Leximi gjatë pushimeve

Pse fëmijët duhet të lexojnë edhe gjatë kohës kur janë me pushime? Këshilla nga mësuesja Violeta Kuqi

Ku qëndron rëndësia e të lexuarit? Çfarë duhet të lexojnë nxënësit gjatë pushimeve verore dhe a është e nevojshme që ata të mbajnë shënime rreth atyre që lexojnë? Përgjigjet e këtyre pyetjeve gjenden në shkrimin e mëposhtëm, shkruar nga mësuesja e arsimit fillor, Violeta Kuqi.

Dimë që leximi na pasuron jetën, na bën të zot që të përdorim fjalët e duhura dhe të bukura, në kohën e duhur, për të shprehur mendimet tona, rreth atyre që na rrethojnë. Të lexosh një libër do të thotë të hysh rreth botës, rreth ngjarjeve që ajo përcjell, rreth personazheve të njohur e të panjohur. Çdo libër është një hapësirë, që na fton të hyjmë e të shumëfishojmë jetët tona. Ai është një dritare e hapur ku përpara nesh kalojnë njerëz me historitë e tyre që nga kohët e lashta deri në ditët e sotme e në vazhdim. Libri është mjeti i pa zëvendësueshëm që mbush me informacion të gjitha mjetet e tjera kompjuterike. Të gjithë njerëzit nga më i vogli tek më i madhi duhet të lexojnë .


Po ku qëndron rëndësia e të lexuarit?

  1. Libri na edukon nëpërmjet informacionit që ata përcjellin.
  2. Libri na mban të shëndetshëm trurin, pasi e stimulon atë që të punojë në mënyrë të vazhdueshme.
  3. Libri nxit aftësitë krijuese tek të gjithë kryesisht tek fëmijët.


Çfarë duhet të lexojnë nxënësit gjatë pushimeve verore?


Nxënësit e klasës së parë tani dinë të lexojnë vetë tekste. Për këta fëmijë rekomandohet që të lexojnë tregime, përralla, fabula, gjëegjëza, poezi etj, që janë jo shumë të gjata, por të shoqëruara me ilustrime përkatëse.  Nxënësit e klasave të dyta, të treta, të katërta dhe të pesta, sugjerohen jo vetëm tekste letrare si tregime, përralla, poezi, fabula, gjëegjëza, mite e legjenda, por edhe tekste jo letrare, si tekste përshkrues, informues, udhëzues, këshillues etj. Të gjitha llojet e librave pasurojnë botën e fëmijëve dhe i mban ata gjithmonë të lidhur me shkollën, me përditësimin e ngjarjeve të ndryshme, me afrimitetin e tyre me të tjerët, me ringjalljen e kujtimeve të bukura që kanë kaluar në shkollë. 


A është e nevojshme që fëmija të mbajë shënim rreth asaj që lexon?


Dimë që një ngjarje mbahet mend kur ajo shkruhet në fletë. Kjo bën ngulitjen e informacionit për një kohë të gjatë dhe e bën fëmijën që ta rilexojë sa herë që i duhet atë gjë që ka shkruar dhe i jep aftësinë e të lidhurit bukur të mendimeve në fjali dhe përdorimin e drejtë të shenjave të pikësimit.

  • Çdo fëmijë kur të përfundojë së lexuari një libër gjatë pushimeve verore të shkruajë në një fletë ditari shkurt ngjarjen me 5-6 fjali.
  • Një ose dy cilësi të personazheve të pjesës.
  • Nxjerrjen e mesazhit të pjesës së lexuar.


Kështu fëmija mban të paharruar mënyrën e të lexuarit dhe të shkruarit. Të mbash ditar për fëmijët e Arsimit Fillor është një gjë shumë e bukur, sepse i mëson artin e të shkruarit dhe të krijuarit.



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,776 Lexime
10 muaj më parë