Sjellje

Pse-të e fëmijëve, si t’u përgjigjeni atyre me durim në klasë dhe shtëpi

Si mësuesit edhe prindërit janë shpeshherë në të njëjtat situata të ngjashme, njëra palë në familje dhe tjetra në klasë në momentin kur fëmijët thonë pse-të e tyre. Por si t’i përgjigjeni atyre? Sa të gatshëm jeni t’i përgjigjeni në mënyrën e duhur dhe me qetësi?Më poshtë vijnë këshilla nga Iriana Papamihali.

Pyetja më e zakonshme dhe më e sinqertë që bën një fëmijë është “PSE?”, dhe sa herë ne mundohemi t’ju shpjegojmë diçka fëmijëve, PSE-të vazhdojnë radhazi. Kjo situatë ndonjëherë bëhet e sikletshme, sepse pyetjet e fëmijëve janë njëra pas tjetrës dhe të duket sikur nuk kanë fund. Atëherë natyrshëm lind pyetja: Sa të gatshëm jemi ne për t’ju përgjigjur këtyre PSE-ve? A jemi ne në gjendje të bindim mendjet e vogla me përgjigjet tona?

Puna ime prej dy dekadash si mësimdhënëse dhe si autore tekstesh shkollore, më ka bërë që për çdo koncept apo përkufizim të jap edhe përgjigjen e pyetjes PSE? Sa herë shpjegoj një koncept gjithmonë në mendjen time rri pyetja PSE? Nga përvoja ime jetësore dhe profesionale, tashmë jam e përgatitur për të papriturat e tipit - PSE? 


Në klasë

Në klasë argumentimi shkencor i një koncepti bëhet duke përdorur së pari fjalorin e duhur specifik për lëndën. Nuk mund ta japësh të njëjtin koncept njësoj për çdo nivel klasash. Për çdo grupmoshë ka përgatitje metodologjike të ndryshme. Më ka qëlluar që një temë ka qenë e njëjta në disa klasa, 6,7,8,9. Atëherë përgatitja ime për atë temë ka qenë e ndryshme, sepse njohuritë janë si një spirale që sa vjen dhe zgjerohet deri në klasën e 9-të. Zgjerimi i njohurive pasqyrohet edhe në tekstet shkollore. Kjo kërkon një përgatitje paraprake të diferencuar, ku krahas temës unë zgjedh edhe veprimtarinë përkatëse për çdo nivel klasash. Mendoj që sa më të përgatitur të jemi shkencërisht për lëndën tonë, aq më mirë do të dimë t’u përgjigjemi PSE-ve të fëmijëve dhe nxënësve.


Përgjigja jonë ndaj pyetjes PSE?


Rëndësi ka që edhe kur ne nuk dimë t’u japim përgjigjen në moment, mos ta keq informojmë nxënësin dhe në një moment të dytë t’i rikthehemi përsëri, atëherë kur të jemi gati për t’u dhënë përgjigjen e duhur.

Si mësuesit edhe prindërit janë shpeshherë në të njëjtat situata të ngjashme, njëra palë në familje dhe tjetra në klasë. Fëmijëve dhe nxënësve në ditët e sotme nuk mund t’u japësh përgjigje të tipit: “Kjo bëhet kështu se kështu duhet...”, apo “kështu bëhet se kështu e kemi bërë edhe ne...”, apo më keq akoma, “bëje kështu se kështu them unë”. 


Nëse veprojmë kështu, atëherë nuk duhet të pretendojmë për të pasur vëmendjen dhe interesin e fëmijëve apo të nxënësve gjatë komunikimit me ta. Fëmijët në këtë moment do të largohen, ose do mundohen të bëjnë diçka tjetër pa u dhënë rëndësi fjalëve tona. Është normale që fëmijët të bëjnë pyetje, sepse ata rrethohen nga plot të panjohura. Argumentimi duhet dhënë për çdo pyetje që ata shtrojnë. Por ka të bëjë mënyra si ne e japim këtë argumentin, sa përshtatet kjo me interesin e tyre, moshën dhe pritshmëritë. Nuk është e thjeshtë sot të bindësh një fëmijë. Nëse me një të rritur t’i jep mendimin tënd dhe thua kështu e mendoj unë, me një fëmijë kjo nuk funksionon gjithmonë. Atëherë kur jeni përpara një fëmije duhet të përgatiteni që pas çdo përgjigje tuajën për pyetjen e parë, të jetë gati edhe për përgjigjen e dytë të pyetjes pasuese “PSE?”.


Durimi

E vërteta është që shpeshherë na mungon durimi me fëmijët. Durimi në marrëdhënien me fëmijët, është përbërësi kryesor. Me një fëmijë duhet të kemi durim dhe jo pak. Vetë natyra e fëmijës është që të eksplorojë, të prekë, të vrapojë, me një fjalë të jetë i papërmbajtshëm, plot energji dhe kërshëri për botën e rrethon. Për këtë arsye kërkohet nga në të rriturit të kemi durim e t’i bindim me argumente. Fjala e duhur zë vend në zemrën dhe mendjen e një fëmije. Ata janë në gjendje të të çlodhin me një shikim, me një përqafim ose me një buzëqeshje. 


Më vjen në mendje shprehja: “Shikoje botën me sytë e mi (e fëmijës) dhe do të mrekullohesh”. Bota e fëmijëve është një botë e pasur me imagjinatë. Të jemi në lartësinë e duhur në komunikimin tonë me fëmijët duke mos ua prerë krahët e imagjinatës krijuese. Për asnjë arsye nuk duhet t’ua frenojmë dhe ngurtësojmë imagjinatën krijuese. Ta lemë këtë imagjinatë të zhvillohet bashkë me fëmijët duke e bërë të pamundurën të mundur. 


Misioni ynë si mësimdhënës është që të edukojmë një brez me vlera dhe t’i mësojmë rrugën se si t’i njohë dhe t’i pasurojë këto vlera dhe të jemi të gatshëm t’u përgjigjemi sa më qartë pyetjeve të tyre “PSE?”.





Nga Iriana Papamihali

Artiste, mësimdhënëse, autore teksteve shkollore


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

445 Lexime
4 javë më parë