Pyetje-Përgjigje

Nëna e katër fëmijëve, Lindita Bushgjokaj: Rikthimi në shkollë, zgjedhja e duhur

Lindita Bushgjokaj, nënë e katër fëmijëve, e intervistuar për portalin Albas, tregoi mbi vështirësitë që fëmijët e saj hasën në lidhje me mësimin online, por edhe se si është pritur nga ata ky vit shkollor. Për më tepër lexoni intervistën e mëposhtme.

Sa i vështirë ishte për ju si prind rikthimi në shkollë i fëmijës tuaj, lidhur me situatën në të cilën ndodhemi?


Vështirësia më e madhe ka qenë mosnjohja e mënyrës se si do të zhvillohej mësimi. Sa për rikthimin, ishim shumë gati si prindër. U bë një kohë e gjatë pa pasur kontakt me shkollën dhe kjo nuk është në të mirë të të nxënit të tyre.

 

Si ndiheni ju si prind, a mendoni se fëmija juaj do të jetë i sigurt në ambientet e shkollës?


Fëmija im do të jetë i sigurt në ambjentet e shkollës, aq sa është në çdo ambient tjetër. Për momentin në shkollat e fëmijëve tanë(privatedhe shtetërore) po përpiqen të mbahen të gjitha rregullat, por nuk është e mundur të respektohen deri në fund për shkak se kemi të bëjmë me fëmijë. 

Ne si prindër ecim me parimin që fëmijët janë dhuratë nga zoti dhe ai i mbron kudo që të jenë. Sigurisht që kujdesi është gjithmonë maksimal në çdo kohë. Situata është e sikletshme,  por nuk kam frikë për fëmijët e mi.

 

Si kanë shkuar përgatitjet për këtë vit shkollor? A i keni të gjitha mjetet e nevojshme shkollore për fëmijën tuaj?


Ne përpiqemi të bëhemi gati në kohë edhe për përgatitjen e mjeteve apo të librave të fëmijëve. Ky vit ka qenë si çdo fillim viti në këtë aspekt. Sigurisht që i kanë të gjitha mjetet e nevojshme, por nuk duhet harruar që për shumicën e prindërve është një sakrificë shumë e madhe për t'i siguruar.

 

A mendoni se ishte zgjedhja e duhur rikthimi në shkollë?


Absolutisht po!

 

Si ja dolët që fëmija juaj të përfundonte vitin shkollor me sukses?


Ne kemi pasur tre fëmijë në shkollë vitin që shkoi, sivjet filloi klasën e parë edhe i vogli. Pavarësisht punës së përkushtuar të bërë nga mësuesit e fëmijëve tanë, nuk ka qenë e lehtë. As mësuesit vetë, pavarësisht përpjekjeve, nuk i kanë kushtet për të zhvilluar mësimin online. Me televizorin nuk jemi marrë fare sepse nuk përputhen tekstet.

 

Ju si prind, mendoni se fëmija juaj arriti t'i përvetësonte në mënyrën e duhur dijet gjatë mësimit online. Mendoni se rezultoi i sukseshëm mësimi online?


Nuk besoj që mund të flasim për sukses. Mendoj që duhet të reflektojmë nëse ia kemi dalë të gjithë bashkë. Situata ka qenë shumë e vështirë. Mësuesit kanë punuar në kushte të jashtëzakonshme dhe kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Gjithësesi ajo ishte shkollë emergjence, nuk mendoj që ishte shkollë online. Prindërit dhe fëmijët kanë pasur vështirësitë e veta, ndërkohë që mësuesit kanë pasur vështirësitë e veta, prandaj them ja kemi dalë të gjithë bashkë.

Mësimi online kërkon trajnim, mjetet dhe materialet mësimore të përshtatshme për platformën që përdoret, këtë e them nga eksperienca në institucionin arsimor ku punoj.

 

Duke qenë se shkolla rifilloi me turne, kush kujdeset për transportin e fëmijës tuaj gjatë kohës që ju jeni në punë?


Unë jam ndër prindërit e paktë që mund të shkëputen nga puna për të marrë fëmijët, duke qenë se shkollën e kam shumë afër, nëse do të ishte larg nuk do ja dilja dot. Por edhe në këto kushte është shumë e vështirë. Ndërkohë njoh shumë prindër që po kalojnë shumë stres pikërisht për arsye të këtij orari.

 

A keni menduar si opsion që mos ta çoni këtë fëmijën tuaj në shkollë këtë vit shkollor, prej frikës që mund të keni nga pandemia?


Jo. A ka një opsion tjetër? Ku do të mësojë fëmija im gjatë këtij viti? Personalisht mendoj që nuk do të ishte aspak në favor të fëmijëve tanë shkëputja për një vit nga shkolla, për shumë arsye. Psikologjikisht do të ishte një traumë tjetër pas gjithë atyre që po kalojmë në këtë kohë, socializimi me shokët, kontakti me mësuesin, janë shumë të rëndësishme.


A janë të voliçme oraret e mësimit për ju si prindër ?


Ne më parë shkojmë t'i marrim fëmijët në shkollë sesa ti dërgojmë. Sigurisht që nuk janë aspak të përshtashme.


Çfarë do të kërkonit ju si prindër, për sigurinë e fëmijës tuaj?


Për sa i përket sigurisë shëndetësore, jo vetëm në kushte pandemie, por edhe në kushte normale, mund të rishikohet mbi popullimi i klasave, kushtet higjienike të shkollave(sidomos i tualeteve të cilat lënë shumë për të dëshiruar), ajirosja e klasave, mund të shtohet personel përmbajtjen e pastërtisë. Pse jo edhe trajnime me prindërit për t'i ndihmuar të mbajnë higjienën e fëmijëve. Nganjëherë përpiqemi ta gjejmë problemin tek shteti apo institucionet, por zanafilla e edukimit për çdo fushë të jetës është në familje.

Ajo që pritet në këto kushte është të përpiqemi të kuptojmë njëri-tjetrin, si prindi dhe mësuesi dhe të nxisim sa më shumë pozitivitet tek fëmijët.


 

Intervistoi: Marina Kërçeli

Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

 

 

 

626 Lexime
3 javë më parë