DEDIKIM

Orë kujdestarie në kohën e Covid -19

Një letër-dedikim nga mësuesja Evlonda Përlala, për të gjithë nxënësit, ku nuk rendit vetëm këshilla, por përcjell mesazhe të fuqishme, sesi gjithë këtë situatë, ta shfrytëzojnë në dobi të vetes.

Të dashur nxënës të klasës së 8b të shkollës "Nazif Zhavari" (dhe jo vetëm). 

Kjo është një orë kujdestarie, në kushte shtëpie, nën merakun dhe kujdesin që duhet të tregojmë ndaj vetes, njerëzve që kemi rreth, e çdokuj. Kemi folur edhe më parë rreth Covid-19, kemi folur për masat mbrojtëse dhe rregullat që të mos infektohemi. Por sot, është krejt ndryshe. Pa ftuar, Covid-19 është në vendin tonë. Në vendin ku ne prisnim pranverën, lulet, dallëndyshet...  Pak nga pak, Covid-19 po viziton qytete të ndryshme shqiptare, dhe kjo ndodh nga mungesa e përgjegjësisë. Mediet flasin vetëm për "të paftuarin" që tashmë gjendet mes nesh. 


Populli ynë thotë: -"Kush vjen pa ftuar, ikën pa përcjellë!" Nuk kam shumë besim se si mund të iki "i paftuari" ynë, sesi erdhi është e qartë, por kam besim se duke qenë të kujdesshëm do ia dalim me sukses. E nisa kështu duke marrë shkas nga disa gjëra të vogla, por që mundet të kthehen në madhore më vonë. Është e trishtueshme kur shoh në rrugët e lagjes ku banoj, tek kalojnë pa problem bashkëmoshatarët tuaj. Ashtu siç është e trishtueshme kur në rrjetet e komunikimit të krijuara për mësimet, ndonjëri prej jush më justifikohet se ishta këtu apo atje...


Ti/ju,duhet të jeni në shtëpi! Mjafton vetëm njëri nga ju të jetë i pakujdesshëm dhe e gjithë familja do të rrezikohet.


Ju i doni baballarët tuaj, i prisni me mall kur vijnë nga mërgimi. Madje shpesh përloteni kur trajtojmë tema të cilat prekin mallin e shpirtit tuaj. Nënat tuaja janë frymë jete e përditshme, dashuri, shqetësim, merak, lot e gaz. Dëgjoni këshillat e tyre, duajini, i përqafoni fort dhe mos diskutoni kur ato nuk ju lejojnë të dilni nga shtëpia. Ato gjithmonë e dinë se çfarë është e mirë, e shëndetshme, e sigurtë për fëmijët e vet. Gjyshërit dhe gjyshet (shpesh avokatët tuaj mbrojtës), janë ëmbëlsia, durimi, këshilla e paqja e familjes.


Ata/ato rregullojnë gjithçka, pa zhurmë, plot ledhatime e fisnikëri, pa u lodhur. Mosha e tyre dhe fiziku i tyre, e ka shumë të vështirë të luftojë e sfidojë Covid-19. Andaj ju lutem, duhet të keni kujdes, të mos ekspozoheni, që edhe njerëzit tuaj që doni kaq shumë të mos jenë të rrezikuar.


Nuk po listoj rregullat, por po ju bëj me dije se Covid-19, mbi të gjitha bën që të gjithë të kuptojmë se larja e duarve shpesh është domosdoshmëri, se dashuria dhe respekti ndaj njerëzve, nuk qëndron në një shtrëngim dore, as në puthje, është aty në zemër. 


E shfrytëzoni kohën në shtëpitë tuaja për bisedat që nuk i keni bërë se nuk keni pasur kohë, për të shijuar pa frikë atë që është gjithmonë streha jonë e ngrohtë dhe e sigurtë, familja.


Nuk keni pse të frikësoheni, por të vetëmbroheni po!

Secili prej nesh duhet të veprojë kështu!

Kështu po veproj edhe unë me fëmijët e mi...

Kështu mundemi ta luftojmë dhe ta largojmë sa më shpejt "të paftuarin"!

Ne, së bashku mundemi!

Ju dua të përgjegjshëm, të fortë, të shëndetshëm!

Ju dua!


Mësuese Evlonda Perlala.


(Portali Shkollor)

6,667 Lexime
4 vjet më parë