ORË MODEL

Ora e letërsisë, të mësuarit përmes situatave, mbi veprën "Studenti në shtëpi", Migjeni

Dr. Ermira Ymeraj, ka përgatitur një orë model, bazuar në të mësuarit përmes situatave, mbi prozën migjeniane, "Studenti në shtëpi".

Tema: Studenti në shtëpi


Rezultatet e të nxënit për kompetencat kyçe: 

1. Kompetenca e të nxënit: Nxënësi: - përzgjedh të dhëna nga burime të ndryshme ( libra, revista, fjalorë, enciklopedi ose internet), të cilat i shfrytëzon për realizimin e temës/detyrës së dhënë 

Burimet dhe mjetet: - njohuritë dhe aftësitë paraprake të nxënësit; − teksti mësimor; − informacione nga interneti: foto, video; − kompjuter, videoprojektor, DVD, klasifikon ato burime sipas rëndësisë që kanë për temën.


2. Kompetenca e të menduarit: Nxënësi: - përdor krahasimin dhe kontrastin për të gjetur dallimet dhe ngjashmëritë kryesore midis dy e më shumë dukurive ose midis dy teksteve; - parashtron argumente pro ose kundër për një temë/problem të caktuar gjatë një debati ose diskutimi të lirë; 


3. Kompetenca digjitale: Nxënësi: - përdor mediat digjitale dhe mjediset informative për të komunikuar dhe bashkëpunuar, duke përfshirë komunikimet në distancë për zhvillimin e njohurive; - analizon, vlerëson, menaxhon informacionin e marrë elektronikisht (p.sh., hedhin disa informacione të marra nga interneti duke i përmbledhur në një tabelë ose grafik); Rezultatet e të nxënit për kompetencat e fushës:


1. Të dëgjuarit e teksteve të ndryshme. Nxënësi: - dëgjon me vëmendje tekstin e lexuar dhe bën pyetje rreth tij; - krahason informacionet e marra nga teksti me informacionet e marra nga libri me të njëjtin titull si tregimi. 


2. Të folurit për të komunikuar dhe për të mësuar. Nxënësi: − bashkëbisedon me nxënësit e tjerë për Nushin dhe historitë e tij; − tregon ngjarjet që ka parë dhe i krahason ato me ngjarjet në tregimin e dhënë; − tregon ndryshimet (nëse ka) ndërmjet historisë në tekstin letrar dhe historisë së treguar në libër. 


3. Të lexuarit e teksteve letrare dhe joletrare. Nxënësi: - lexon tekstin letrar; - kupton çfarë është shkruar dhe bën pyetje për atë që nuk e kupton; - dallon elemente të formës dhe strukturës; - jep mendimet e tij në lidhje me tregimin etj. 


4. Të shkruarit për qëllime personale dhe funksionale. Nxënësi: − shkruan një histori imagjinare duke u bazuar në tekstin e dhënë; − paraqet nje variant tjetër për mbylljen e tregimit. Përshkrimi kontekstual i situatës: Mësuesi diskuton me nxënësit në lidhje me personazhet e Migjenit. Ai diskuton për personazhet e ndryshme të novelave dhe pyet nxënësit se cilët janë personazhet e tyre më të dashur. Mësuesi i pyet nëse i kanë lexuar Novelat e qytetit të veriut, dhe u kërkon atyre të bëjnë një përshkrim të personazhit të Nushit, Lulit, malësores, Ages. Më pas ai paraqet disa foto të personazheve dhe u kërkon nxënësve që bri fotos, të vendosin personazhin e imagjinuar prej tyre. Më pas ai, me anë të një videoprojektori, paraqet disa pjesë të filmit për Migjenin. Nxënësit diskutojnë për ngjarjet dhe personazhet e filmit. Japin mendimet e tyre. Më pas, njëri nga nxënësit (ai që lexon më bukur), lexon tekstin e tregimit (Studenti në shtëpi). Pas leximit diskutohet për fjalët ose situatat që nuk janë kuptuar nga të gjithë. Nxënësit japin mendimet e tyre nëse ka ndryshime ndërmjet asaj që kishin menduar duke u nisur nga titulli dhe më pas leximit të tregimit të lexuar. Me anë të imagjinatës, nxënësit krijojnë histori të tjera duke u bazuar në ngjarjet e Studentit në shtëpi, si dhe japin mbyllje të ndryshme për tregimin. 


Veprimet e kryera për trajtimin e situatës: Aktivizimi i njohurive të mëparshme.

Mësuesi bën pyetje në lidhje me njohuritë që kanë nxënësit për kohën Migjeniane.

1. A keni parë ndonjë realizim të novelave të Migjenit?

2. Cilën nga novelat do donit ta shihni të ekranizuar?

3. Çfarë ju pëlqej te Migjeni?

4. Po personazhet e tij a  ju kanë tërhequr?

5. Cili personazh ju ka pëlqyer më shumë?

6. E keni lexuar “Luli i vocërr” ose“Historia e njërës nga ato”?

7. Si ju duket si personazh Luli, po Lukja?

8. Ma përshkruani me pak fjalë portretin e tyre fizik.

- Paraqitja e fotove të personazheve me anë të videoprojektorit

Të tjera imazhe mund të gjenden në ëeb duke klikuar me togfjalëshin: Nushi, Luli i vocërr, Lukja - Imazhe

Mësuesi pyet nxënësit në lidhje me fotot e shfaqura në monitor.

Ai paraqet me anë të videoprojektorit një video në YouTube që përkon me pjesën letrare në tekst. 

1. A përputhet portreti fizik që ju keni në imagjinatën tuaj me portretin në foto?

2. A ndryshoi mendimi juaj duke e parë sërish ?


- Leximi i tekstit.

Njëri nga nxënësit lexon tekstin e dhënë. Pas përfundimit të leximit, nxënësit diskutojnë për fjalët që nuk kuptojnë dhe për situata të ndryshme. Përshkruajnë personazhet e tregimit dhe japin mendimin e tyre se cili nga personazhet mund të cilësohet si personazh negativ dhe cili mund të cilësohet si personazh pozitiv.

Diskutojnë në lidhje me idetë që marrin pasi lexuan tekstin, me gjuhën e përdorur në tekst, me figuracionin që është përdorur. Ata bëjnë një analizë gjuhësore dhe një analizë të personazheve të tekstit duke e ilustruar në çdo rast me shembuj.


- Bashkëbisedimi me mësuesin për novelat e tjera të Migjenit.

Mësuesi i pyet nxënësit nëse i kanë lexuar novelat e tjera dhe cili prej tyre u ka pëlqyer më shumë. Më pas ata japin mendimet e tyre në lidhje me personazhet që u kanë pëlqyer më shumë dhe personazhet që nuk u kanë pëlqyer shumë.


Në fletore listojnë emrat e personazheve duke i ndarë në disa grupe sipas skemës së mëposhtme:

Reale                                                                                Negative

                                           Personazhe

Imagjinare                                                                         Pozitive

Pasi i ndajnë personazhet në grupe sipas skemës së mësipërme, nxënësit i krahasojnë më njëra-tjetrën këto personazhe dhe gjejnë të përbashkëtat mes tyre.


- Bashkëbisedimi i mësuesit dhe nxënësve në lidhje me mënyrat e komunikimit.

Për të kuptuar sa më mirë mënyrat e komunikimit në tregim mësuesi u drejton disa pyetje nxënësve:

1. Si shprehen në tekst mënyrat e komunikimit mes Nushit dhe babait?

a) me shikim;

b) me fjalë;

c) me gjeste;

2. Si është në tekst komunikimi mes Nushit dhe motrës së tij?

a) i mirë;

b) i keq;

c) i ftohtë;

d) i dhunshëm?

3. Si komunikonte Nushi me nënën e tij?

Nxënësit tregojnë me fakte nga teksti dualitetin e jetës së Nushit në dy realitete, jashtë atje në Europë, dhe brenda në shtëpinë e tij.

- Mendimet e nxënësve në lidhje me historitë e personazhit kryesor, Nushit.

Nxënësit japin mendimet e tyre në lidhje me këtë personazh. Ata gjithashtu futen në botën e këtij përsonazhi, mendojnë sikur janë shoqërues të Nushit dhe tregojnë përballjet me etërit që i ndjekin gjatë gjithë kohës (me imagjinatë).

Përshkruajnë përballjen e Nushit me të atin duke përdorur fjalë ose togfjalësha të botës reale si p.sh.:

autoriteti absolut i babait, nënshtrimi, mbyllja , 

- Shkrimi i një historie reale nga secili nxënës duke përdorur fjalët kyçe që ndodhen në tekst.

Nxënësit shkruajnë një histori ku përdorin fjalët kyçe që i kanë gjetur më parë në tekstin e dhënë.


Vlerësimi i situatës

Situata quhet e realizuar nëse pjesa më e madhe e nxënësve e ka kuptuar tekstin, u kanë dhënë përgjigjie pyetjeve të mësipërme dhe kanë krijuar historitë e tyre reale.

Kjo temë mund të zhvillohet 2 - orë.

Jepet detyra e shtëpisë e cila mund të jetë njëra nga temat e mëposhtme:

1. Bëni një përshkrim të shkurtër të personazhit tuaj më të dashur.

2. Jepni një mbyllje tjetër për tregimin që lexuat.

3. Si do të vepronij ju nëse do ishit në rolin e Nushit?



(Portali Shkollor)

10,685 Lexime
4 vjet më parë