PËRVOJA DHE STUDIME

Puna e nxënësve në grupe, qëllimi i saj dhe roli i mësuesit

Shumë studime kanë treguar se nëse kjo metodë përdoret dhe përgatitet si duhet, mund të jetë shumë efektive si për mësim nxënien ashtu edhe për zhvillimin social dhe emocional të nxënësit. Po cili duhet të jetë roli i mësuesit?

Ka pasur shumë diskutime dhe mendime të ndryshme lidhur më punën në grupe

Në shumë raste edhe janë bërë kritika të shumta lidhur më punën në grupe. Ndër kritikat që ka dominuar është se nxënësit nuk mësojnë asgjë nga puna në grupe dhe shumë nxënës shfrytëzojnë këtë metodë duke jetuar në kurriz të nxënësve me ambicie të mëdha. Shumë studime kanë treguar se nëse kjo metodë përdoret dhe përgatitet si duhet mund të jetë shumë efektive si për mësim nxënien ashtu edhe për zhvillimin social dhe emocional të nxënësit. Edhe përkundër përparësive të qarta që ka kjo metodë pune, prapë kjo metodë tek në nuk përdoret shumë. 


Shumë mësimdhënës ende hezitojnë ta përdorin këtë metodë që mund të jep shumë rezultate të mira. 


Përgjigjja më e shpeshtë për këtë është mungesa e aftësive për të eleminuar fenomenet negative grupore të cilat mund të paraqiten gjatë përdorimit të kësaj metode. Një përgjigje standarde e mësimdhënësve është se ata kanë provuar këtë metodë disa herë por nuk ka funksionuar si duhet.


Fatkeqësisht kjo përgjigje është e brishtë dhe e pa argumentuar dhe njëkohësisht paraqet qartë përvojën që mësuesi ka me këtë lloj pune. Në bazë të përvojës personale dhe studimeve të bëra nga shumë ekspertë në këtë drejtim, konkludohet se këto paragjykime dhe mendime duhet të kompletohen me njohuri të reja për kushtet e punës në grupe, organizimin dhe grackat në të cilat mund të biem nëse  kjo punë nuk organizohet si duhet. Për të kuptuar se çfarë mund të bëjë mësuesi për të organizuar një punë të suksesshme në grupe dhe si mund t`i eliminojë mangësitë, që kjo punë mund të sjellë dobi, do të bazohem në disa studime që janë bërë lidhur me këtë punë dhe në këshillat që ekspertet kanë dhënë si dhe eksperiencën time personale. Në radhe të parë duhet të bëjmë një dallim, një sqarim se çfarë mund të quhet punë në grup. 


Është e rëndësishme të dallohet puna, kur një grup nxënësish punojnë rreth një teme të caktuar por çdonjëri merr një detyrë të caktuar dhe punës kur nxënësit punojnë bashkërisht rreth një teme pa i ndarë detyrat, duke punuar bashkërisht deri në finalizim të kësaj punë. E para i përngjan ma tepër në një punë individuale dhe si e tillë nuk mund të quhet punë në grup.


Po cili duhet të jetë roli i mësuesit në organizimin, vlerësimin, prezantimin, motivimin dhe inkurajimin e nxënësit dhe si e shohin nxënësit këtë?


Ja disa sqarime të bazuara në përvojën personale trajnimet e bëra dhe literaturën e lexuar. 

Mësuesi duhet të caktojë madhësinë dhe përbërjen e grupit, gjithashtu duhet të caktojë kohën dhe hapësirën për punën në grup. Madhësia më e mirë për një grup mendohet të jetë tre nxënës, grupet më të mëdha mund të shkaktojnë pasivitet. Edhe përbërja e grupit duhet të jetë e kujdesshme, më këtë raste duhet të mendohet që nxënësit nuk duhet të jenë shumë të ndryshëm e posaçërisht të mos kenë relacione të infektuara më njeri-tjetrin. E rëndësishme është që nxënësve tu jepet edhe koha e mjaftueshme dhe hapësira e mjaftueshme. Nuk duhet të frikësohemi edhe nëse i lejojmë nxënësit të punojnë në ambiente tjera post klasave. Mësuesi duhet të angazhohet që nxënësit të aftësohen në këtë model të punës, me fjalë të tjera të ushtrohen sistematikisht. Për një punë të suksesshme duhet që nxënësit të jenë të fokusuar në detyrën e marrë. Nëse detyra është shumë e vështirë dhe e pa precizuar sa duhet ekziston rreziku që nxënësit të fokusohen në biseda private.


Shkencëtarët australianë kanë ardhur në përfundim se nxënësit nuk mund të futen në punë grupore pa trajnime të mjaftueshme nga ana e mësimdhënësit. Në bazë të këtyre shkencëtarëve duhet që nxënësit të mësohen fillimisht të dëgjojnë, analizojnë, sqarojnë,argumentojnë dhe të ndajnë në mes veti ide dhe synime. 

Gjithashtu këta shkencëtar mendojnë se: 

  • Mësuesi duhet të japë detyra të kuptueshme, të përkufizuara dhe të përdorshme për grupin.
  • Mësuesi duhet të entuziazmojë, të sqarojë të inkurajojë derisa të sigurohet që nxënësit e kanë kuptuar detyrën dhe rëndësinë që ka detyra. Për asnjë rast nuk duhet të kënaqemi vetëm me faktin se detyrat janë të kuptueshme. 
  • Pikësynimi i mësuesit duhet të jetë që detyrat të jenë edhe stimuluese dhe që ngrehin kureshtjen e nxënësit, për tu thelluar më tutje si në grumbullimin e informacionit ashtu edhe në analizën që duhet t`i bëhet atij informacioni.
  • Një detyrë e mërzitshme dhe e pa motivuar sa duhet nuk jep rezultat të pritshëm. Vetëm nxënësit me ambicie të mëdha punojnë me një detyrë të tillë, jo pse ajo zgjon kureshtje, por vetëm sa për t’u munduar ta mbajnë pozicionin aktual që kanë- më fjalë të tjera ta mbajnë në jetë notën që kanë.

Studimet e bëra nga Kjell Granström & Eva Hammar

Chiriac (të prezantuara në magazinën pedagogjike më datën 10/11-2011) theksojnë rëndësinë që mësuesi ka në dhënien e instruksioneve, ngritjen e angazhimit dhe kureshtjes për detyrat që ofron. Me fjalë të tjera është mësuesi që ka rolin kryesor në rezultatin e prezantuar.

  • E rëndësishme është që nxënësit të ushtrohen në përpilimin dhe prezantimin e rezultateve të nxjerra nga puna që kanë bërë. Është e zakonshme që prezantimi i rezultateve të punës në grupe të bëhet para gjithë klasës. Të arriturat mund të komprometohen nga prezantimet e dobëta dhe nga procedurat kaotike. Nëse dëshirohet që nxënësit të mësojnë nga njeri- tjetri dhe që prezantimet të pranohen në mes të grupeve atëherë duhet që këto të jenë të kuptueshme.
  • Përgjegjësia e përbashkët është e domosdoshme. Nëse prezantimi i një pune grupore bëhet vetëm nga një individ, ajo mund të klasifikohet si një dështim i grupit. Përgjegjësi duhet të kërkohet nga i tëre grupi.


Edhe studimet e bëra nga Kjell Granström och Eva Hammar Chiriac tregojnë qartë se nuk mund të kërkohet përgjegjësi nga grupi, nëse grupi nuk është trajnuar se si duhet të bëjë prezantime gojore dhe me shkrim. Nxënësit duhet pa tjetër që në fillim të informohen qartë se çfarë metode vlerësuese do të përdoret dhe në çka do të bazohet ky vlerësim. Vlerësimi i punës grupore është shumë i vështirë dhe delikat. Për këtë arsye duhet që në fillim të jepen kritere të qarta se çfarë do të vlerësohet puna grupore ajo individuale apo të dyja. Nëse nxënësit kuptojnë se puna grupore vlerësohet atëherë ata do të fokusohen në punën grupore. Por nëse nga mësuesi direkt ose indirekt jepen sinjale që puna individuale vlerësohet atëherë në grupe krijohet një ndjenjë garuese në mes nxënësit që në fakt shkatërron rëndësinë dhe synimin e punës në grup.


Aspekti i fundit duhet të jetë ngritja e rolit të mësuesit si primare në punën grupore nëse dëshirojmë një punë të suksesshme. Mësuesi duhet te jetë organizues, udhërrëfyes dhe prezent për të ndihmuar në kalimin e pengesave të ndryshme. Studimet tregojnë se nxënësit dëshirojnë një mësues që ka kompetenca organizuese,inkurajuese, motivuese, argumentuese dhe vlerësuese. Kjo do të thotë të krijojë një ambient të mirë punues dhe të ofrojë mjete pedagogjike dhe didaktike për një punë të suksesshme. Një strukturë e brishtë dhe një organizim i dobët i punës mund të shkaktojë edhe ndikim negativ në krejt grupin. Edhe marrëdhëniet sociale në mes të nxënësit, mund te pësojnë plasaritje të thella. Dy studiuesit e lartpërmendur vërtetojnë faktin se nxënësit dëshirojnë të kenë një mësues që përkrah dhe tregon një angazhim me zemër dhe assesi nuk dorëzohet para sfidave që sjellë një punë e tillë. 


Përfundimisht studimet vërtetojnë se mësuesi duhet të jetë organizator, suportues (përkrahës), por në asnjë mënyrë vetëm organ kontrolli.


Që puna në grupe të jetë e suksesshme duhet që të përdoret e tërë përvoja profesionale e mësuesit. E rëndësisë se veçantë është që para se të fillohet më punë në grup të mendohet në këto fusha:

-Kriteret për përbërjen e grupit

-Kriteret për punë të suksesshme në grup

-Të formulohet dhe motivohet qëllimi me punën në grup

-Të mendohet se si mund të krijohen kushte maksimale për një bashkëpunim në grup, të mos lihet hapësire për keqkuptim apo mos angazhim.


Përbërja e grupit

  • Përbërja e grupit duhet të bazohet në qëllimin e punës në grup. 
  • Bashkëpunimi më të gjithë.
  • Që e gjithë puna të zhvillohet në mënyrë jo problematike.
  • Që idetë dhe llojet e ndryshme të mendimit të nxënësit ta konfrontojnë njëra – tjetrën.
  • Dhe në fund të vlerësohet puna e bërë duke nxjerrë rezultatet dhe mangësitë e kësaj pune.

Kushtet kryesore për një punë të suksesshme në grup


  • Të krijohet një klimë pozitive komunikuese.
  • Të inkurajohen nxënësit që të japin ide të ndryshme.
  • Të zgjidhen pyetje të qëndrueshme që japin mundësi të analizës dhe thellimit të saj.
  • Të merrem me respekt të gjitha përgjigjet dhe idetë të cilat vijnë nga grupi.

Qëllimi me punën në grup

  1. Të zhvillojë të menduarit dhe analizën tek nxënësit.
  2. Të ngrejë kompetencën sociale përmes bashkëpunimit me të tjerët
  3. Të inkurajojë nxënësit për pjesëmarrjen e përbashkët dhe ngritjen e përgjegjësisë kolektive dhe individuale. 




(Nga Shpend Rrukiqi mësues dhe autor i disa librave pedagogjik; Portali Shkollor) 

6,777 Lexime
4 vjet më parë