkëpunuese  brenda shkollës  duke pranuar përgjegjësitë dhe nxjerrë në dukje aritjet e individëve dhe grupeve  për të dhënë detyra  për përmirësim.

Mbështeten me përgjegjësi organizmat e shkollës  për  të funksionuar në mënyrë dinjitoze ku përveç integritetit të tyre të mos mungojë vlerësimi,promovimi i vlerave dhe socializimi i marrëdhënieve mësues-nxënës, mësues-prind, mësues-mësues, nxënës-nxënës, prind – nxënës.

Duke instaluar përvoja të tilla, nxënësi nuk do të ndjehet më rob i notës, por i dijes si  themeli kryesor i formimit të kapitalit human.


4- Menaxhimi i shkollës

Angazhim total në skanimin e problematikave  të  institucionit, sigurimi i analizës së të dhënave dhe interpretimi korekt  i rezultateve.

Menaxhim i drejtë i stafit dhe nxënësve. Të mos mungojë motivimi personal dhe i gjithë mësuesve. Bashkëpunim me aktorët e tjerë për të forcuar kapacitetet organizative të shkollës. Pra, jo apati, jo mpirje konceptuale, por një frymëmarrje e re sociale.

Gjithpërfshirje, duke filluar nga arsimi parashkollor dhe cikli i ulet, ku fëmija apo nxënësi njihet dhe vendos për herë të parë konceptin bazë të shtyllave të shtetit, për të qenë përgjegjës në veprimet ,sjelljet dhe qëndrimet e tij përkundrejt institucionit dhe menaxhimit të jetës vet. 


5- Etika profesionale

Besimi në demonstrimin e vlerave  të mësuesit duke qenë modeli më me vlera absolute i imazhit ,qëndrimeve dhe besimeve për nivele të larta të arritjes së nxënësve.

Krijimi i një mjedisi ku respektohet kodi i etikës së mësuesit duke trajtuar të tjerët me respekt, drejtësi e dinjitet.

Motivimi dhe puna gjithpërfshirëse për të krijuar klimë pozitive duke mbrojtur të drejtat dhe raportet konfidenciale të nxënësve dhe të stafit.


6- Krijimi i një komuniteti bashkëpunues.

Negociata me të gjithë aktorët e mundshëm, institucione qeveritare e joqeveritare për mirëqenie shpirtërore, morale, sociale, emocionale e kulturore të nxënësve për të qenë në një mjedis të sigurt fizik, social dhe të shëndetshëm.

Për të realizuar çdo linjë të standardeve të përcaktuara, ngrihen grupe përkatëse sipas profilit në bazë të aftësive të secilit, duke përcaktuar programin, veprimet dhe pritshmëritë.

Pra, të marrësh përgjegjësi dhe të justifikosh vleresimin e njerëzve që besojnë tek ty, do të  thotë: Të jesh- të bësh, Vlera të lindura e të fituara, Qëndrime e sjellje të caktuara, Veprimtari të qarta, Arritje!!!


Konceptoi: Dhurata Agalliu (mësuese) 


(Portali Shkollor)

15,494 Lexime
5 vjet më parë