Psikologia Mirjeta Pestisha: Nëse jeni prindër të fëmijëve të klasave 6-9, lexoni me kujdes disa histori që po ndodhin çdo ditë në shkollat tona!
Në shkollat tona po shfaqen gjithnjë e më shumë sfida që kërkojnë vëmendje: bullizmi, përdorimi i rrjeteve sociale pa kontroll, ndikimet e moshës dhe sjelljet me rrezik. Një reflektim i bazuar në rastet e sjella nga psikologia Mirjeta Pestisha për të ndërgjegjësuar prindërit dhe shoqërinë.
Në një kohë kur ritmi i jetës, teknologjia dhe ndikimet sociale po ndryshojnë me shpejtësi, sfidat që përjetojnë fëmijët dhe adoleshentët tanë po bëhen gjithnjë e më komplekse. Shpesh, të rriturit shohin vetëm një pjesë të vogël të realitetit që fëmijët përjetojnë çdo ditë në shkollë, në marrëdhëniet me bashkëmoshatarët dhe në botën virtuale ku kalojnë një pjesë të konsiderueshme të kohës së tyre.
Psikologia Mirjeta Pestisha sjell disa raste dhe situata të hasura në përditshmërinë e shkollave, jo për të frikësuar, por për të ndërgjegjësuar. Janë histori që kërkojnë vëmendje, reflektim dhe bashkëpunim më të madh mes prindërve, shkollës dhe institucioneve.
Nga rastet dhe reflektimet e psikologes Mirjeta Pestisha
Nëse jeni prindër të fëmijëve të klasave 6-9, lexoni me kujdes disa histori që po ndodhin çdo ditë në shkollat tona. Jo për t’ju frikësuar, por për t’ju zgjuar.
Rasti 1
“Në pothuajse çdo klasë ka fëmijë që përdorin cigare, vape apo cigare elektrike. Në një rast të fundit, një nxënës tregoi se disa fëmijë në klasën e tij përdorin edhe cigare puro. Po flasim për fëmijë 12–14 vjeç.”
Rasti 2
“Shumë vajza të kësaj gjenerate mbajnë kozmetikë në çanta dhe grimohen gjatë pushimeve apo në orët e fundit të mësimit. Bisedat e tyre janë për simpati në 50% të tyre.”
Rasti 3
“Në këtë moshë, shumë fëmijë po hyjnë në marrëdhënie seksuale pa pjekuri dhe pa edukim të duhur. Një rast tregon për një vajzë të klasës së shtatë që kishte marrëdhënie me një nxënës të klasës së nëntë, ndërsa videot u shpërndanë tek nxënësit e shkollës.”
Rasti 4
“Në çdo klasë ka viktima të bullizmit, talljeve dhe etiketimit. Fëmijë që qeshin me njëri-tjetrin për pamjen, trupin, mënyrën si flasin apo si vishen.
Rasti i fundit në ordinancë: Një fëmijë dëshiron ta ndërrojë shkollën vetëm për shkak të bullizmit. Por pyetja është: ku të shkojë? Kur e njëjta situatë po përsëritet pothuajse në çdo shkollë.”
Rasti 5
“Shumë fëmijë të kësaj moshe po përdorin rrjete sociale dhe platforma të rrezikshme pa asnjë kontroll apo mbikëqyrje.
Po hyjnë në biseda me persona të panjohur, po dërgojnë fotografi private, po ekspozohen ndaj përmbajtjeve seksuale, dhunës dhe manipulimeve emocionale në një moshë kur truri i tyre ende nuk është i gatshëm t’i përballojë këto gjëra.”
Dhe kjo është vetëm ajo që po dëgjohet. Ka raste shumë më të rënda që nuk tregohen kurrë. Dhe mos prisni nga fëmijët tuaj t’ju tregojnë këto histori.
Prindër, institucione, mësues, qeveritarë dhe media, filloni t’i shihni realisht problemet e nxënësve tanë. Sepse ndërkohë që ne po merremi me pozita, interesa personale dhe debate pa fund, një gjeneratë e tërë po shkatërrohet para syve tanë.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?
Përfshirja e prindërve në jetën e shkollës