Nisja e shkollës për fëmijët me aftësi ndryshe, një thirrje për pranim

Nisja e vitit shkollor është festë për shumë fëmijë, por për ata me aftësi ndryshe shpesh është sfidë. Ky shkrim është një thirrje për pranueshmëri, dashuri dhe përfshirje, duke theksuar se çdo fëmijë meriton të ndihet i mirëpritur dhe i vlefshëm në shkollë.

Nga Suela Marku, mësuese e shkollës Speciale Elbasan


Çdo shtator, dyert e shkollave hapen për të pritur zërat dhe hapat e fëmijëve. Për shumëkënd kjo është një ditë feste, me çanta të reja, lapsa me ngjyra dhe ëndrra të pafundme. Por për një pjesë të fëmijëve, ata me aftësi ndryshe, ky fillim nuk është gjithmonë i lehtë.


Në sytë e tyre, shkolla është jo vetëm një vend ku mësohen shkronja e numra, por edhe një arenë ku provohet pranim apo refuzim. Shumë shpesh ata ndihen të veçuar, të vëzhguar, apo edhe të paragjykuar nga bashkëmoshatarët e tyre. Dhe megjithatë, çfarë kërkojnë ata? Vetëm të jenë fëmijë, të mësojnë, të luajnë, të ëndërrojnë, as më shumë e as më pak.


Është detyrë e brezit të ri, por edhe e çdo mësuesi, prindi e qytetari, të mësojnë se ndryshe nuk do të thotë më pak. Fëmijët me aftësi ndryshe kanë dhurata që ndonjëherë nuk shihen menjëherë: një buzëqeshje e pastër, një këmbëngulje e rrallë, një shpirt i madh. Ata na mësojnë çdo ditë durimin, përkushtimin dhe forcën për të mos u dorëzuar.


Shkolla duhet të jetë shtëpia e të gjithëve. Një vend ku askush nuk përjashtohet, ku secili ka hapësirë për të treguar veten dhe për të ndërtuar miqësi. Brezi që po rritet duhet të edukohet me vlera të reja: të pranojë ndryshimet, të shohë përtej pamjes së jashtme, të shtrijë dorën pa hezitim.


Sepse pranimi nuk është thjesht një gjest i bukur, por është baza e një shoqërie të drejtë. Dhe vetëm atëherë kur çdo fëmijë, me apo pa aftësi ndryshe, ndihet i mirëpritur në klasë, mund të themi se kemi ngritur një shkollë që i shërben jetës.



Le ta nisim këtë vit shkollor me një zotim të thjeshtë, por jetik: të jemi më njerëzorë, më të hapur, më pranues. Sepse bota bëhet më e bukur kur ka vend për të gjithë.




© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

316 Lexime
4 ditë më parë