Psikologji

Për prindërit dhe mësuesit e nxënësve të klasave të para

Pak fjalë për më të vegjlit që sot jeta u ofroi një tjetër udhë dhe për të mëdhenjtë e të vegjëlve (prindërit), për të cilët nuk është edhe fort e lehtë që "shpirtin" e tyre duhet t’jua dorëzojnë dikujt tjetër. Shkrim nga psikologia Pranvera Paplekaj (Martinaj).

Është ditë shumë e veçantë dita e klasës së parë, ndër më të veçantat e jetës së një njeriu... është e bukur, është e gëzueshme, ka plot emocione pozitive brenda saj, por është edhe ditë e vështirë, sepse për të qenë kaq e bukur për të shtrenjtit e prindërve, kërkohet të dish shumë, po vërtetë shumë.


Kërkon së pari që ne të kthehemi mbrapsht në vite dhe të mendojmë nëse prindërit tanë ia kanë dalë të na e bëjnë këtë udhë të dashur apo jo, dhe nëse jo, çfarë është bërë jo mirë që ne të mos e bëjmë.


Kërkon t'i kuptojmë ata, se të largohesh për disa orë nga e ëmbla shtëpi e cila të jep dashurinë, lirinë dhe sigurinë e pakufi dhe t'i drejtohesh një shtëpie tjetër shumë më të madhe e me më shumë anëtar, me shumë më shumë rregulla, në një shtëpi ku fytyra e mamit, babit, vëllait, motrës dhe gjyshërve mungon, nuk mund t'i shohësh sa herë sytë dhe zemra i duan, edhe nëse kontrollon çdo dhomë të kësaj shtëpi të madhe...(shkollës). 


Natyrshëm dita e parë e shkollës këtyre vogëlusheve ju krijon edhe emocione negative si zemërim, frikë, ankth, konfuzion etj. Dhe nëse prindërit dhe mësuesit nuk do jenë të aftë për të menaxhuar këto situata, kjo mërzitje mund të rrezikojë që të dërgojë vogëlushët deri në dorëzim për të mos dashur më shkollën.


Prandaj: Prindër dhe mësues tregohuni të ditur duke i kuptuar ata, duke iu ofruar edhe më shumë dashuri dhe mbështetje, tregohuni të duruar dhe mos e krahasoni kurrë fëmijën tuaj me vëllain, motrën dhe askënd tjetër, secili është unik në këtë botë.


Tregojuni atyre se për të dalë në majën e një mali të bukur nuk dalim dot pa kaluar nëpër gurë dhe ferra.


Krijojuni fëmijëve siguri dhe bindje se kjo udhë është më e mira, duhet të jetë më e dashura, tregohuni këmbëngulës dhe mos u dorëzoni, mos reshtni së thëni se “arsimimi është detyra më e domosdoshme në jetë, për të kthyer pasiguritë e shumta në siguri, padijen në dije dhe jetën në dashuri"! 


Suksese vogëlush, prindër, mësues kolegë dhe çdo nxënësi në mbarë Shqipërinë dhe gjithë botën.


E fundit këshillë për prindërit "Mos qani kur t'ia dorëzoni fëmijën", prindit të dytë ( mësuesit/es), shkollës, se është ndër momentet më të bukura, sepse ky moment tregon se fëmija yt po rritet, por njëkohësisht është edhe ndër momentet më të dhimbshme në jetën e prindërimit (zemra rreh fort, lotët dalin vetvetiu, ndarja duket shumë e vështirë), por e qara juaj në atë moment për fëmijën mund të kthehet në një pasiguri të madhe, ndoshta edhe në një traumë psikologjike. Një ndër pyetjet që fëmija mund t'i bëjë vetes në këtë lloj situate është "perse po qan mami/babi ndërkohë që më ka folur aq shumë gjëra të bukura për shkollën", ose "mos vallë kjo mësuesja nuk do më trajtojë mirë mua përderisa mami u largua nga unë duke qarë"?. 

I dashur prind qaj sa ta ndjej zemra në atë moment, por pasi te jesh siguruar se fëmija juaj nuk do ju shoh.  


Nga Pranvera Paplekaj (Martinaj), Psikologe


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

675 Lexime
1 muaj më parë