libri

Motivimi për të lexuar vepra letrare

Motivimi nënkupton sistemin e nxitjeve, shtytjeve apo cytjeve të aktiviteteve intelektuale, emocionale, sociale e motorike

Ai është faktor kryesor i mësimdhënies dhe nxitës, i cili e shton aktivitetin e nxënësve, interesimin dhe vullnetin e tyre. Andaj, jo rrallë thuhet se mësimdhënësi i mirë i tërheq nxënësit sikur magneti thërrmijat e atomit. Qëllimi i mësimdhënies është të identifikojë shkallën e motivimit për lexim te nxënësit, të gjejë faktorët që i nxisin ata për të lexuar dhe t’i shohë rastet kur ata arrijnë të përjetojnë veprën letrare. 


Bota e teknologjisë me kompjuter, tableta e celularë inteligjentë ka bërë që leximi i librit të kalojë në plan të dytë. Ky problem global është më i përhapur te fëmijët. Duke marrë parasysh këtë fakt mësuesi duhet të jetë model, i cili lufton këtë problem global dhe arrin të ndezë shkëndija për t’i motivuar ata duke u bërë model leximi. 


Prindërit mund të ushqejnë te fëmijët dashurinë për librat duke u lexuar që kur janë foshnje. Fëmijët, të cilët krijojnë zakonin e të lexuarit jo vetëm që bëhen lexues më të mirë, por gjithashtu arrijnë rezultate më të larta.


Megjithëse motivimi është i vogël, janë disa mënyra interesante të nxitjes së nxënësve për të lexuar. Motivimi i nxënësve për lexim, duhet të ushtrohet derisa nxënësit të kenë formuar shprehitë për lexim aktiv krijues, derisa të shfaqin interesime, motive të brendshme, shpirtërore, për posedimin dhe për leximin e librave të rinj. Kjo do të arrihet kur arsimtari iu prezanton nxënësve të tyre, kur lexon para nxënësve fragmente, që do të zgjonin kureshtjen dhe interesimet e tyre për ta blerë dhe lexuar librin e ri, kur bashkërisht me nxënësit viziton libraritë dhe panairet, kur i njeh nxënësit me pamjen e librit dhe të autorit të tij, kur respekton dëshirën e tyre që libri të jetë me ilustrime pasi ashtu mbajnë mend më gjatë. Përveç mësuesve edhe prindërit mund t’i motivojnë fëmijët e tyre për të lexuar, duke lexuar bashkë me fëmijët duke imituar personazhet, duke i ofruar atyre një vend me shumëllojshmëri materialesh leximi: libra, revista, gazeta, atlase, broshura udhëtimi, fjalorë enciklopedikë.


“Asnjë njeri nuk mund të kuptojë një libër të thellë përderisa nuk ka parë dhe jetuar së paku pjesë nga përmbajtja”, thotë Ezra Pount. Leximi i librit që në fillim duhet të sjellë risi dhe me to të joshe nxënësin të vazhdojë të thellohet në njohjen e ngjarjes, të motivit kryesor, të tipareve të personalitetit të personazheve, të krijojë përfytyrim për pamjen e tyre.


Parimi i motivimit të nxënësit për lexim kërkon informim dhe përcaktimin e objektivave të qarta dhe të realizueshme lidhur me veprën, të cilën do ta lexojë. Nxënësi duhet të jetë i vetëdijshëm se realizimi i objektivave të parashtruara do t’i ndihmojnë të kuptojë, përjetojë dhe interpretojë të mirat sociologjike, psikologjike dhe morale që ofron vepra; do t’i ndihmojnë të kuptojë botën e tij emotive, të zhvillojë aftësitë mendore, të formojë kulturën aktive gjuhësore edhe në formë të komunikimit me gojë dhe me shkrim. Leximi sistematik dhe i vetëdijshëm mundëson inkuadrimin e suksesshëm ne rrjedhat e civilizimit njerëzor.


(Alberita Shala, studente e nivelet Master pranë Fakultetit të Edukimit në Prishtinë. Dega: Mësimdhënie e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe).


(Portali Shkollor)

7,560 Lexime
5 vjet më parë