Zgjedhja e një studenti

Njihuni me Ervisin, të riun që shkëlqeu në provimet e Maturës Shtetërore dhe vendosi të qëndrojë në Shqipëri

Njihuni me Ervisin, maturantin e vitit të shkuar i cili shkëlqeu në provimet e Maturës Shtetërore. Pavarësisht mundësime që iu dhanë për të vazhduar studimet jashtë shtetit, ai zgjodhi të studiojë në degën e mjekësisë së përgjithshme këtu në vendin tonë. Për këtë ai ndihet se ka marrë vendimin e duhur.

I riu që shihni në foto quhet Ervis Shahini. Ai është maturanti ekselent i vitit shkollor 2021-2022 që shkëlqeu në provimet e Maturës Shtetërore. Krahas mesatares 10.00 në tri vitet e shkollës, Ervisi u vlerësua me këto nota në provimet e maturës:                       

  • Gjuhë angleze: 10.00                                        
  • Gjuhë shqipe: 9.86
  • Matematikë: 9.93                                           
  • Fizikë: 9.95 


Falë rezultateve të shkëlqyera, ai i ka fituar të dhjeta degët ku ka aplikuar duke u renditur në 10 vendet e para në çdo degë, por ka zgjedhur të studiojë në degën e mjekësisë së përgjithshme.


“Gjithmonë jam përpjekur të studioj sistematikisht, me vullnet e disiplinë të rreptë dhe mund të them që mundi e djersa m'u shpërblye.”-shprehet Ervisi.               

                             

Gjithashtu, ai është dedikuar edhe olimpiadave kombëtare dhe ndërkombëtare. Duke punuar me shumë përkushtim, zell dhe pasion, Ervisi ka mundur që në vitin 2019 të përfaqësoj Shqipërinë në Olimpiadën Ballkanike të Matematikës për të Rinj të mbajtur në Qipro. 

Dashurinë për matematikën e ushqeu edhe në vitet në vijim ku në klasën e dhjetë, arriti të shpallej një ndër katër fituesit në qarkun e Tiranës në lëndën e matematikës. Gjithashtu, atë vit rezultoi fitues edhe në lëndën e kimisë. Edhe një vit më vonë u shpall një ndër gjashtë fituesit në matematikë në qarkun e Tiranës.


Ervisi ka marrë pjesë edhe në shumë konkurse të tjera ku është shpallur disa herë fitues.



Kaltra Tafani 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,953 Lexime
1 vit më parë