"Tri lëndë në gjashtë orë"

Reflektime mbi realizimin e orës 90 minutëshe

Ndoshta është akoma herët për të nxjerre përfundime por një gjë është e qartë, ora 90 minutëshe na jep mundësinë të rritemi profesionalisht dhe nëse duam mund ta bëjmë të funksionojë. Ky është një shans që ne të bëhemi mësues më të mirë.

Sa herë kemi thëne “s’më doli ora”. Kjo është një nga ankesat e përhershme në trajnime të ndryshme sa herë që flitej për integrimin e strategjive dhe aktiviteteve të ndryshme në një orë mësimore.


Minutat e një ore mësimore kanë një ndikim të madh mbi mënyrën se si duhet ta planifikojmë mësimin. Ora 45 minutëshe e ka shumë të ngushtë qëllimin e mësimit. 


Nxënësit dhe mësuesit e dinë se ka shumë pak kohë në dispozicion për të shkuar nga njeri objektiv në tjetrin. Nëse duam dhe duhet që nxënësit të zhvillojnë aftësitë thelbësore të lëndës, të vlerësojnë informacionin, të komunikojnë dhe bashkëpunojnë me njeri-tjetrin pa dyshim që duhet – KOHË. Ndjesia e nxitimit nuk ka impakt pozitv në nxënie, në fakt sa më i relaksuar të ndjehet nxënësi në mjedisin mësimor aq më i gatshëm është truri për të përthithur informacionin.


Në një ore mësimore me minutazh më të gjatë qëllimi mësimor zgjerohet. Mësuesi duhet të projektojë një sërë metodash mësimore në një orë të vetme sepse nxënësi nuk mund dhe nuk duhet të ulet dhe të dëgjojë një mësues që flet e vetëm flet për minuta të tërë.


Ora 90 minutëshe e lejon nxënësin të angazhohet me informacionin e ri dhe me njëri-tjetrin në mënyra të ndryshme. Është përgjegjësi e mësuesit të bëjë planifikimin e duhur për të nxitur reagime dhe bashkëveprime te nxënësit.


Këto 3 javë (edhe pse janë shume pak për të bërë vlerësime kam lexuar dhe vëzhguar njëkohësisht për pikat kyçe të orës 90 minutëshe të cilat i kam renditur si më poshtë:


PLANIFIKIMI: Një ore mësimore 90 minutëshe kërkon një planifikim të mirfilltë. Mësuesi nuk mund të punojë vetëm me ushtrime apo të merret me leximin e tekstit. Ora 45 minutëshe të jep mundësinë që planifikimi të jetë i thjeshtë dhe me pak aktivitete. Ndërsa ora 90 minutëshe kërkon programim në detaje të veprimtarisë dhe organizimit. Kjo mund të duket pak e lodhshme por do të rezultojë në një klime shumë relaksuese në klasë (The lesson will flow).


DIFERENCIMI: Ora 90 minutëshe duket se i nxjerr në pah ndryshimet mes nxënësve gjatë procesit mësimore. Ky ndryshim vihet re në pjesëmarrje dhe mënyrat e punës. P.sh disa nxënës përfundojnë më herët detyrat e caktuara, janë pasiv për kohë të gjatë, ndjehen të përjashtuar etj. Mësuesit mund të organizojnë një plan të diferencuar me nivele. Aktivitete dhe strategji të ndryshme për nivele të ndryshme rezultojnë në gjithëpërfshirjen e nxënësve. Ora 45 minutëshe nuk mund ta lejojë kurrsesi që një mënyrë e tillë planifikimi të jetë e suksesshme. Mësuesi duhet të zgjedhë forma të ndryshme mësimdhënie duke i dhënë mundësi nxënësit që të zgjedhë atë formë ku e ka më të lehtë për të mësuar konceptet.


STRATEGJITË E SHUMËFISHTA: Në formatin 90 minutësh mësuesi mund të përdorë një sërë strategjish mësimore. Ndarja e mësimit në segmente të jep mundësinë të përdoren të paktën 3 strategji të ndryshme. Përdorimi i tranzicionit (kalimi nga një fazë në tjetrën) ka rezultuar një strategji shumë e suksesshme për nismën 3 lëndë në 6 orë në lëndën e Gjuhës Angleze. Kjo është skema ku unë më së shumti bazohem për të planifikuar mësimin ditor.


  • Materiali i ri
  • Kalimi tek ushtrimet e përforcimit
  • Kalimi te kontrolli i njohurive
  • Materiali i ri ne lidhje me materialin e mëparshëm
  • Përmbledhje dhe përsëritje


KOHA E PRITJES: Shumica e mësuesve presin shume pak sekonda për përgjigjen ose ndërpresin mendimin e nxënësit për shkak të kohës. Rritja e kohës së pritjes me 5 sekonda mund të sjellë përfitime në procesin e të nxënit. Lidhja mes vëmendjes dhe të mësuarit aktiv është më e lartë aty ku ka pyetje. Me anë të këtij veprimi kaq të vogël në dukje mund të rrisim numrin e përgjigjeve dhe pjesëmarrjen, vetëbesimin te nxënësit, rritjen e numrit të pyetjeve të bëra nga nxënësit dhe mundësinë që nxënësit të kenë më shumë kohë të përpunojnë pyetjen.


KLIMA QETËSUESE: Formati 90 minutësh ka më pak presion nga ana e mësuesit të cilët janë më të relaksuar dhe nuk kanë presionin e kohës. Si rrjedhoje do të kemi ore mësimore më të gjata – më pak lëndë – shumëllojshmëri aktivitetesh mësimore që kontribuojnë në krijimin e një klime miqësore dhe qetësuese. Gjithashtu një ore mësimore 90 minutëshe i lejon mësuesit t’i njohin më mirë nxënësit e tyre në nivel personal.


TEKNOLOGJIA: është domosdoshmëri për të krijuar klasa me në qendër nxënësin. Ora 90 minutëshe e kthen teknologjinë në pjesë përbërëse të mësimit e jo një opsion për ta përdorur nëse tepron koha. Mësuesit nuk e kanë më frikën e humbjes së minutave nga pajisjet teknologjike (shpeshherë na dhimbsen minutat e ndezjes se projektorëve vetëm që të bëjmë një ushtrim gramatikorë).


Ndoshta është akoma herët për të nxjerre përfundime por një gjë është e qartë, ora 90 minutëshe na jep mundësinë të rritemi profesionalisht dhe nëse duam mund ta bëjmë të funksionojë. Ky është një shans që ne të bëhemi mësues më të mirë.


Mësimi cilësor është baza e një shkolle të suksesshme.


(Jerina Dizdari, Portali Shkollor)

12,074 Lexime
6 vjet më parë