Shmangni Pyetjet e gabuara

Prindër, kini kujdes kur flisni me fëmijën për ushqimin!

Fjalët “hëngre”, “u ngope” ushqejnë dhe mbajnë gjallë mekanizmat bazikë “të urisë” dhe frikës se nuk do të ketë më. Ndërsa kur përdoren fjalët apo shprehjet: “u kënaqe”, “të pëlqeu” “çfarë shije kishte”, vihen në punë kurioziteti, kujtesa...

E ngrëna është një proces instiktiv, por po me këtë proces, fillon edhe fjala, që është veti vetëm e njeriut. Pra, e ngrëna si proces psiqik, qëndron në themel të mendimit dhe artikulimit të fjalës. 


Kështu, specialistët këshillojnë me ngulm, që të kihet shumë kujdes gjatë periudhës së fëmijërisë së hershme, periudhë, që fëmija ushqehet nga të tjerët. Ushqyerja e sforcuar, duke filluar nga luga e madhe dhe duke vazhduar me ushqyerjen shpejt nga i rrituri, dëmtojnë si fizikisht muskujt, që shërbejnë për artikulim e fjalës, po ashtu edhe proceset e mekanizmat psiqike të të nxënit (të të mësuarit). Ushqyerja e sforcuar prek direkt durimin dhe kurajën, për të artikuluar mendimin.


Shpesh dëgjoj prindër që i drejtohen fëmijëve kur i takojnë: “a hëngre” ose “u ngope”, sikur fëmija është çuar në kopsht, vetëm për të ngrënë dhe jo për të mësuar. Këto pyetje janë si ajo thika me dy presa, që bën vetëm dëm. Natyrisht që fëmija duhet pyetur edhe për ushqimin, por jo që në fillim dhe në një mënyrë kaq të përgjithshme dhe sidomos pa kujdes për fjalët e përdorura. 


Mund ta pyesni pasi keni marrë informacionin për gjërat e reja që ka mësuar. Pyeteni fëmijën: “të pëlqeu”?! apo “e shijove”?! “ishte një ushqim i ri”?! dhe jo “a hëngre”?, apo “u ngope”? Nëse një prind e pyet fëmijën “a hëngre” apo “u ngope” kur kthehet nga kopshti apo festa, i demonstron fëmijës, se ato që ka mësuar apo shijuar, nuk i interesojnë. I tregon se e ka çuar në atë vend sepse, në shtëpi nuk i ka ato ushqime. 


Prindër! Kini kujdes kur flisni me fëmijën, njerëzorja nuk është një gjë e lindur si instinkti i të ngrënës, ajo mësohet dhe kërkon shumë kujdes, shumë vëmendje dhe mbi të gjitha, kujdes për fjalët që përdorni. Fjalët “hëngre”, “u ngope” ushqejnë dhe mbajnë gjallë mekanizmat bazikë “të urisë” dhe frikës se nuk do të ketë më. Ndërsa kur përdoren fjalët apo shprehjet: “u kënaqe”, “të pëlqeu” “çfarë shije kishte”, vihen në punë kurioziteti, kujtesa, rijetimi i shijes apo situatës dhe shmangen strukturat psikoemocionale të mbijetesës. 


(Lira Gjika, pediatre)

759 Lexime
3 vjet më parë