Reflektim

Myrto Hysaj: Sa të rrosh, do të mësosh!

Përmes shkrimit “Sa të rrosh, do të mësosh”, mësimdhënësi dhe shkrimtari Myrto Hysaj tërheq një paralele mes kohës kur ai ishte fëmijë dhe kohës së sotme kur është mësues i gjeneratave të reja. Ai bën disa krahasime të situatave që ishin aktuale dhe të pranueshme atëherë, me situata të tanishme.

"Privatësi" duam të gjithë, por në orientim


E kisha menduar si të tejkaluar të kuptuarit e çdo didaktike apo elementi plotësues të tyre, në procesin e edukimit. Sa vite jam sjellë deri në shprishje të fijeve që kanë thurur litarin ku tërhiqja përvojën time, madje dhe brezave para meje.Të jem i sinqertë me veten time, kam prekur dhe kam përvojë të ofruar nga OJQ apo dhe trajnime me bazë pesë-, dhjetë- deri dhe njëzetvjeçari. Rrugëtim individual dhe në grup deri në mbetje udhëkryqi. Por jo zhgënjim apo verbëri sa të mos ia besoj vetes kush isha në përfytyrimin e asaj të shkuare dhe ç’mund të jem apo të bëhem edukatori apo mësimdhënësi i këtij shekulli me "xhakovento" mbi bluzë të bardhë...!


Madje dhe në orët mbas dreke, qoftë në momente vetmie apo me ndonjë mik, kemi pyetur se kush i përgatiti ata breza që sot janë: mjekë, arkitektë… deri dhe mësues...?! Pse jo edhe të këtyre edukatorëve që më solli te ndjesia e këtij shkrimi.


Reagim përmes shkrimit reflektues. E mendoj se së pari e ndiej ndaj vetes këtë reflektim e më pas në emër dhe të përfaqësimit të asaj kohe ku bëmë përpjekje të edukonim me shembullin e mirësisë, të arritjes dhe të motivimit që: "E nesërmja mësohet nga e sotmja!". Mjaft kemi lënë bluzë të bardhë në varëse te cepi i Këshillit pedagogjik. Po e kërkoja veten te mësuesi i para disa viteve, kur dhe te ditë feste, fillim i Vitit shkollor, përvjetor nëntori, dhjetori, marsi apo qershori s'na zinte vend mendja as këmba sa te një klasë, grup apo individ, për të përgatitur jo vetëm aktivitete apo ekskursione argëtuese për klasën a shkollën, por dhe përtej deri te kombëtaret.


                      "Po sot nxënës e shkollë e dashur, kush je?


                      Porsi stendë e hartë, shtrimë përdhe.


                      Të sillen rrotull mjegullnajë të kohës.


                      Pak nga qiell i yt,shumë nga qiell i botës."


I mbetur tek udhëkryqi mes brezave, mendësive, përvojave, e binda veten të mbaj bluzë të bardhë dhe pse të holluar nga pluhuri larës, ku dallohej lehtë dhe model celulari "Nokia". Ishte ditë feste. Dola nga "Drejtoria" ku bënim sikur "qanim" hallet e gjithë parlamentit e në të vërtetë dhe shkumësat na i kishte lagur curril shiu në cep të këshillit. Ça t'i bësh djalit të Ganes që i "qanë" makiatot te kafeneja në anën përtej shkollës. Djali i saj Çarti nuk ka faj pse kalojnë pak shpendë këndej nga çatia e shkollës! Menjëherë u afrova te grup i nxënësve që hidheshin e pështilleshin më shumë mes dyjëzim melodish. Çartini, nxënësi i kl.8-të të fuste tek aparat elektronik/Dixhej/USB me preferenca hip-hop-hap. "Ec dhe mos u ndal". Sytë me shkuan te Thartina elegantja e kl. së 7-të, e veshur si balerinë. Mirë që ra pak ritmi i haresë sa për t'i pyetur se mos kishin dëshirë për ndonjë USB me këngë të paktën shqip. "A të përgjigjet guakëri e kohës?!"


Dola sikur të mos kisha hyrë. Më paska vënë re mësuesja kujdestare e kl. 8-të  Bela. Ajo që nga marrja e pesëvjeçarit vitin e shkuar, kishte mësuar fort mirë kuptimin e fjalës "privatësi". Pa m'u larguar mjegullnajë e ngritur nga "privatësi" nxënësish tek aktiviteti, më bëri një shpërlarje truri dhe kolegia e nderuar. Më afroi kulturën e saj bashkëkohore po aq dhe "internacionale" përzier me shkolloren te kurset private me progresion bashkëkohor. Si me krenari theksoi shprehjen: “Lëri mësues...duan privatësi”. Po pyesja veten: pse neve s'na e kishin mësuar fjalën "privatësi" as te kualifikimi i njëzetvjeçarit? Brezi ynë patjetër e respektuam këtë privatësi përmes një monitorimi duke "futur" te gjak i shkollarit dëshirën për shkollim, kulturë dhe paqe. Respekt njerëzor, prindëror për mësimdhënësin, për njëri-tjetrin e patjetër fjalor të pastër dhe miqësor!" Dola nga çastet shkollore dhe po prekja kujtime të largëta. Nga imazh fëmijërie te kohë e dikurshme veçova episod: "Po luanim në oborrin para shtëpisë. Jetonim bashkë me xhaxhallarët. Nga dritare e katit të dytë u dëgjua zëri i babait. Jo vetëm unë, por dhe shokët e mi të lagjes,e ndaluam lojën. Pa i mbaruar mirë fjalët babai, unë bashkë me Xenin, shokun e klasës, shoqëruam Dalinën, nusen e Belit,  vëllait të madh. Ajo duhej të shkonte te burimi. Jetën e saj deri te nusëria e kishte te mëhalla andej "Urës së Vashës". Na duhej t'i tregonim rrugën përtej përroit. Atje ku rrëzë një rrase shkëmbore buronte ujët si kristali i ftohtë. Aty rrinte bujarisht dhe një enë xingati që vezullonte nga rreze dielli sa për t'i orientuar kalimtarët e etur! Nga ujët e atij kroi ishin rritur disa brezni.


Rituali i të mësuarit të rrugës ishte nga një përvojë e kthyer në traditë. Dhe ne duhej t'ia mësonim atë çfarë dinim kujtdo, jo më njerëzve tanë të një tryeze. Duhej patjetër një herë e parë dhe nuses t'ia mësonim rrugëtimin te kroi, se më pas dhe burimin mund ta sillte te shtëpi e madhe me shumë kurorë! Pa u shkëputur te meditimi fëmijëror, dëgjova një zë të njohur që vinte mes një jehone vallejeje. Ishte nxënësja e kl.9-të Sidrita që po më ftonte t'i bashkohesha valles tradicionale "Kuq e zi". Kuq e zi gjithë Shqipëria. E si të mos shkoja tek ajo valle ku e kishim hedhur dhjetëra vite mësues-nxënës! Ndërsa mësuese Ylberja zgjodhi të shkonte mes kohës së saj me shi e diell.


Ndoshta nxënësit e aq më shumë dhe fëmijët e mi, mund të ishin si fëmijët e sotëm.Se vërtet atëherë nuk garonin me Smartfonë, por me një Plejstejshën. Gjithsesi Supermarion e sfiduan me "Harry Potter"-in. Përherë e mendonim madje dhe sot e mendojmë, se për te uji i JETËS fëmijët, e aq më shumë shkollarët, duhet orientuar! Privatësi dhe pa dashjen tonë i duhet gjetur orientim për te rrjedhë e kohës. E mendoj se me butësi, mirësi dhe buzëqeshje të sinqertë shkollarët së pari t'i drejtojmë mes rrjedhës së diturisë, më pas te privatësia që përmes pasioneve dhe ëndrrave të tyre të vënë në lëvizje "turbinë" ku ua dritëson ardhmërinë!

Nga Myrto Hysaj, mësues Gjuhë shqipe - Letërsi 


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,036 Lexime
2 vjet më parë