10 dhejtori

Përkujtohet 10 dhjetori, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut

Dita e sotme shënon Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Ajo shënohet si përkujtim i përvitshëm i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e cila u miratua në 10 dhjetor të vitit 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

10 dhjetor të vitit 1948, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nxori dhe shpalli Deklaratën Universale pёr të Drejtat e Njeriut, tekstin e plotë të së cilës po e botojmë më poshtë. Pas këtij akti historik, Asambleja ftoi të gjitha shtetet anëtare që ta shpallin tekstin e Deklaratës dhe të përpiqen që të përhapet, të paraqitet, të lexohet dhe të shpjegohet sidomos në shkolla dhe institucione të tjera edukative të të gjitha vendeve dhe shteteve pa marrë parasysh statusin e tyre politik. 

Teksti zyrtar i Deklaratës është në gjashtë gjuhë zyrtare të Kombeve të Bashkuara: angleze, frënge, kineze, ruse, spanjolle dhe arabe.


                                 DEKLARATA UNIVERSALE PËR TË DREJTAT E NJERIUT

                                                                      HYRJE

Meqë njohja e dinjitetit të lindur të të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore është themel i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë; meqë mosrespektimi dhe përbuzja e të drejtave të njeriut çonte drejt veprimeve barbare, që fyenin ndërgjegjen njerëzore, dhe meqë krijimi i njё bote në të cilën njerëzit do të gëzojnë lirinë e fjalës, lirinë e besimit dhe lirinë nga frika dhe skamja është shpallur si aspirata më e lartë e çdo njeriu; meqë është qenësore që të drejtat e njeriut të mbrohen nga sistemi juridik ku do tё sundojё ligji, që njeriu të mos shtrëngohet të rebelohet dhe të ngritet kundër tiranisë dhe shtypjes, duke pёrdorur atё si mjet tё fundit; meqë është qenësore që të nxitet zhvillimi i marrëdhënieve miqёsore ndërmjet kombeve; meqë popujt e Kombeve të Bashkuara përsëri shpallën në Kartë besimin e tyre nё të drejtat themelore të njeriut, në dinjitetin dhe në vlerën e personalitetit të njeriut dhe nё barazinë midis burrave e grave dhe vendosën të nxisin përparimin shoqëror dhe të përmirësojnë nivelin e jetesës në një liri mё të plotë; meqë shtetet anëtare u zotuan që në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara të sigurojnë respektimin e përgjithshëm dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut; meqë kuptimi i përbashkёt i këtyre të drejtave dhe lirive është më i rëndësishëm për realizimin e plotë të këtij zotimi;


ASAMBLEJA E PËRGJITHSHME e OKB-së shpall këtë DEKLARATË UNIVERSALE PËR TË DREJTAT E NJERIUT si ideal të përbashkёt të cilin duhet ta arrijnë të gjithë popujt dhe të gjitha kombet, në mënyrë që çdo njeri dhe çdo organizëm i shoqërisë, duke pasur parasysh gjithnjë këtë Deklaratë, të synojnë që me anë të arsimit dhe edukimit, t’i kontribuojnë respektimit të këtyre të drejtave dhe lirive dhe që me masa progresive kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurojnë njohjen dhe zbatimin e tyre të përgjithshëm dhe të njëmendtë, si midis popujve të vetë shteteve anëtare, ashtu edhe midis popujve të atyre territoreve që ndodhen nën administrimin e tyre. 



Neni 1.

Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në pikëpamje të dinjitetit dhe të të drejtave. Ata janë të pajisur me arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri tjetrit në njё frymë vëllazërore.


Neni 2.

Secilit i përkasin të gjitha të drejtat dhe liritë e shpallura në këtë Deklaratë pa kurrfarë dallimesh në pikëpamje të racës, ngjyrës, seksit, gjuhës, fesё, mendimit politik ose çdo mendimi tjetër, të prejardhjes kombëtare a shoqërore, të pasurisë, të lindjes apo të ndonjё gjendje tjetёr juridike. Pёrveç kёsaj, nuk do të bëhen kurrfarë dallimesh në bazë të statusit politik, juridik apo ndërkombëtar të vendit ose territorit të cilit i përket ndonjë individ, qoftë kur ky vend ose territor është i pavarur, apo kur ndodhet nën kujdestari ose është jovetëqeverisës a nën çfarëdo kufizimi tjetër të sovranitetit.


Neni 3.

Secili ka të drejtë të jetojë, të jetë i lirë dhe të ketë siguri vetjake.


Neni 4.

Askush nuk duhet të mbahet në robëri ose detyrimisht i nënshtruar; robëria dhe tregtia me robër janë të ndaluara në të gjitha format.


Neni 5.

Askush nuk duhet t'i nënshtrohet torturës, a trajtimeve ose dёnimeve të tjera mizore, çnjerёzore ose poshtёruese.


Neni 6.

Secili ka të drejtë që të pranohet çdokund si subjekt juridik pёrpara ligjit.


Neni 7.

Të gjithë janë të barabartë pёrpara ligjit dhe kanë të drejtë që, pa kurrfarë diskriminimi, tё mbrohen njёsoj nga ligji. Të gjithë kanë të drejtën për mbrojtje të barabartë kundër çdo diskriminimi që do tё shkelte këtë Deklaratë, dhe kundër çdo nxitjeje për një diskriminim të tillë.


Neni 8.

Secili ka të drejtë që me mjete juridike efektive para gjykatave kompetente kombëtare të mbrohet nga veprimet e shkeljes së të drejtave themelore të garantuara me kushtetutë a me ligj.


Neni 9.

Askush nuk duhet tё arrestohet, të burgoset, ose të dëbohet arbitrarisht. 


Neni 10.

Secili ka të drejtë plotёsisht të barabartë për gjykim të drejtë dhe publik para njё gjykate tё paanshme e të pavarur që do të vendosë për të drejtat dhe detyrimet e tij dhe për mbështetshmërinë e çdo akuze penale kundër tij.


Neni 11.

  1. Secili që akuzohet për një vepër penale ka të drejtë të konsiderohet i pafajshëm derisa në bazë të ligjit të vërtetohet fajsia në njё proces publik në të cilin i sigurohen tё gjitha garancitë e nevojshme për mbrojtjen e tij.
  2. Askush nuk duhet të dënohet për veprime ose lëshime të cilat, nё kohёn kur janë kryer ato, nuk përbënin një vepër penale sipas ligjeve kombëtare a ndërkombëtare. Gjithashtu, nuk duhet të jepet njё dënim më i rëndë se ai që ka mund të zbatohet në kohën kur është kryer vepra penale.


Neni 12.

Askush nuk duhet t'i nënshtrohet ndërhyrjes arbitrare në jetën e tij private, nё familje, nё banesë ose nё letёrkёmbim vetjak, as sulmit kundër nderit dhe dinjitetit tё tij. Secili ka të drejtën të mbrohet me ligj kundër ndërhyrjeve ose sulmeve të tilla.


Neni 13.

  1. Secili ka të drejtën e lirisë së qarkullimit dhe tё zgjedhjes sё vendbanimit brenda kufijve të njё shteti.
  2. Secili ka të drejtë të braktisё cilindo vend, duke përfshirë këtu edhe vendin e tij, si dhe të kthehet në vendin e tij.


Neni 14.

  1.  Secili ka të drejtë të kërkojë dhe tё gëzojë vendstrehim në vende të tjera pёr shkak tё pёrndjekjes.
  2. Këtë të drejtë nuk mund ta kërkojё askush në rast tё pёrndjekjeve qё mbështeten vёrtet nё veprimet e rёndomta penale ose nё veprimet qё janё nё kundërshtim me qëllimet dhe parimet e Kombeve të Bashkuara.


Neni 15.

  1. Secili ka të drejtën e një shtetësie.
  2. Askush nuk duhet të privohet arbitrarisht nga shtetësia e tij, e as nga e drejta për të ndërruar shtetësinë.

Neni 16.

  1. Burrat dhe gratë e moshës madhore kanë të drejtë të lidhin martesë dhe tё krijojnë familje, pa kurrfarë kufizimesh nё pikёpamje tё racёs, tё shtetësisë ose tё fesё. Ata kanë të drejta të barabarta ndaj martesёs, gjatё martesёs dhe nё kohёn kur ajo prishet.
  2. Martesa duhet të lidhet vetëm me pëlqimin e lirё dhe tё plotë të bashkёshortёve tё ardhshёm.
  3. Familja është njёsi e natyrshme dhe thelbёsore e shoqërisë dhe ka të drejtën e mbrojtjes nga shoqëria dhe shteti.


Neni 17.

  1. Secili ka të drejtë të ketë pasuri, vetë dhe në bashkësi me të tjerët.
  2.  Askush nuk duhet të privohet arbitrarisht nga pasuria e tij.


Neni 18.

Secili ka të drejtën e lirisë së mendimit, tё ndërgjegjes dhe tё fesё; kjo e drejtë përfshin lirinë e ndёrrimit të fesё a tё bindjeve dhe lirinë që njeriu, qoftë vetë ose në bashkësi me të tjerët, të shfaqë publikisht ose privatisht fenё a bindjen e vet, nёpёrmjet arsimit, praktikёs, kryerjes së kultit dhe riteve fetare.


Neni 19.

Secili ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe pёrhapjes së informacionit dhe ideve me çfarëdo mjetesh, pa marrë parasysh kufijtë.


Neni 20.

  1. Secili ka të drejtën e lirisë së mbledhjes dhe bashkimit paqësor.
  2. Askush nuk mund të detyrohet t’i takojё ndonjë shoqate.

Neni 21.

  1. Secili ka të drejtë të marrë pjesë në qeverisjen e vendit të vet, drejtpërsёdrejti ose me anë të përfaqësuesve të zgjedhur lirisht.
  2. Secili ka njësoj të drejtë të hyjë në shërbimet publike të vendit tё vet.
  3. Vullneti i popullit është bazë e pushtetit shtetëror; ky vullnet duhet të shprehet në zgjedhjet e herёpashershme dhe të lira, të cilat duhet të jenë të përgjithshme dhe me votё tё barabartë, si dhe me votim të fshehtë ose sipas procedurës përkatëse të votimit të lirë.


Neni 22.

Secili, si anëtar i shoqërisë, ka të drejtë sigurimi social dhe tё drejta tё domosdoshme ekonomike, sociale e kulturore për dinjitetin e tij dhe për zhvillimin e lirë të personalitetit tё tij, me ndihmën e shtetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në përputhje me organizimin dhe burimet e çdo shteti.


Neni 23.

  1. Secili ka të drejtë të punojё, të zgjedhë lirisht punёn, të ketë kushte të kёnaqshme dhe tё favorshme pune dhe të jetë i mbrojtur nga papunësia.
  2. Secili, pa kurrfarë diskriminimi, ka të drejtë që për punë të barabartë të marrë rrogë të barabartё.
  3. Secili që punon ka të drejtë për një shpërblim të drejtë dhe të favorshëm, në mënyrë që t'i sigurojë atij dhe familjes së tij një jetë që i përgjigjet dinjitetit njerëzor dhe qё, po qe se ёshtё e nevojshme, do tё plotësohet me mjete të tjera të mbrojtjes sociale.
  4. Secili ka të drejtë të formojë e t’u bashkohet sindikatave për mbrojtjen e interesave të tij.


Neni 24.

Secili ka të drejtë për pushim dhe kohë të lirë, duke përfshirë kufizimin e arsyeshëm të orarit të punës dhe pushimin e paguar tё herёpashershёm.


Neni 25.

  1. Secili ka të drejtë për një nivel jetese qё siguron shёndetin dhe mirёqenien e tij dhe tё familjes së tij, duke përfshirë kёtu ushqimin, veshmbathjen, strehimin, kujdesin mjekësor dhe shërbimet e nevojshme sociale, si dhe të drejtën për të qenë i siguruar në rast papunёsie, sëmundjeje, invaliditeti, vejёrie, pleqërie ose nё raste të tjera të mungesёs sё mjeteve të jetesës për shkak të rrethanave që nuk varen nga vullneti i tij.
  2. Nënat dhe fëmijët kanë tё drejtёn për kujdes dhe ndihmë të posaçme. Të gjithë fëmijët, të lindur nё marrёdhёnie martesore apo jashtёmartesore, gёzojnё mbrojtje tё njёjtё sociale.


Neni 26.

  1.  Secili ka të drejtën e arsimit. Arsimi duhet të jetë falas, të paktёn në fazat e arsimit fillor dhe themelor. Arsimi fillor është i detyrueshëm. Arsimi teknik dhe profesional duhet të jetё i pёrgjithshёm, ndёrsa arsimi i lartë duhet t'u bëhet i mundshëm të gjithëve në mёnyrё tё barabartё nё bazë të aftёsisё.
  2. Arsimi duhet të synojё zhvillimin e plotë tё personalitetit të njeriut dhe forcimin e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore tё njeriut. Ai duhet të nxitë mirёkuptimin, tolerancën dhe miqësinë midis të gjitha kombeve, grupeve raciale ose fetare, si dhe veprimtarinë e Kombeve të Bashkuara për ruajtjen e paqes.
  3. Prindёrit kanё tё drejtёn parёsore pёr zgjedhjen e llojit tё arsimit pёr fёmijёt e tyre.


Neni 27.

  1. Secili ka të drejtë të marrë pjesë lirisht në jetën kulturore të bashkësisë, të gёzojё artet dhe tё marrё pjesё nё përparimin shkencor dhe nё dobitë qё sjell ajo.
  2. Secili ka të drejtë të mbrojë interesat morale dhe materiale që rrjedhin nga çdo krijimtari shkencore, letrare ose artistike, krijues i të cilave është ai vetë.


Neni 28.

Secili ka të drejtë për një rend shoqëror dhe ndërkombëtar në të cilin mund të realizohen plotësisht të drejtat dhe liritë e shpallura në këtë Deklaratë.


Neni 29.

  1. Secili ka detyrime ndaj bashkësisё ku vetёm aty i mundёsohet zhvillimi i lirë dhe i plotë i personalitetit të tij. 
  2. Në ushtrimin e tё drejtave dhe lirive të veta, secili do t'u nënshtrohet vetëm atyre kufizimeve të cilat janë pёrcaktuar me ligj, vetёm me qëllim të sigurimit tё njohjes dhe tё respektimit tё domosdoshёm tё tё drejtave dhe lirive të të tjerëve dhe të plotësimit tё kërkesave tё drejta të moralit, tё rendit publik dhe tё mirëqenies së përgjithshme në njё shoqëri demokratike.
  3. Këto të drejta dhe liri kurrsesi nuk mund të ushtrohen në kundërshtim me qëllimet dhe parimet e Kombeve të Bashkuara.


Neni 30.

Asnjё dispozitё e kёsaj Deklarate nuk mund të interpretohet si e drejtë e një shteti, grupi apo personi për të zhvilluar çfarëdo veprimtarie ose për të kryer një akt qё synon shkeljen e tё drejtave dhe lirive tё pёrmbledhura e tё shpallura nё këtë Deklaratë. 



(Përkthyer nga Zyra e Komesariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara Për të Drejtat e Njeriut)



© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

8,696 Lexime
2 vjet më parë