Urimi

Qoftë 2018-ta viti i arritjeve dhe ekselencës në arsim

Mirëkuptimi, vlerësimi, bashkëpunimi, dhe përpjekjet e përbashkëta me mësues e prindër uroj të jenë kryefjala e të gjithë nxënësve në 2018-tën, duke menduar se këto janë elemente që paraprijnë arritjet dhe suksesin!

Viti që po lëmë pas ka qenë për arsimin një vit sa sfidash aq dhe arritjesh, mbi të gjitha i mbushur me emocione, ngjarje, ndodhi e mbresa për këdo që ka fatin të ketë kontakt me shkollën, qofshin mësues prindër apo nxënës. E kështu, një urim i veçantë duhet të shkojë specifikisht për ta, për këdo që është komponent i arsimit, kësaj pjese kaq të rëndësishme për një shoqëri të tërë. 


Ndonëse nxënësi konsderohet si subjekti kyç i arsimit, urimi i parë shkon padyshim për mësuesit, komponentët thelbësorë të të fituarit të dijeve dhe marrjes së një edukimi të mirëfilltë. Kështu mësues të dashur, gëzuar 2018! Qoftë ky viti i arritjeve tuaja profesionale dhe njëkohësisht i nxënësve tuaj, viti i përmirësimit të metodave të mësimdhënies, viti i risive e inovacioneve në pedagogji, viti ku ndjeni figurën tuaj edhe më të vlerësuar e lartësuar! 


Uroj padyshim që 2018-ta të jetë për ju një rrugëtim i kënaqshëm profesional, e njëkohësisht dhe emocional, pranë nxënësve, pranë komunitetit shkollor, e të ndjeni vërtet se të qenit mësues është më shumë se profesion, një titull, të cilin e vishni dhe lartësoni çdo ditë ndër përpjekjet tuaja jo veç për të dhënë dije, por mbi të gjitha për të edukuar dhe formuar qytetar të denjë! Gëzuar 2018 për të gjithë mësuesit, e qoftë ky viti ku ata kthehen fuqimisht në model!


Dhe për ju prindër, qoftë 2018-ta viti juaj pranë institucionit shkollor! Përpjekjet për edukim e formim shkojnë krah për krah shkollës, në shtëpi, aty ku ju merrni rolin kryesor, dhe për këtë vjen sa falenderimi aq dhe urimi për një vit ku këto përpjekje kanalizohen gjithnjë e më shumë, në formën më simbiotike me njëra-tjetrën, për t'u bërë njësh në udhën drejt suksesit. Uroj që 2018-ta të jetë një vit ku sukseset e fëmijëve tuaj janë kënaqësia më e madhe, ku ndërveprimi e të qenit pranë shkollës është maksimal, e ku ju ndjeni realisht se arsimimi i mirëfilltë kërkon shkallën më të lartë të ndërveprimit dhe bashkëpunimit mes jush, nxënësve dhe mësuesve! Duke ju falenderuar për të gjitha përpjekjet, ju uroj një 2018 të lumtur!


Miq e bashkëmoshatarë të mi; ajo çka uroj më së shumti është që 2018-ta të vijë me shpërblimin e mundit e përpjekjeve në procesin e arsimimit, ku sukseset që pasojnë njëra-tjetrën qofshin treguesit kryesorë! Njëkohësisht uroj që 2018-ta të sjellë shumë durim, vullnet, dëshirë për dije e për të punuar drejt arritjeve sa humane aq dhe profesionale, këndvështrime ndryshe, përpjekje për të sjellë që në një moshë relativisht të hershme ndryshime, dhe më shumë se kurrë afeksion për institucionin shkollor, për arsimin, për atë çka e ndërton dhe përbën atë për vetë influencën që ka për ne! Mirëkuptimi, vlerësimi, bashkëpunimi, dhe përpjekjet e përbashkëta me mësues e prindër uroj të jenë kryefjala e të gjithë nxënësve në 2018-tën, duke menduar se këto janë elemente që paraprijnë arritjet dhe suksesin!


Qoftë në tërësi 2018-ta viti i sukseseve, arritjeve e ekselencës në arsim… Gëzuar 2018!


(Dorina Zhuka, Portali Shkollor)

2,175 Lexime
6 vjet më parë