Edukimi i fëmijëve

Nëse sillem mirë çfarë përfitoj?

Kalendarët e shpërblimit janë mjete psikologjike të fuqishme dhe ndikimi i tyre nuk është thjesht një rritje motivimi, por një ndryshim tërësor i sistemit të të menduarit duke ndikuar ndjeshëm dhe marrëdhëniet me prindërit.

Sistemet e shpërblimit dëmtojnë edukimin e fëmijës!


Një nga dëshirat më të forta që kanë prindërit është si t’i bëjnë fëmijët të zbatojnë komandat e tyre sa më shpejt dhe pa shumë ankesa. Një mjet që ndihmon në arritjen e këtij qëllimi është kalendari i shpërblimeve, një sistem shpërblimi ku fëmija merr një yll për çdo sjellje të dëshiruar dhe më pas këto yje konvertohen në plotësime të disa privilegjeve të caktuara që kërkon fëmija.


Në familjet amerikane kjo është një mënyrë prindërimi shumë e zakonshme dhe në Amazon mund të gjenden mbi 1300 produkte të këtij lloj sistemi shpërblimi. Këto sisteme edukimi funksionojnë shumë mirë për momentin, por problemi qëndron në faktin se ato krijojnë pasoja negative afatgjata si për fëmijën, ashtu dhe për familjen. Kalendarët e shpërblimit janë mjete psikologjike të fuqishme dhe ndikimi i tyre nuk është thjesht një rritje motivimi, por një ndryshim tërësor i sistemit të të menduarit duke ndikuar ndjeshëm dhe marrëdhëniet me prindërit.


Prindërit që kanë përdorur këto sisteme shpërblimi, pas pak kohe janë gjendur para një fëmije që nuk bën më asnjë gjë për familjen pa e ditur paraprakisht se çfarë do të përfitojë. Në disa raste të tjera, prindërve u është dashur të rrisin vazhdimisht çmimin e shpërblimeve për ta mbajtur akoma nën funksion kushtëzimin e fëmijës së tyre. Të tjerë vunë re se kur u jepej fëmijëve shpërblim për sjellje përkujdesëse, dëshira e tyre e brendshme për t’u kujdesur për njerëzit shuhej.


Ekonomistët bihevioralë janë munduar ta shpjegojnë këtë efekt. Nga perspektiva e tyre, qëndrimi problematik i fëmijëve të rritur me këto sisteme shpërblimi (Po unë çfarë përfitoj?) është një reagim i parashikueshëm nga përplasja e normave sociale me normat e tregut. Dan Ariley, ekonomist bihevioral, gjeti se kur këto të dyja përplasen, normat e tregut i tejkalojnë normat sociale duke i dhënë më shumë fokus tregtisë sesa marrëdhënieve njerëzore. Rrjedhimisht, kur prindërit fusin sistemet e shpërblimit në familje, ata janë duke prezantuar normat e tregtisë në familje, e cila është një ambient ku kanë mbizotëruar tradicionalisht normat sociale.


Ariely sugjeron prindërit t’i mendojnë mirë efektet afatgjata negative të këtyre metodave të shpërblimit që funksionojnë për momentin. “Çfarë ndodh nëse fëmija e mendon ekzistencën e tij në familje si punëmarrës? Nëse ju krijoni marrëdhënie tregtie me fëmijën tuaj, çfarë duhet të prisni kur ai të rritet? Unë nuk po them se një shpërblim i vogël tani do t’iu çojë te “Shtëpia e të Moshuarve” më vonë, por po ta mendoni thellë, është një hap në atë drejtim”, -tha Ariely.


(Portali Shkollor)

2,089 Lexime
7 vjet më parë