"Tri lëndë në gjashtë orë"

Plani mësimor, anglisht, klasa e VI

Plani mësimor për lëndën gjuhë e huaj, anglisht, klasa e gjashtë është përgatitur nga mësuesja Odensa Kraja. Ftojmë të gjithë mësuesit që na ka në shkruar duke kërkuar një model plani për këtë lëndë të shikojnë materialin në vijim.

Rezultatet e të nxënit  të kompetencave kyçe që realizohen nëpërmjet lëndës së gjuhës së huaj gjatë shkallës të tretë.


Kompetenca e komunikimit dhe të shprehurit

  • Shpreh përjetimet që e kanë shoqëruar gjatë shikimit  dhe dëgjimit të një filmi, dokumentari, ekspozite, dramatizimi, recitimi, etj.  në njërën nga format shprehëse (me gojë, me shkrim, vizatim, mimikë, lëvizje etj).
  • Dëgjon me vëmendje prezantimin e tjetrit dhe merr pjesë në diskutim me fjali të thjeshta, mbi tema të njohura, me kusht që bashkëfolësi të jetë i gatshëm të përsërisë apo riformulojë frazat e tij.
  • Lexon saktë me zë një tekst të shkurtër me fjalë të njohura dhe tematikë nga jeta e përditshme.
  • Shkruan një tekst të shkurtër e të thjeshtë për  një temë të njohur.
  • Identifikon personazhet kryesore të një tregimi, drame, filmi, kënge, etj., dhe luan rolin e njërit prej personazheve në bashkëveprim me moshatarët.
  • Shpreh me gojë dhe me shkrim fjali të thjeshta në gjuhën e huaj dhe i përkthen në gjuhën amtare.
  • Shkruan një kartolinë të shkurtër e të thjeshtë, një urim, plotëson një pyetësor me detaje personale.       

 

Kompetenca e të menduarit

  • Sqaron me anë të të folurit hapat e zgjidhjes së një problemi të  thjeshtë, me të cilin ballafaqohet në një situatë jetësore.
  • Identifikon për një temë/ngjarje, personazhet, kohën, vendin, etj.
  • Shprehet pro dhe kundër për një mendim, qëndrim,  sjellje të manifestuar nga një apo më shumë persona (në klasë/shkollë apo jashtë saj).


Kompetenca e të nxënit

  • Ndjek udhëzimet e dhëna në një tekst për të realizuar  një veprim / aktivitet / detyrë,  që kërkohet.
  • Pyet dhe përgjigjet lidhur me tematika nga jeta e përditshme, me një fjalor të thjeshtë.
  • Zgjidh në mënyrë të pavarur, por edhe me ndihmën e mësuesit problemin, detyrën e dhënë duke e prezantuar para të tjerëve.
  • Grumbullon dhe klasifikon materialet e performancës së vet, për përgatitjen apo pasurimin e portofolit personal.
  • Shfrytëzon burime të ndryshme  informacioni për përgatitjen e një teme të dhënë.
  • Identifikon dhe krahason informacionet e njohura  për një temë, çështje apo ngjarje të caktuar nga jeta e përditshme duke përdorur  teknika të ndryshme (p.sh duke i shënuar me shenja të ndryshme).           
  • Krahason përparimin e tij, me përvojën paraprake gjatë kryerjes së një detyre apo një veprimtarie të caktuar.
  • Përdor portofolin personal si mjet për identifikimin e përparësive dhe mangësive të veta në fusha të caktuara, duke hartuar një plan pune me hapa konkrete për përmirësim.
  • Prezanton për 3 minuta veten, shkollën, familjen, dëshirat, etj., me fjali të thjeshta.


Kompetenca për jetën, sipërmarrjen  dhe mjedisin

  • Përgatit një plan të thjeshtë ditor me shkrim, për dy- tri aktivitete ditore,  duke pasur parasysh kohën, vendin, materialet dhe mjetet e nevojshme për kryerjen e detyrës.
  • Gjen të përbashkëtat dhe ndryshimet ndërmjet aktiviteteve,  që organizohen në shkollë me ato në shtëpi dhe i përshkruan në mënyrë individuale përmes njërës nga format e të shprehurit duke i diskutuar në grup.
  • Identifikon burimet e nevojshme (materiale, mjetet,..etj) dhe i përdor në mënyrë të drejtë për kryerjen e një detyre/aktiviteti në klasë, në shkollë, në shtëpi.
  • Përgatit një autobiografi ku prezanton veten, të dhënat personale dhe prirjet, që ka për fusha të caktuara, si dhe profesionin e dëshiruar.
  • Përgatit një plan pune një javor.
  • Diskuton me një fjalor të thjeshtë për mënyrën e sjelljes së nxënësve në klasë, në shkollë dhe mjedise të tjera në një situatë të caktuar, duke prezantuar idetë nëpërmjet shembujve konkretë.

Kompetenca personale

  • Bashkëpunon me të tjerët pavarësisht prejardhjes, aftësive dhe nevojave të veçanta për arritjen e një qëllimi të përbashkët në aktivitetet  në klasë, shkollë apo jashtë saj.
  • Bashkëpunon në mënyrë aktive me të gjithë moshatarët (pavarësisht prejardhjes së tyre, aftësive dhe nevojave të veçanta) drejt arritjes së një qëllimi të përbashkët. (projekti/ aktiviteti në bazë klase /shkolle apo jashtë saj).

Kompetenca qytetare

  • Përcakton  rregullat  e punës në grup,  në bashkëpunim me anëtarët e grupit. 
  • Shpreh mendimin duke kërkuar paraprakisht leje nga grupi, respekton mendimin e secilit anëtar të grupit duke i dëgjuar në mënyrë aktive, vendos duke bashkëpunuar me të gjithë anëtarët, për mënyrat që çojnë drejt përfundimit të një aktiviteti të caktuar. 
  • Shpreh, dëgjon dhe respekton mendimin e secilit anëtar dhe vendos për mënyrat e përfundimit të një aktiviteti të përbashkët.

Kompetenca digjitale

  • Identifikon personazhet, kohën, vendin e një teksti të shkurtër të dëgjuar (nga mjetet audio-vizuale), të shprehur qartë dhe ngadalë. 
  • Realizon punime origjinale, vetjake duke përdorur  figurat e gjetura nga burime informacioni, si një formë për të shprehur emocionet e tyre. 
  • Përdor teknologjinë digjitale për të gjetur informacionin e nevojshëm.

(Portali Shkollor)

12,088 Lexime
6 vjet më parë