Mos nxitoni t’i etiketoni fëmijët: Ditët e para të shkollës kërkojnë durim, jo presion

Javët e para të shkollës nuk janë për etiketime, por për përshtatje, besim dhe mbështetje. Një mësues i arsimit fillor ngre pikëpyetje mbi mënyrën si e presim fëmijën në shkollë dhe propozon ndryshime për një arsim më njerëzor, gjithëpërfshirës dhe pranë nevojave të tij.

Nga një mësues dhe edukator i arsimit fillor


Jemi vetëm në javën e dytë të shkollës. Kanë kaluar vetëm 10 ditë dhe është normale që stresi të jetë i lartë te mësuesi, te prindi dhe te vetë sistemi shkollor. Por le të mos harrojmë se ai që e përjeton më fort këtë ndryshim është fëmija, veçanërisht nxënësi i klasës së parë. Për të gjithçka është e re dhe kërkon kohë për t’u përshtatur. Në ditët e para të vitit shkollor dëgjojmë shpesh vlerësime të nxituara: “Nuk ndjek”, “Nuk është i vëmendshëm”, “Nuk lexon”, “Nuk shkruan”, “Nuk shoqërohet”. Janë shqetësime reale që hasim çdo ditë në klasë, por si mësues dhe edukatorë duhet të kemi kujdes që ditët e para të mos kthehen në ditë etiketimi.


Fëmija mëson duke ecur ngadalë, jo duke vrapuar.


Fillimi i shkollës është një periudhë përshtatjeje. Për një fëmijë, hyrja në klasë nuk nënkupton vetëm fillimin e procesit mësimor, por një  proces ku ai njeh mjedisin e ri, krijon marrëdhënie të reja, kupton rregulla dhe ndërton besim te vetja. Kjo kërkon kohë.


Si mësues të arsimit fillor, e dimë mirë se leximi, shkrimi, komunikimi dhe shoqërimi nuk zhvillohen nën presion. Ato zhvillohen në një mjedis ku fëmija ndihet i sigurt, i pranuar dhe i mbështetur. Kur nxitojmë të gjykojmë atë që ai ende nuk arrin të bëjë, rrezikojmë të mos shohim potencialin që po ndërtohet gradualisht.


Por përtej fëmijës, duhet të reflektojmë edhe për vetë shkollën. Sot, më shumë se kurrë, na mundon pyetja se çfarë lloj shkolle u nevojitet brezave të rinj?


Një shkollë që edukon nuk është vetëm ajo që transmeton njohuri. Ajo është një shkollë që di të dëgjojë, të kuptojë, të njohë dallimet dhe të ndërtojë marrëdhënie të shëndetshme. Një shkollë që shoqëron fëmijët dhe të rinjtë në një periudhë jete të mbushur me pyetje, ndryshime, pasiguri, sfida emocionale dhe kërkim të identitetit. Një shkollë ku çdo nxënës ndihet i mirëpritur, i vlerësuar dhe i mbështetur në rrugëtimin e tij drejt rritjes dhe pjekurisë.


Ky nuk është një gjykim ndaj kolegëve. Përkundrazi, është një ftesë për mirëkuptim dhe reflektim profesional. Të gjithë punojmë në kushte jo gjithmonë të lehta. Klasat janë shpesh të mbingarkuara, kërkesat administrative shtohen vazhdimisht dhe koha duket gjithmonë e pamjaftueshme. Shpesh ndodhemi në pozita jo komode, ku na kërkohet të japim rezultate të shpejta përballë realiteteve gjithnjë e më komplekse. Megjithatë, pikërisht në këto kushte duhet të ruajmë thelbin e misionit tonë duke parë fëmijën përpara vështirësisë dhe potencialin përpara mangësisë.


Për këtë arsye, mendoj se ka ardhur koha të diskutojmë seriozisht disa ndryshime të nevojshme në arsimin tonë. Personalisht në disa shkrime dhe postime të mia i kam artikuluar këto ide por nga ana tjetër heshtje...pavarësisht, unë do vijojë.


Së pari, duhet të fuqizohet klasa përgatitore dhe të konsiderohet si një etapë thelbësore përpara klasës së parë. Një kalim më i butë nga edukimi parashkollor në arsimin fillor do të ndihmonte ndjeshëm në zhvillimin e aftësive sociale, emocionale dhe njohëse që u nevojiten fëmijëve për të hyrë me sukses në shkollë. End nuk e kemi një kurrikul të qartë dhe një profil të qartë për klasën përgatitore dhe në letra  ka mbetur si hallkë për nxënësit që nuk kanë ndjekur arsimin parashkollor, paçka se në realitet ka trajtime të ndryshme.


Së dyti, duhet të rishikohet koncepti i mbështetjes pedagogjike në klasë. Prej vitesh kam besuar se klasat e para kanë nevojë për një figurë të dytë mbështetëse, jo vetëm për raste të veçanta, por si pjesë organike e procesit mësimor. Një profesionist shtesë në klasë do të ndihmonte jo vetëm fëmijët që hasin vështirësi, por edhe mësuesin në menaxhimin e diversitetit gjithnjë e më të madh të nevojave dhe ritmeve të të nxënit.


Së treti, javët e para të vitit shkollor duhet të kenë më shumë karakter orientues dhe socializues sesa presion akademik. Mësimi fillon me ndërtimin e marrëdhënieve dhe jo me plotësimin e faqeve të para të fletoreve. Mjafton të bëni një pyetësor me prindërit dhe ta konfirmojnë se as ata nuk arrijnë të kuptojnë kërkesat e teksteve. Ky është një alarm i fortë që ne sa duket kemi vendosur të mos e dëgjojmë duke i mëshuar idesë së ne jemi ekspertët. Po nëse nuk e kupton prindi si do i lidhim hallkat?!


Së katërti, duhet të forcohet partneriteti mes shkollës dhe familjes. Në një shoqëri globale, ku ndikimi i teknologjisë dhe rrjeteve sociale është gjithnjë e më i madh, ndërsa prindërimi po përballet me sfida të reja dhe komplekse, shkolla nuk mund të mbajë e vetme gjithë barrën e edukimit. E them këtë me keqardhje, por edhe me përgjegjësi profesionale. Fëmijët kanë nevojë për mesazhe të përbashkëta, për bashkëpunim dhe për koherencë mes familjes dhe shkollës.


Po aq e rëndësishme është rritja e pranisë së psikologëve shkollorë, punonjësve socialë, pse jo edhe të logopedëve dhe specialistëve të tjerë, në mënyrë që vështirësitë të identifikohen herët dhe të trajtohen në mënyrë profesionale.


Fëmijët e sotëm po rriten në një botë ndryshe nga ajo që kemi njohur ne. Për këtë arsye, edhe shkolla duhet të evoluojë. Nuk mund të vazhdojmë t'u kërkojmë fëmijëve të përshtaten me një sistem që shpesh nuk është përshtatur ende me nevojat e tyre.


Prandaj, mesazhi im për kolegët, prindërit dhe vendimmarrësit është fare i thjeshtë:


Mos të nxitojmë të kërkojmë rezultate të menjëhershme. Le t'u japim fëmijëve kohë, mbështetje dhe besim. Arsimi cilësor nuk ndërtohet mbi shpejtësinë, por mbi zhvillimin e qëndrueshëm. Fëmijët nuk kanë nevojë për mësues që i shtyjnë të vrapojnë, por për edukatorë që ecin pranë tyre derisa të jenë gati të ecin vetë.


Këto ditë nuk janë për të vendosur etiketa, por për të ndërtuar besim, siguri dhe mbështetje. Në fund të fundit, fëmija ka nevojë më shumë për durimin tonë sesa për gjykimin tonë.


Një fjalë kam edhe për prindërit. Fëmijët kanë nevojë për praninë dhe kohën tuaj, jo vetëm për t'u veshur mirë, për t'u ushqyer apo për t'u dërguar me makinë në shkollë. Asnjë mjet, asnjë telefon dhe asnjë komoditet nuk e zëvendëson bisedën, dëgjimin, përqafimin dhe interesimin e sinqertë për atë që fëmija po përjeton çdo ditë në shkollë.


Po aq i rëndësishëm është edhe mesazhi për shtetin dhe vendimmarrësit. Arsimi nuk përmirësohet vetëm duke investuar në pamjen e jashtme të shkollave. Ai përmirësohet kur investohet në brendinë e tyre: te mësuesit, te psikologët, te logopedët, te punonjësit socialë, te mbështetja pedagogjike dhe te mirëqenia e fëmijëve. Shkolla ka nevojë për politika të qëndrueshme dhe afatgjata, jo për iniciativa të përkohshme që ndryshojnë nga viti në vit dhe humbin vazhdimësinë e tyre.


Fëmijët e sotëm meritojnë një shkollë më njerëzore, më mbështetëse dhe më pranë nevojave të tyre reale. Sepse suksesi i një fëmije nuk matet nga sa shpejt arrin të ecë përpara, por nga sa i sigurt ndihet gjatë rrugës së tij të të nxënit. Dhe pikërisht aty fillon edukimi i vërtetë.




© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

236 Lexime
3 orë më parë