3 DHJETORI

Rekomandime nga UNDP për arsimin gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri

Më 3 dhjetor, me rastin e Ditës Botërore të Personave me Aftësi të kufizuara, UNDP ka publikuar publikon rekomandime të nxjerra nga studimi “Arsim dhe formim profesional gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri”.

Sot, 3 dhjetor, është Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të kufizuar. Në vazhdën e përpjekjeve për përfshirjen e këtyre personave në Arsimin dhe Formimin Profesional (AFP) në Shqipëri, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Shqipëri, UNDP, ka publikuar rekomandimet kryesore të nxjerra nga studimi “Arsim dhe formim profesional gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri”. 


Këto rekomandime janë konsultuar me politikbërës në nivel qendror dhe vendor, organizata të shoqërisë civile, persona me aftësi kufizuara, prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe drejtues e mësues të shkollave profesionale në vend.


  • 1 në 10 fëmijë në Shqipëri ka aftësi të kufizuar, ndërkohë që vetëm 4% e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Shqipëri janë të pajisur me certifikatë mjeko-ligjore (burimi: World Vision).
  • 2019-2020, numri i fëmijëve me AK në shkolla jospeciale në arsimin publik u rrit rreth 5%, krahasuar me një vit më parë, duke arritur në 3,858 (burimi: Ministria e Arsimit dhe Sporteve).
  • Rreth 70% e fëmijëve me aftësi të kufizuara ndjekin arsimin bazë, 20% arsimin parashkollor; 10% në arsimin e mesëm/të lartë (Burimi: Plani Kombëtar i Veprimit për PAK, 2021-2025).
  • Numri i nxënësve me aftësi të kufizuara, të regjistruar në Shkollat e Mesme Profesionale, është 168, rreth 0,005% të numrit të përgjithshëm të nxënësve që ndjekin arsimin e mesëm profesional (Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë).


Studimi ofron rekomandime për institucionet përgjegjëse të AFP-së në drejtim të përmirësimit të kornizës ligjore, kulturës përfshirëse, planifikimit më të mirë dhe përmirësimit të performancës, me synim përfshirjen e sa më shumë personave me aftësi të kufizuara në sistemin e formimit profesional.


Disa nga rekomandimet kryesore, të dërguara në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, përfshijnë:


  1. Përfshirja e institucioneve qendrore në programe ndërgjegjësimi, ndarjen dhe promovimin e praktikave të mira, të krijuara brenda dhe jashtë vendit, si domosdoshmëri për krijimin e një kulture gjithëpërfshirëse për personat me aftësi të kufizuara;
  2. Trajnime të stafeve të AFP-së mbi aftësinë e kufizuar dhe barazinë, etikën, komunikimin, terminologjinë;
  3. Ndërhyrje në Ligjin për AFP-në për të garantuar pranimin në institucionet e AFP-së, vlerësimin e nxënësve, planet individuale për lëndët teknike dhe të përgjithshme, caktimin e mësuesve mbështetës, mjeteve të nevojshme didaktive dhe të punës, përshtatjeve të arsyeshme, si edhe elementeve të tjera të nevojshëm për pjesëmarrjen efektive të nxënësve me aftësi të kufizuara në shkollë dhe në aktivitetet jashtë saj;
  4. Hartimi dhe standardizimi i instrumenteve për vlerësimin e nevojave të individëve me aftësi të kufizuara, të cilët do të ndjekin arsimin dhe formimin profesional dhe trajnime të aktorëve përgjegjës për aplikimin e tij;
  5. Parashikimi i stafit dhe burimeve të nevojshme (ose mbështetja e organizatave të specializuara) për te mbështetur personat me aftësi të kufizuara gjatë qëndrimit në shkollë dhe tranzicionit në tregun e punës;
  6. Aktivizimi i Fondit Social të Punësimit, sipas parashikimeve të Ligjit të Nxitjes së Punësimit (nr.15/2019), si instrument për të financuar arsimin, trajnimin dhe punësimit e personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri.


Kaltra Tafani 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

381 Lexime
1 muaj më parë