PËR MËSUESIT

"Ne mësuesit, nxënës të përjetshëm të jetës"

Mesazhi që unë dua t’i jap mësueve të rinj është që, ky profesion bëhet në radhë të parë me dashuri dhe mos pushoni kurrë së qenuri nxënës, nxënës të jetës, dhe mos u lodhni kurrë së shfletuari dijet e reja dhe bashkëkohore.

Prej dy dekadash, mësuese Valbona Imeraj punon si mësuese e arsimit fillor në shkollën “Dëshmorët e lirisë”, në Tiranë. Ka qenë pikërisht kjo shkollë ku mësuese Valbona filloi punë për herë të parë, e gatshme për t’i përçuar dije brezit të vogël, e që atëherë, për gjithë këto vite nuk ka ndalur së punuari për këtë mision. 7 Marsin e saj të parë e kujton si një surprizë të mrekullueshme, të mbushur plot me emocione, sepse nuk e priste mirënjohjen e nxënësve karshi saj që në vitin e parë të punës.


“Nuk e di akoma se çfarë kisha bërë për të merituar atë mirënjohje që fëmijët më shprehën për 7 Mars, duke më uruar me lule apo kartolina, që përmbanin urime nga më të ndryshmet. Aty kam kuptuar ndoshta për herë parë që puna ime nuk është thjesht dhe vetëm mësimdhënia, por mbjellja e dashurisë dhe kultivimi i dashurisë në shpirtrat e nxënësve të mi.”


Marrëdhënien me nxënësit e 20 viteve si mësuese, ajo e cilëson të shtrenjtë, ku mbizotëron respekti dhe dashuria. “Vazhdoj të kem marrëdhënie të mrekullueshme me të gjithë nxënësit që unë kam pasur fatin dhe mundësinë që t’i kem nxënësit e mi. Nuk ka asnjë lloj limiti kohor, pavarësisht se mund të kenë kaluar shumë vite pas përfundimit të studimeve; ata mund të kenë shkuar nëpër shkolla të tjera apo në rrugët e jetës së tyre, ne vazhdojmë të mbajmë marrëdhënie me njëri-tjetrin, marrëdhënie të respektit dhe dashurisë. Kjo tregon atë çfarë mund të bëjmë ne mësuesit me nxënësit. Ne mbjellim tek ata dashuri, që është e pamundur të zbehet, madje me kalimin e kohës sa vjen e forcohet edhe për shkak të nostalgjisë, që luan rolin e saj, të gjithë viteve që kanë kaluar e që nuk kthehen më.”

Kur e pyes për urimin më të bukur që ka marrë gjithë këto vite, ma merr mendja që nuk ka një të tillë, por shumë. Sepse çdo nxënës në vetvete është i veçantë. “Urimi më i bukur që mua më bëhet çdo 7 Mars është mirënjohja! Në fakt, mirënjohjen e tyre ma shprehin çdo ditë, janë ata sytë e mrekullueshëm që rrezatojnë lumturi kur më shohin mua përgjatë gjithë kohës, edhe gjatë pushimeve të verës ose atyre dimërore, apo edhe kur kanë mbaruar ciklin e studimeve me mua. Është një lloj shkëlqimi i veçantë i syve që shpreh lumturi, mirënjohje, dashuri të pakufishme. Jam vërtet me shumë fat për këtë profesion që bëj e që kam zgjedhur”, më tregon mësuesja. “Për kaq kohë sa kam punuar si mësuese kam krijuar marrëdhënie të veçanta me të gjithë nxënësit. Ata më përshëndesin edhe kur nuk është 7 Marsi, më urojnë gjithmonë ish nxënësit e mi dhe me kujtojnë gjithmonë”, shton më tej.

Por në një ditë si kjo, nuk mund të mungojë mesazhi për kolegët e saj, e as urimi.


“Mesazhi që unë dua t’i jap mësueve të rinj është që, ky profesion bëhet në radhë të parë me dashuri dhe mos pushoni kurrë së qenuri nxënës, nxënës të jetës, dhe mos u lodhni kurrë së shfletuari dijet e reja dhe bashkëkohore. Pavarësisht se jemi mësues, duhet të jemi fillimisht nxënës të përjetshëm të jetës.”



(Valbona Imeraj për Portalin Shkollor)

5,970 Lexime
5 vjet më parë