KARANTINIMI

Po mërziteni brenda në shtëpi? Dhjetë këshilla për fëmijët deri në dhjetë vjeç

Fëmijë të dashur, në këto ditë jo fort të bukura, përpiquni të mos bëni kotësinë mikun tuaj. Ja dhjetë këshilla, si t'i shfrytëzoni këto ditë, nga pedagogia dhe shkrimtarja e librave për fëmijë, Natasha Shuteriqi Poroçani.

1. Fëmijë të dashur, në këto ditë jo fort të bukura, përpiquni të mos bëni kotësinë mikun tuaj. Zgjohuni si çdo ditë në mëngjes, mendoni se do të shkoni në shkollë. Niseni ditën si një ditë të zakonshme mësimi, që do të thotë: hapini librat, kompjuterat, enciklopeditë dhe vazhdoni të mësoni.


2. Vini në punë imagjinatën. Përfytyroni se shtëpia juaj është një planet shumë larg Tokës. Ju jeni me fat: do ta  shijoni atë planet për disa ditë pa u kthyer në Tokë. Mendoni se si mund ta bëni të bukur dhe interesante jetën në këtë planet imagjinar.


3. Pjesën më të madhe të kohës mami, babi, motra, vëllai, gjyshërit janë aty me ju. Shijojeni këtë gjë. Unë e di që pasi e gjitha kjo të marrë fund, prindërit do nxitojnë në punë e vëllezërit e motrat në shkolla. Por ama tani i keni aty. Shijojeni këtë gjë dhe mos u kurseni. Thuajuni në sy tërë kritikat që nuk keni mundur tua thoni më parë. Tregojini sa shumë i doni dhe se sa shumë nevojë keni që të kaloni edhe më tepër kohë me ta.


4. Flisni me prindërit tuaj. Flsini për probleme të ndryshme. Keni gjithë kohën e duhur për të qartësuar gjërat tuaja. Largojeni vëmendjen nga ai armiku i padukshëm që rri pas xhamit.


5. Forconi miqësitë me shokët tuaj duke folur në telefon, në video call, në mesazhe. E nëse nuk i keni këto mundësi, shkruani nga një letër çdo ditë për shokët tuaj. Pastaj kur shkolla të rinisë, do tua jepni. Vetëm mos heshtni, tregojini që i keni shumë xhan.


6. Shikoni duart tuaja. Me to mund të bëni shumë gjëra. Ndërtoni një album, ndërtoni një kështjellë me plastelinë, ndërtoni një byzylyk të bukur për motrën me makarona rruazë. Vërini duart tuaja në punë dhe do ta shikoni se sa shumë gjëra dini të bëni me to.


7. Lexoni libra. Ata janë miq të vërtetë, sepse ju rrëmbejnë dhe ju dërgojnë në vende të bukura, atje ku tani për tani nuk mund të shkoni. Lexoni libra dhe mes fjalëve shijoni detin, qiellin, malin e mbuluar me dëborë. Lexoni libra dhe koha juaj do të rrëshqasë si vetë syri që rrëshqet mes rreshtave.


8. E di ç`them unë? Shkruani dy ditarë: në të parin tregoni se si është dita juaj në këto kohë, ndërsa në të dytin shkruani se si do të donit ju të ishte ajo. Pastaj ruajini që kur të rriteni, t`i vini përballë njëri tjetrit dy ditaret, do të kuptoni se sa të mençur keni qenë.


9. Këndoni herë pas here. Është shumë bukur të këndosh. Madje, pse jo, ndërto një orkestër të vogël me gjyshërit. Ata asnjëherë nuk ju thonë jo. Veglat muzikore? Aty përreth i keni, vetëm bëni pak mundim dhe gjejini.


10. Dhe së fundmi, mos harroni lani duart, edhe kur mendoni se i keni të pastërta, përsëri lajini. Ju keni shumë besim te mjekët, unë këtë  e di se ma keni thënë ju vetë. Shumë mirë. Pra mjekët thonë, lajini duart, mbani maska dhe stop me HI5!


Forca zemrat e vogla! Do ia dalim.



(Natasha Shuteriqi Poroçani; Portali Shkollor)

19,158 Lexime
6 muaj më parë