MËSUESI SHQIPTAR NGA SUEDIA

Nga se varet suksesi i një mësuesi? Një histori e shkurtër por kuptimplotë

Kreativiteti, njohja e nxënësit (botës së brendshme), fleksibiliteti, dalja nga zona e rehatisë, qasja relacionale, po mbi të gjitha kapitali i besueshmërisë që ke krijuar tek nxënësi janë çelësat e suksesit për të arritur çdo nxënës.

Të nderuar mësimdhënës!


Kam një arkiv të plotë me shkrime e dhurata e  falënderime nga më të ndryshmet  nga gjeneratat që kam përcjellë për 20 vite, çdo njëra ka historinë e vet, po sot po zgjedh t’ju rrëfejë për dhuratën e fundit nga gjenerata e  fundit e nxënësve të mi. 


Para ca ditësh përfundoi viti shkollor këtu ne Suedi! Unë që nga viti i kaluar kam lënë detyrën e mësimdhënësit për të punuar si pedagog special në një vend tjetër.


Klasa që unë isha kujdestar për dy vite më kishte ftuar ne drekën e përfundimit të vitit për të me falënderuar për punën që kisha bërë me ta për dy vite.


Papritmas dy nxënës në emër të klasës më sjellin një jorgan të punuar nga vet nxënësit, i përbërë nga 24 katror (24 nxënës kishin qëndisur nga një mesazh, me shkrim apo fotografi, kishte edhe një mesazh në gjuhën shqipe) dhe mu drejtuan:


"E kemi punuar për ty, dëshirojmë që kur të flesh gjumë, të ndihesh mirë dhe të kuptosh se t’i je ai që na ke krijuar bazamentin më të mirë gjatë këtyre 9-të viteve shkollim dhe ne të jemi mirënjohës gjithë jetën".

Mbasi i falënderova i pyeta pse jorgan?

”Sepse jastëkun e ke - është ndërgjegjja juaj e pastër,është pikërisht ajo që na ke folur çdo orë mësimi”.

Vitin e kaluar të njëjtit nxënës me dhuruan një bluze ku kishin shkruar të gjithë emrat dhe si mbishkrim kishin vendosur “Kjo bluze ka aromën e klasës”.


Kjo nuk ishte e tëra - nxënësit kishin vënë bast me kujdestarin e ri që unë me saktësi  do e gjeja se kush kishte bërë çdo shkrim-mesazh, dhe si zakonisht nxënësit kishin të drejtë, unë e qëllova.


Kujdestari i ri por edhe disa kolegë të tjerë përrreth gjatë drekës më pyetën: 

Na trego sekretin, na mëso shembujt që ti i di, sepse tërë vitin, në çdo orë mësimi kemi dëgjuar shumë për ty.


Unë ju përgjigja me një tregim popullor që kisha dëgjuar në një odë burrash kur isha fëmijë.

Në një odë burrash ishte ulur një plak i njohur me emrin Mujë Loshi!

Një burrë po e pyet

-Mujë a kishe mund me mi mësua të gjitha këto fjalë që ti po i di?

Muja u përgjigj:

-Po fjalët t’i kisha mësua po vendin ku duhet me u përdorur nuk mundem, sepse nuk jam aty".


E tash ju mundë të pyesni- çfarë do të thotë ky njeri me këtë thënie?


Ne shembuj të gatshëm edhe mund të marrim nga njëri - tjetri, po vendin ku duhet të t’i përdorim dhe mënyrën se si i përdorim nuk mundet të na i mësojë askush, sepse çdo individ është unik dhe çdo grup ka karakteristikat e veta, çdo situatë është e veçantë.  


Ndaj kreativiteti, njohja e nxënësit (botës së brendshme), fleksibiliteti, dalja nga zona e rehatisë, qasja relacionale, po mbi të gjitha kapitali i besueshmërisë që ke krijuar tek nxënësi janë çelësat e suksesit  për të arritur çdo nxënës.


Kur flasim për botën e brendshme te nxënësit po shkëpus një fragment nga libri “Mësimdhënie e balancuar” që kam botuar në vitin 2012.


“Ta kuptosh një njeri tjetër do të thotë më tepër se ta vlerësosh atë nga dukja e jashtme dhe veprimet që bën, ta kuptosh një njeri tjetër do të thotë të arrish të depërtosh brenda fasadës dhe ta paramendosh vetën duke jetuar edhe në botën e brendshme të atij personi.

Nëse do ta kuptosh nxënësin do të thotë të konsiderosh atë si një njeri të barabartë edhe përkundër detyrave të veçanta, të dëgjosh perceptimet e tij, të jesh i ndjeshëm për pritjet e tij dhe ta ndjesh me të shpresën, dëshirën dhe dështimin. Të kuptosh një nxënës do të thotë ta paramendosh vetën në situatën totale të tij, si në botën e tij të brendshme ashtu edhe në atë që e rrethon. 

Të kuptosh nxënësin do të thotë të jesh i gatshëm që të marrësh dhe kontrollosh përgjegjësit tuaja”. 


Kur unë munda në vendin e huaj, në gjuhën e huaj, kulturën e huaj  me gjithë pengesat e shumta edhe ju sigurisht që mundeni ne vendin tuaj, në gjuhën tuaj dhe ne kulturën tuaj. Vetëm arsimi mundet të vendosë në vendin e duhur dhe pozicionin e duhur kombin tonë.  


Ju urojë sukses në detyrën e shenjët!



Me respekt Shpend Rrukiqi

Master i edukimit matematik Kimi

Master i filozofis

Postgraduate diploma -  Pedagogji speciale

 

 ©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

4,736 Lexime
2 vjet më parë