SUGJERIME

Rregullore për mësuesen nga nxënësit

Kjo nuk është një rregullore ligjore për mësuesit, por një rregullore e parë dhe e menduar nga një grup nxënësish gjimnazistë. Rregullat kanë dalë rishtazi gjatë një detyre për tekstin udhëzues. Ju ftojmë t’i lexoni dhe të ndani mendimin tuaj.

Në një detyrë për tekstin udhëzues, i kërkova nxënësve të mi të shkruanin disa rregulla për klasën. Ngaqë u mendua si një detyrë e konsumuar disa herë dhe meqë në çdo fillim viti përgatisim një të tillë, rregullat u shfrytëzuan për një tjetër mundësi. Sipas tyre, menduan të bënin diçka që i shkonte më për shtat, të bënin një më të mirë që i ndihmonte të kuptohen e të shihen me seriozitetin që puna na e kërkon. Kështu që punuan një rregullore për mësuesin/mësuesen. 


1. Asnjëherë mos i përfshi nxënësit në problemet e tua familjare. Ata nuk duhet të dinë se çfarë të shqetëson.

2. Merr kohë për t’i njohur nxënësit; përfshi interesat e tyre në mësimdhënie.

3. Përpiqu të krijosh marrëdhënie të mira me nxënësit, pasi kjo nxit bashkëpunimin mes dy palëve.

4. Përdor metoda të ndryshme për të zhvilluar orën e mësimit.

5. Kurrikula mësimore ndryshon vazhdimisht, përshtatu edhe ti me këtë ndryshim.

6. Lejo nxënësin të shprehë mendimin e tij dhe pse është në kontradiktë me mendimin tënd.

7. Mos ushtro presion psikologjik mbi nxënësin, nëse ai nuk di një pyetje ose një ushtrim lidhur me mësimin.

8. Mos krahaso nxënësit me njëri-tjetrin; kjo i bën ata të ndihen keq.

9. Bëj një moment pushim dhe bëj humor me nxënësit.

10. Mos e nënvlerëso kurrë me qëllim një nxënës përpara moshatarëve të tij.

11. Trajtoji nxënësit në mënyrën që ti do të trajtohesh; gjithkush meriton respekt.

12. Mëso të qeshësh me gabimet e tua, sepse nëse ti nuk do t’i vësh re ato, nxënësit e tu patjetër që po.

13. Mësoji nxënësit si të jenë njerëz të mirë, jo thjesht nxënës të mirë.


A ju duken të drejta këto rregulla? Cilën prej tyre e shihni të tepërt? Apo mendoni se duhet të ishin shtuar edhe disa? 


Migena Kapllani, mësuese letërsie në gjimnazin 'Kostandin Kristoforidhi', Elbasan



(Portali Shkollor) 

6,990 Lexime
4 vjet më parë