Letër vajzës

Në kërkim të një fjale për vajzën time dhe gjeneratën e saj...

"Nëse prej mbi 20 viteve arrija të perceptoja tablo reale të së shkuarës dhe të së ardhmes të më ngjizeshin në një figurë të vetme dashurie, tani kisha luftën e fortë midis reales e virtuales që po më mbyste dhe po më luftonte pasurinë time: fjalën."

Kam gërmuar gjatë brenda vetes për të gjetur fjalën e duhur. Çdo vit që shkon ka qenë një ikje dhe në çdo ikje unë kam kërkuar brenda vetes të përcjell një fjalë dashurie e lamtumire të denjë për kujtimet që TI dhe JU latë brenda meje. Por ndërsa gërmoja e gërmëzoja, padashje po kuptoja që virtualiteti po më mundte.

Nëse prej mbi 20 viteve arrija të perceptoja tablo reale të së shkuarës dhe të së ardhmes të më ngjizeshin në një figurë të vetme dashurie, tani kisha luftën e fortë midis reales e virtuales që po më mbyste dhe po më luftonte pasurinë time: fjalën. Isha unë problemi, apo ishin raportet tuaja që më ngatërronin kaq dukshëm? Atëherë vendosa të nis këtë pusullë të çuditëshme duke e mbarsur me pyetje, që për shkak të moshës, ju do të arrinin t'i lindni shumë vonë.

Ku po jetoni ju? Ju dridhet dora kur prekni gishtërinj të dërsirë nga vrulli i gjakut që shkallmon zemrën? E keni provuar regëtimin e zemrës kur dëgjoni hapat e frikësuar të dikujt që përpëlitet t'ju pëshpëritë? I keni ngatërruar fjalët kur përballë, fare pranë frymës suaj janë dy buzë që sa e sa net i keni parë në ëndërr? Dhe në fund të fundit, shihni ëndrra?

Jo.

Çdo ditë prodhohen emocione. Emocione sintetike. Dufma dhe shkulmë gjaku sajuar në dhoma të zhveshura me ngjyra të bardha si zbehtësia e hiçit.

Zhurmë reklamash, të shndërruar në fuqi shfarosëse që pastrojnë dhe shpëlajnë trurin në një luftë psikologjike të pushtetshme si vlera që ato kanë.

Trajnime fjalë boshe në formën e mediave audio-vizive, për të të bindur se ekziston ajo që ti nuk e sheh dhe të jep jetë ajo që ti nuk e ndjen dhe nuk e kupton. Shkurt, të bën të gatshëm.

Substanca të fabrikuara, që në pamundësi të devijojnë trurin si materie, devijojnë mendimin duke e zhveshur atë nga ideja.

Mëhalla fjalë-llogjesh nën emrin e bukur "rrejte sociale", të izoluara në katërkëndësha me ngjyra joreale dhe të kontrolluara deri në qelizë.

Ku po jetoni? I dhatë kaq pushtet 0 (zero) dhe 1 (një), duke e zhvendosur jetën tuaj, nga vatra e ngrohtë me zjarrin ku i ruheshe shkëndijave se mos të përcëllonin këmbën brenda çorapes së leshtë, tek amullia binare, ku s'di nëse fqinji yt është ati yt a anasjelltas. Kjo po ju shtrin në përgjumjen më të zezë që ka njohur historia e njerëzimit. Sepse edhe gjumi, si ëndrrat, po digjitalizohet.

Frytë muskujt me OMGJ dhe pastaj frytë barkun. Dhe si për ironi të fatit, shpikët ëndrrën BIO, sikur të mos ishim ne vetë që e kishim përdorur dhe pastaj vrarë.

Do të kisha dashur t'ju kujtoja duke rendur rrugëve të kalldrëmta të qytetit tonë në kërkim të xixëllonjave. Por ime bijë qesh dhe më thotë: Oh sa e lashtë... jemi 18 vjeç mam... Jeni 18 vjeç.. (megjithëse nuk lindët 18..). Po, mirë, ju 18-vjeçarët hajt, rendni pas vajzave!

Në fakt, ju rendni virtualisht pas shpikjes së rradhës, duke na bërë të fajsojmë kukullën e fillim viteve 2000, dhe të njëjtësojnë ngjyrën e verdhë më kotësinë dhe boshllëkun.

Ku po shkoni?

Gjithçka dhe shumë shpejt po i largohet reales, duke e zhvendosur ekzistencën në virtualitetin kotës, bosh dhe pa kurrfarë vlere njerëzore.

Nëse kjo është teknologjia, unë heq dorë. Nuk do të doja të kishte ardhur kurrë. Sepse më vrau pasurinë time, fjalën. 

(Nga: Natasha Shuteriqi Poroçani)

7,522 Lexime
8 vjet më parë