Procesi i të nxënit

Përkushtimi i mësuesit ndaj nxënësit

Mësuesi përpiqet të ofrojë më të mirën e mundshme profesionale për nxënësit e tij dhe pranon kontributin e tyre në procesin e krijimit dhe të përvetësimit të njohurive.

Shkolla dhe profesioni i mësuesit kërkojnë që mësuesi, në vendimmarrjet e tij profesionale në ushtrimin e profesionit, të ketë përparësi cilësinë e të nxënit, mirëqenien dhe sigurinë e nxënësit.


Zbatimi i sjelljeve që burojnë nga parimet e mëposhtme krijonmodelin e mësuesit që vlerëson si parësor interesin më të mirë të nxënësit dhe të të nxënit të tij.


Mësuesi i përkushtohet të gjithë nxënësve njëlloj dhe ushqen potencialin qytetar, shoqëror, intelektual, emocional dhe fizik të tyre.


Mësuesi beson në suksesin e çdo nxënësi dhe siguron kushtet e të nxënit për të gjithë.

Mësuesi nxit dhe motivon të gjithë nxënësit për zhvillimin e plotë të potencialit të tyre intelektual, fizik, emocional, shoqëror e qytetar.


Mësuesi njeh, kupton parimet e vlerësimit dhe i zbaton ato saktësisht, në mënyrë të ndershme, të paanshme e jo diskriminuese në praktikën e tij profesionale.


Mësuesi vlerëson nxënësit në bazë të kritereve të pranuara të vlerësimit dhe regjistron e raporton rregullisht te të interesuarit (nxënësit, prindërit, shkollën etj.) për arritjet dhe progresin e tyre.


Mësuesi përpiqet të ofrojë më të mirën e mundshme profesionale për nxënësit e tij dhe pranon kontributin e tyre në procesin e krijimit dhe të përvetësimit të njohurive.


Mësuesi i ndihmon nxënësit të vlerësojnë identitetin e tyre, të mësojnë më shumë rreth trashëgimisë së tyre kulturore dhe të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre qytetare dhe shoqërore.

Mësuesi trajton të gjithë nxënësit në mënyrë të barabartë dhe me respekt, në përputhje me ligjin, me dinjitetin dhe vlerat e tyre të brendshme.


Mësuesi lufton sjelljet dhe praktikat e pandershme, korruptive e të paligjshme që bien ndesh me këtë kod dhe angazhohet për standarde të larta etike në marrëdhënie me nxënësit.


Mësuesi është model i sjelljes dhe i zgjidhjeve paqësore në marrëdhëniet me nxënësit dhe të gjithë të tjerët.


Mësuesi njeh të gjitha format e mundshme të dhunës (fizike, psikologjike, etj.) ndaj nxënësve, brenda dhe jashtë mjedisit arsimor, dhe i shmang e i lufton ato së bashku me nxënësit.


Mësuesi njeh, kupton dhe zbaton parimet e përgjithshme të Konventës së të drejtave të fëmijës, në mënyrë të veçantë, parimin e interesit parësor të fëmijës dhe atë të trajtimit të barabartë të tij.


Mësuesi trajton me respekt dhe mirëbesim çdo informacion personal dhe të ndjeshëm për nxënësin dhe nuk e bën atë publik, nëse një gjë e tillë nuk i kërkohet nga ligji.

Mësuesi është i vetëdijshëm për kufijtë e tij profesionalë në marrëdhëniet me nxënësit dhe respekton ato në mjedisin arsimor.


(Portali Shkollor)

4,378 Lexime
6 vjet më parë