Intervistë

Roli i muzikës folklorike sot dhe vlerat e muzikantëve, flet profesori dhe muzikanti Mufail Tolaj

Mufail Tolaj njihet për edukimin e të rinjve në muzikë, krijimin e veglave muzikore tradicionale, si dhe prezantimin e kulturës sonë në skenat më të mëdha ndërkombëtare. Veçanërisht në këtë intervistë, Tolaj flet për rolin e tij si mësimdhënës duke ndarë sfidat dhe kënaqësitë gjatë karrierës së tij.

Mufail Tolaj njihet për ndikimin e tij në skenën muzikore, edukimin e të rinjve, krijimin e veglave muzikore tradicionale, si dhe prezantimin e kulturës sonë në skenat më të mëdha ndërkombëtare.


Në këtë intervistë, Tolaj na flet për rolin e tij si mësimdhënës, duke ndarë sfidat dhe kënaqësitë gjatë karrierës së tij. Ai ndan përvojat më të rëndësishme nga përfaqësimi i kulturës sonë në skenat ndërkombëtare si dhe flet për krijimin e veglave muzikore nga duart e tij.

 

 

Si e shihni rolin tuaj si mësimdhënës i muzikës në Shkollën e Mesme të Lartë "Vëllëzërit Frashëri" në Deçan? Cilat kanë qenë sfidat dhe kënaqësitë që keni hasur në fillimet tuaja, por edhe gjatë rrugëtimit për t’u bërë mësimdhnës i muzikës?


Roli im si mësimdhënës i muzikës në Shkollën e Mesme të Lartë "Vëllezërit Frashëri" në Deçan, për mua është një mundësi e rrallë për të ndikuar në arsimimin e të rinjve në fushën e muzikës, veçanërisht në një kontekst ku mungonin mësues të muzikës më parë. Kjo për mua është një sfidë e madhe, por edhe një mundësi e jashtëzakonshme për të kontribuuar në arsimimin e tyre.

Një ndër sfidat kryesore që kam hasur gjatë fillimeve ishte regjistrimi në Fakultetin e Muzikës, pasi studimet paraprake i kisha përfunduar në një shkollë teknike që ishte krejtësisht e ndryshme nga fusha në të cilën doja të ndiqja studimet. Sfidat e tjera lidheshin me profesionalizmin dhe njohuritë e mia në instrumentet muzikore, të cilat, megjithëse kisha talent, nuk ishin të mjaftueshme. Megjithatë, duke i përballuar këto sfida me sukses, e dija se sfidat e tjera do të ishin më të lehta për t’u përballuar dhe kështu ndodhi.

 


Si e përshkruani lidhjen tuaj me nxënësit? Si i inkurajoni ata të zhvillojnë pasionin për muzikën dhe të eksplorojnë talentin e tyre?


Lidhja ime me nxënësit është shumë e ngushtë dhe vlerësoj në mënyrë të veçantë mbështetjen që ua ofroj dhe suksesin që marr pas nga ta. Kur vërej se dikush nga nxënësit ka talent në muzikë, përpiqem maksimalisht t’i inkurajoj dhe t’i mbështes në mënyrë të plotë. Në momentet kur e vërej se një nxënës ka një talent të veçantë, përpjekjet tona janë të përqendrohemi në zhvillimin e tij ose të saj.

Një praktikë që kemi është të organizojmë orë mësimore për ta, duke u fokusuar në aftësitë e tyre të veçanta. Ata nxënës që kanë ritëm, vesh muzikor dhe vokal të mirë i klasifikojmë në mënyrë që ti kushtojmë fokusin e duhur. Ndodh që nxënësit gjatë këndimit pa instrumente muzikore janë të saktë, ndërsa në momentin që iu vendoset muzika në sfond ata nuk dinë ta menaxhojnë si duhet. Këtyre rasteve u dedikohemi maksimalisht duke  i trajnuar secilin individualisht.

Në bashkëpunim të ngushtë me shkollat fillore përreth, kemi pasur raste kur mësimdhënësit na kanë sugjeruar nxënës të talentuar, me të cilët pastaj punojmë në mënyrë individuale. Kontributi i tyre në këtë proces është i jashtëzakonshëm dhe kjo marrëdhënie reciproke na bën të ndihemi shumë krenarë.

 

Foto e mësimdhënësit, Mufail Tolaj me nxënësit e tij (të shkollës fillore).

A ka ndonjë rast konkret që do të donit të ndanit me ne për një nxënës të veçantë që falë angazhimit tuaj ka shkëlqyer në fushën e muzikës?


Ka nxënës që kanë dhënë kontribut më shumë se të tjerët dhe që kanë arritur të shkëlqejnë jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj. Përveç koncerteve të organizuara brenda shkollës dhe komunitetit lokal, disa prej tyre kanë arritur të marrin pjesë në konkurse të njohura si "The Voice of Albania". Shembull konkret është Besiana Tolaj, e cila ka arritur të zërë vendin e pestë në këtë konkurs.

Ndër të tjerë, disa prej tyre janë bërë pjesë e korit "Siparantum Choir", që kanë përfaqësuar Kosovën në vende të ndryshme si Italia, Franca dhe vende të tjera. Kontributi i tyre në përhapjen e muzikës dhe kulturës kosovare jashtë kufijve është një dëshmi e fuqishme e talentit dhe angazhimit të tyre.

E përfundimisht, tërë kjo vjen si rezultat i punës së palodhshme me këta nxënës gjatë tri viteve studime në shkollën e mesme, e në disa raste edhe në shkollën fillore.

 


Përpos mësimdhënies, ju merreni edhe me organizime të festave dhe aktiviteteve kulturore në nivelin shkollor dhe komunal. A mund të ndani me ne ndonjë moment të rëndësishëm që keni përjetuar në këtë aspekt të punës suaj?


Organizimi i festave dhe aktiviteteve kulturore në nivelin shkollor dhe komunal është një pjesë thelbësore e punës sime. Përpara çdo lloj programi që realizohet është normale të hasen vështirësi, e kjo ndodh kryesisht gjatë ekzekutimit të një valleje apo të ndonjë pjese muzikore. Një gjë e tillë, na zgjat kohën e realizimit të projekteve të përcaktuara, por e rëndësishmja është që në fund gjithçka përcillet me sukses.

Aktivitet brenda shkollës

Meqenëse jemi në fillim të 2024-tës, pa u thelluar më tej po e përmend një rast në të cilin kemi shkrirë forcat tona për të organizuar një program të fuqishëm siç e meriton të jetë. Për këtë vit një ndër ngjarjet më të freskëta ka qenë organizimi për Epopenë e Dukagjinit, apo siç njihet ndryshe në vend  si “24 Marsi”.

Organizimi e deri tek arritja finale na ka marrë mjaftueshëm kohë, por nuk jemi lodhur aspak pasi e kemi bërë me përkushtimin më të madh, për faktin që kjo ditë shënon një ngjarje historike që ka ndodhë gjatë luftës së Kosovës dhe normalisht që duam të shkojë si më së miri.

Organizimi në kuadër të "Epopesë së Dukagjinit" 

Si arritët të bëheni pjesë e korit 'Siparantum Choir' në rolin e Tenorit dhe si keni kontribuar në arritjen e suksesit të tyre në skenat ndërkombëtare, duke marrë parasysh sukseset e tyre të përsëritura, shpeshherë me fitore?

 


Përvoja ime si muzikant filloi në periudhën e studimeve. Fillimisht, isha anëtar i korit të shkollës, dhe më pas në Filarmoninë e Kosovës. Përpara se të vinte deri tek ideja e Korit Siparantum, kemi krijuar një kor tjetër muzikor të quajtur “Ataka”. Në atë kor kam pasur rolin e themeluesit, bashkë me disa muzikantë të tjerë.

Më vonë, së bashku me një grup profesorësh në Pejë, krijuam një kor të ri, "Siparantum Choir", në të cilin kam luajtur rolin e këngëtarit deri tash vonë. Për mua, pjesëmarrja në këtë kor ka qenë një mundësi e madhe për të shprehur pasionin për muzikën dhe dashurinë që ndiej për këngën. Duke punuar së bashku me zell e përkushtim të madh, kemi arritur të krijojmë interpretacione të shquara dhe të mahnitshme që kanë frymëzuar audienca kudo që kemi shkuar.

Sukseset tona të përsëritura në skenat ndërkombëtare janë një dëshmi e aftësisë sonë për të shkëlqyer në botën e muzikës, dhe jam krenar që kam kontribuuar në historinë e këtij kori të mrekullueshëm.

Kemi zënë vendin e parë në “World Choir Games 2021”, “Festivalin Evropian për të rinjë”,  dhe kemi fituar medaljet e arta në “Lojërat Evropiane të Koreve” në Suedi dhe Korenë e Jugut. Krahas këtyre çmimeve që na bëjnë të ndihemi krenarë, kemi fituar edhe shumë çmime të tjera, të cilat mbesin si dëshmi për kombin tonë.

Momentalisht nuk jam pjesë e këtij kori për shkak të angazhimeve të shumta që kam si në anën personale dhe profesionale, por ajo që di të them është se pjesëmarrja në këtë kor është njëra ndër aktivitetet më të përzemërta që kam bërë ndonjëherë.

 

Kori Siparantum gjatë paraqitjeve të tij

Cilat janë përvojat më të rëndësishme që keni përjetuar duke udhëtuar dhe përfaqësuar kulturën kosovare nëpër botë?

 

Përvojat kudo nëpër botë kanë qenë emocionuese dhe frymëzuese në të njëjtën kohë. Çdo koncert ka pasur një vlerë të veçantë për mua dhe në secilin prej tyre kam dhënë maksimumin tim. Dy herë kam pasur fatin të përfaqësoj kulturën tonë në Kroaci, me anë të së cilit kori ynë zuri vendet e para në konkurrencë, duke na dhënë një ndjesi të mrekullueshme të suksesit dhe krenarisë.

Përpos skenave ndërkombëtare normalisht që përvojat më të mira realizohen në kombin tonë. Një përvojë e rëndësishme ka qenë edhe udhëtimi ynë për në Tropojë, Shqipëri, ku u vlerësuam shumë për performancën tonë.

Këto përvoja dhe të tjera si kjo, të japin një ndjenjë të jashtëzakonshme dhe sidomos kur e di se po prezanton vlerat kombëtare.

 


Përveç punës si mësimdhënës, tenor, e organizues i shumë aktiviteteve, ju angazhoheni edhe në punimin e veglave muzikore nga druri për dashamirët e muzikës folklorike. Çfarë ju frymëzon për të krijuar këto vepra arti dhe si i shihni ato si një mënyrë për të promovuar kulturën dhe traditat shqiptare?

 

Jashta anës profesionale, unë ushtroj edhe një detyrë shtesë, pra jam mjeshtër i disa veglave muzikore si: çiftelia, sharkia, lahuta, prim etj. Frymëzimi për të krijuar këto vepra arti vjen nga dëshira ime për të ruajtur dhe përhapur trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar. Kjo është një detyrë që e kryej në kohën time të lirë, dhe qëllimi im nuk ka të bëjë vetëm me përfitimet personale, por edhe me ruajtjen e traditave tona.

Për mua, këto vegla muzikore nuk janë vetëm objekte artistike, por edhe mbajnë në vete një pjesë të historisë dhe kulturës sonë.

Duke i krijuar dhe promovuar këto instrumete, shoh veten si një frymëzues dhe mbrojtës të trashëgimisë sonë kulturore.

Si e shihni rolin e muzikës në shoqëri dhe cilat janë sfidat më të mëdha që ballafaqohen muzikantët dhe artdashësit në Kosovë sot?


Muzika, si pjesë e identitetit tonë kulturor, ka një rol të rëndësishëm në shoqëri. Megjithatë, në Kosovë, po vërehet një trend i zbehtësimit të muzikës folklorike, për shkak të orientimit të rinisë në zhanre moderne si hip-hopi dhe të ngjashme. Kjo mund të shihet si një sfidë për muzikantët dhe artdashësit, të cilët duhet të bëjnë përpjekje të mëdha për të mbajtur gjallë trashëgiminë kulturore muzikore. Prindërit kanë një rol kyç në këtë proces, duke stimuluar fëmijët e tyre të angazhohen në aktivitete muzikore tradicionale dhe ti çojnë ata drejt kësaj fushe. Megjithatë, disa shenja inkurajuese tregojnë për një rikthim gradual të interesit për muzikën tradicionale, duke sjellë shpresë për të ardhmen e muzikës sonë.

 


Për fund, cili është mesazhi që keni për të rinjtë që duan të ecin nëpër hapat e muzikës, vetë muzikantët dhe publikun e gjerë?

 

Dua të theksoj se muzika më me vlerë është ajo folklorike. Mesazhi im për ta është që të kuptojnë, të përqafojnë dhe të promovojnë këtë lloj muzike dhe aktiviteti. Duke e përkrahur muzikën folklorike, ata mbrojnë identitetin tonë kulturor dhe po e ndihmojnë në ruajtjen e trashëgimisë sonë për brezat e ardhshëm. Prandaj, duhet ta duam, ta respektojmë, ta zhvillojmë dhe ta trashëgojmë atë me krenari dhe përkushtim. Në këtë mënyrë, do të sigurojmë që trashëgimia jonë kulturore të jetë gjithmonë e gjallë dhe e pasur.




Intervistoi: Arlinda Hajdaraj
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

388 Lexime
1 muaj më parë