STUDIMI

Provimet e maturës, si të përmirësoni kujtesën?

Për të gjithë maturantët që do t'i nënshtrohen provimeve ju sjellim disa teknika studimi se si mund të përmirësoni kujtesën. Këshillat vijnë nga ekspertë të huaj të cilët merren me këtë fushë.

Periudha e provimeve shoqërohet me orë të gjata studimi dhe gjendje ankthi apo stresi për arritjen e rezultateve të dëshiruara. Por nuk është e vështirë nëse do të dini të ndiqni disa taktika apo këshilla të vlefshme pikërisht për këtë situatë. Ato do t’ju ndihmojnë të përforconi kujtesën dhe të studioni në mënyrë efikase. Sugjerimet vijnë nga ekspertë të huaj, të cilët janë marrë dhe merren vazhdimisht me këtë çështje e që punojnë në universitetet më me emër të vendeve të zhvilluara si: SHBA, Angli, Itali etj. 

Njëzëri ata pohojnë se koha që i dedikohet studimit duhet të ndahet në tre momente: koha përpara, gjatë dhe pas studimit. 


1 - Çfarë duhet të bëni përpara se të uleni dhe të studioni? 

• Është e rëndësishme që para se të arrini në këtë moment duhet të jeni të relaksuar, të ushqyer mirë dhe të çlodhur. Pra, hani dhe flini në mënyrën më të mirë të mundshme. 

• Fiksoni objektivat, ose më saktë vendosni se sa kohë do t’i dedikoni studimit. 

• Identifikoni objektivat e arritshme për ju. 

• Bëni një listë të gjërave që mund t’ju shpërqendrojnë dhe mbajni ato larg jush. Me siguri mund të jetë celulari, që përveçse duhet ta vendosni në një dhomë tjetër duhet edhe ta fikni. 

2 - Po gjatë kohës që studioni? 

• Sipas ekspertëve, për t’u impenjuar në mënyrën më efikase është e dobishme të studioni në cikle të përbëra prej 25 minutash, të ndara nga njëri-tjetri prej pushimesh 5 minutëshe. Pas tri ciklesh 25 minutëshe (rreth një orë e gjysmë studim), mund të bëni një pushim më të gjatë, prej 15 minutash për shembull, por jo më shumë se kaq, sepse përndryshe mund të shpërqendroheni. 

• Lexoni në mënyrë aktive dhe kritike, ose mund të nënvizioni ose të vendosni pyetje aty ku mendoni se informacioni është më i rëndësishëm. Për shembull nëse jeni duke studiuar një personazh historik, mund të mendoni se si do të ishit sjell ju po të ishit në vend të tij/saj. Në këtë mënyrë do ta keni shumë të lehtë të kujtoni profilin e tij, ndërsa në të njëjtën kohë do të riforconi edhe shpirtin kritik. 

• Në fund veçoni konceptet kyçe që mund të jenë të dobishme në fund të ndërtimit të hartës tuaj konceptuale. 

3 - Po pas studimit?   

Sapo të keni mbaruar studimin, vjen momenti që ju duhet të përsërisni ato që keni mësuar, por sigurisht duke evituar stresin! Përqendrohuni te informacionet e veçuara nga vetë ju, në mënyrë që t’i fiksoni sa më mirë. Ju mund të bëni përsëritje sërish edhe pasi të kenë kaluar tri ditë të tjera nga studimi. Por mos harroni, gjithmonë përsërisni me zë të lartë! 


Suksese! 

(Përshtati: Nanila Allkja Biçaku, Portali Shkollor) 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

6,124 Lexime
3 vjet më parë