Metoda

Si të reagoni ndaj sjelljes jo të mirë të nxënësve

Një klasë mund të ketë lloj-lloj nxënësish, të sjellshëm e të pasjellshëm. Këta të fundit kanë nevojë për vëmendje të veçantë për t'i kthyer në rrugën e duhur. Nëse po kaloni kohë të vështirë me nxënës të caktuar në klasën tuaj, provoni strategjitë e mëposhtme.

Mbajini pranë vetes


Në një mjedis klase, shpesh do të zbuloni se nxënësit që bëjnë zhurmë priren të ulen në fund të klasës, gjë që i bën më të “padukshëm”. Ulja e nxënësve të tillë në skajin e kundërt të klasës, diku afër tryezës suaj, i bën ata lehtësisht të dallohen dhe pengon veprime të tilla.



Flisni me ta privatisht


Thirrja e nxënësve përpara klasës rrallë rezulton e dobishme. Mund të ngjallë pakënaqësi dhe mosdisiplinë të mëtejshme. Gjithashtu, mos i fajësoni nxënësit para miqve të tyre. Përkundrazi, kërkojini atij/asaj që t'ju takojë pas mësimit, dhe mund të zbuloni arsyen që qëndron pas sjelljes së tyre.



Arsyet e sjelljes së keqe


Veprimi mund të jetë tregues i problemeve familjare në shtëpi. Për shembull, prindërit e nxënësit mund të jenë të divorcuar, që do të thotë se ai/ajo po përballet me sfidën e ndarjes nga njëri prind.


Nxënësit gjithashtu sillen keq nga një nevojë e perceptuar për t'u bërë përshtypje bashkëmoshatarëve. Ju mund ta trajtoni këtë me një shembull të jetës reale se si të vepruarit në klasë nuk është zgjidhja më e mirë. 



Bëhuni model 


Zbatimi i rregullave në një klasë është e vështirë nëse nuk i ndiqni ato vetë. Përveçse keni rregulla të qarta, ju duhet të jeni të parët që praktikoni atë që thoni. Përndryshe, nxënësit do të priren të ndjekin shembujt tuaj në vend të fjalëve tuaja. Nëse i qortoni ata për vonesë, për shembull, shkoni herët çdo ditë.



Ndani të drejtën nga e gabuara


Ndonjëherë, veçanërisht kur keni të bëni me fëmijë të vegjël, nxënësit mund të mos e dinë se çfarë është sjellje e papranueshme në klasë. Ata mund ta dinë se të luash video lojëra në klasë është e gabuar ose të lexosh "Hirushen" në mes të një mësimi nuk lejohet. Ndihmoni që ta bëjnë të qartë kufirin midis së drejtës dhe të gabuarës.



Përqendrohuni më shumë në shpërblime sesa në ndëshkime


Shpërblimet mund të jenë çdo gjë, karamele ose komplimente të thjeshta për të vlerësuar përpjekjet e tyre. Ju gjithashtu mund t'i bëni aktivitetet në klasë aq tërheqëse, saqë nxënësit nuk duan të prishin atë që po ndodh.



Përvetësoni teknikën e mësuesit të kolegëve


Pavarësisht se sa miqësor dhe mikpritës mund të përpiqeni të jeni, ndonjëherë një nxënës që sillet keq ka nevojë për supin e një bashkëmoshatari ku të mbështetet. Ai person mund të jetë dikush që kalon të njëjtat përvoja jetësore ose thjesht një figurë jo autoritative.


Duke përdorur teknikën e mësuesit të kolegëve, bëni bashkë nxënësin e sjellshëm ("tutorin") me një nxënës jo aq të sjellshëm. Ndërsa ata janë duke punuar, "nxënësi" mund të marrë ndonjë mësim rreth sjelljes së duhur. Është e rëndësishme që të flisni me studentin mentor dhe t'i shpjegoni se çfarë synoni të arrini dhe çfarë mund të bëjë ai/ajo për të ndihmuar.



E fundit, por natyrisht jo më pak e rëndësishmja, mos hiqni dorë kurrë nga një nxënës në dukje kokëfortë. Ndonjëherë kjo kërkon minuta, herë të tjera zgjat javë. Jini të durueshëm dhe kurrë mos lejoni që zhgënjimet tuaja t'ju pushtojnë.



Burimi: Klikoni këtu 

 

Përgatiti: Era Baliu, gazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

5,051 Lexime
2 vjet më parë