Nxënësit janë të ndryshëm, kanë nevoja të ndryshme

Thelbi i mësimdhënies së diferencuar është përshtatja e përmbajtjeve, e proceseve , metodave dhe materialeve me ritmet e nxënësve të ndryshëm, për të arritur të njejtat qëllime dhe objektiva

Gjatë gjithë këtyre viteve, në biseda me koleget e mia, jo pak herë, zë vend puna me nxënësit e talentuar apo puna me nxënësit më vështirësi në të nxënë.


Si mund të punojmë me ta? Nuk na del kohë për nxënësit e talentuar… Nuk kemi kohë për nxënësit që nxënë ngadalë etj .


E dimë mirë që në të gjithë klasat, ndryshimet mes nxënësve janë të shumta. Por sa e ndërtojmë punën tonë duke u nisur në dallimet individuale të nxënësve? Nga vëzhgimet që kam bërë, mund të them shumë pak. Dua të ndaj me ju një material për mësimdhënien e diferencuar.


Mësimdhënia e diferencuar nuk është një fenomen i ri. Ajo ka në themel parimin që nxënësit janë të ndryshëm dhe kanë nevoja të ndryshme. Thelbi i mësimdhënies së diferencuar është përshtatja e përmbajtjeve, e proceseve , metodave dhe materialeve me ritmet e nxënësve të ndryshëm, për të arritur të njejtat qëllime dhe objektiva.


Pse është e nevojshme mësimdhënia e diferencuar?

Kjo nevojë buron nga diversiteti i nxënësve të ndryshëm, pasi nuk ka nxënës që përparojnë me të njejtën shpejtësi, apo me të njejtat teknika të studiuari, me sjellje apo me interesa të njejta. Mësuesi e ka të vështirë të gjejë detyra unike që stimulojnë në mënyrë të njejtë të gjithë nxënësit.

Që të realizohet mësimdhënia e diferencuar, mësuesi duhet të njohë mirë përmbajtjen e mësimit dhe karakteristikat e nxënësve.


Disa nga kushtet e realizimit me cilësi të mësimdhënies së diferencuar janë:

Hartimi i një plani cilësor.

Zhvilimi i veprimtarive mësimore të përshtatshme.

Krijimi i grupeve fleksibël.

Vlerësim i vazhdueshëm i nxënësit.

Aktivizim i lartë i nxënësit.

Fokusim i mësimdhënies në koncepte kryesore.

Puna e diferencuar mund të bëhet me grupe nxënësish apo me nxënës të vecantë.

Diferencime pedagogjike mund të bëhen brenda një klase apo ndërmjet klasave.

Kur mësuesi bën grupimet, duhet të ketë të qartë synimet e tij.


Kujdes! Nxënësit nuk duhet të ndihen të etiketuar. Grupimet nuk duhet të  jenë afatgjatë. Nxënësve duhet  t’u jepet mundësia të punojnë me nxënës të ndryshëm.

 Grupimet mund të jenë :


Grupe heterogjene me detyra të njëjta.

Grupi përbëhet nga 5-6 nxënës. Njëri drejton, 2 nxënës mesatarë, 1-2 nxënës me vështirësi në të nxënë.


Grupe homogjene me detyra të diferencuara.

Grupet kanë objektiva të ndryshëm dhe të dallueshëm ose objektiva të njejtë me kërkesa të ndryshme


Rigrupime

Ka rotacion të anëtarëve

Hapat për organizimin e punës me grupe të vogla

1. Përcaktohet lideri i grupit

2. Përcaktohet puna që duhet bërë

3. Vendos objektivat

4. Bëj një plan:

Detyrat që do bëhen

Materiali që duhet   

Ndarja e punëve

Çfarë shënimesh duhen bërë

Përcaktohet koha limit

5. Zbatimi i planit

6. Shkëmbim mendimesh

7. Raportimi i punës

 

Si ndahen grupet?

Sipas karakteristikave të dukshme: gjinore, muajit të lindjes  etj

Sipas karaktereve: shije të njejta, temperamenti etj

Sipas rezultateve në mësime.

Sipas zgjedhjeve të vetë nxënësve


Mësimdhënia e diferencuar për studimin individual.

Një nga qëllimet e shkollës është të aftësojë nxënësit të punojnë në mënyrë të pavarur. Për këtë arësye ata duhet të praktikohen në mënyrë sistematike dhe të vazhdueshme

Mësuesi duhet të sigurohet nëse materiali është i përshtatshëm. Të kërkojë nga nx që të kenë të qartë se cfarë synohet të arrihet me anë të kësajë detyre. Të vëzhgojë në vazhdimësi progresin e nxënësit.

Mësimdhënia për studim individual mund të përdoret për nxënësit e talentuar dhe nxënës të ngadaltë në të mësuar.

Rekomandime për punën me nxënës të talentuar:

Stimuloni mendimin kritik të tyre

Jepini shanse për të eksploruar gjëra të reja.

Lërini të marrin përgjegjësi për gjërat që bëjnë.

Përdorni materiale të nivelit të lartë

Rekomandime për nxënës që nxënë ngadalë:

Jepuni punë interesante

Shmangni materialet fëminore; jepni materiale të moshës, por me kërkesa të lehta.

Stimuloni vetbesimin dhe vetëvlerësimin.

Përdorni të njejtat teknika, por me nivel më të thjeshtë


Çfarë është mësimdhënie e diferencuar dhe çfarë jo?

Është mësimdhënie e diferencuar kur mësuesi përdor:

Larmi mënyrash të ndryshme të të mësuarit, larmi aktivitetesh që nxënësi  të përvetësojë informacionin, alternativa të ndryshme ku nxënësi të demostrojë ato që ka mësuar.

NUK është mësimdhënie e diferencuar kur jepen detyra të njejta për të gjithë nxënësit, Kur nxënësit mbarojnë më shpejt detyrën dhe bëjnë detyra shtesë apo zbavitëse.

Të punuarit pa mësimdhënie të diferencuar rrezikon në fenomenin “paaftësi për të mësuar”, “probleme të sjelljes”, “frikë ndaj shkollës” etj.

Për të shmangur këto fenomene dhe për të patur një mësimdhënie të suksesshme zgjidhni një strategji për klasën apo dhe një nxënë dhe nisni punën.

Ju uroj punë të mbarë!


(Nga Drita Kolndreu, Portali Shkollor)

28,422 Lexime
8 vjet më parë