Psikologji

“Rritja është një rrugëtim drejt pasurisë më të madhe që kemi, VETES”

“Duaje veten”- ky është mesazhi kryesor që kërkon të përcjellë psikologia Elona Mustafaraj nëpërmjet këtij artikulli këshillues dhe reflektues për të gjithë ata të rinj të cilët ndjejnë vetëvlerësim të ulët në rrethin shoqëror apo ambientin ku jetojnë e studiojnë.

Nëna e solli të fliste me një psikologe sepse ishte dorëzuar, nuk po ia dilte dot më t’i mbushte mendjen që të mos jesh si shoqet është normale. Rasti bën fjalë për një vajzë 16 vjeç që prej një viti “vuan” sepse është e dobët dhe e shkurtër krahasuar me shoqet e saj. Ka provuar të bëj dieta, sport, ka ndryshuar stilin e të veshurit po është njësoj e shkurtër dhe e dobët si më parë. Tani ka vendosur të bëj një ndërhyrje me shpresën se do të arrij qëllimin e saj. E nëse nuk ndodh,- e pyeta teksa lotët i rrëshqisnin faqeve, - çfarë do të operosh tjetër?...


Vetëvlerësimi është një pasuri e brendshme, shumë e rëndësishme për adoleshentët. Ai nuk i referohet një ndjesie të fryrë vlerësimi për veten ose besimi të rremë. Përkundrazi, është grupi i perceptimeve ose besimeve të një individi mbi të cilat ai ose ajo bazon ndjenjën e rëndësisë së vetvetes. 


Adoleshentët që e mendojnë veten si të vlefshëm kanë më shumë gjasa të jenë të gatshëm të provojnë diçka të re, të besojnë se mund të jenë të suksesshëm dhe të vendosin qëllime ose të kenë ambicie. Ata kanë më shumë gjasa të qëndrojnë pranë bindjeve dhe besimeve të tyre duke mos u ndikuar nga të tjerët. Fëmijët që e dinë se "vlejnë diçka" kanë më pak mundësi të ndihen "të pavlefshëm" kur herë pas here dështojnë ose pësojnë një zhgënjim. Kur kombinohet me tipare të tjera pozitive si integriteti, arritjet e kujdesshme, motivimi ose ndjenja e drejtësisë, vetëvlerësimi kthehet një faktor i rëndësishëm për të ndihmuar adoleshentët të bëhen të rinj produktivë dhe të suksesshëm. 


Prindërit dhe të rriturit e tjerë mund t'i ndihmojnë adoleshentët të ushqejnë vetëvlerësimin në dy mënyra themelore: së pari, duke ofruar dashuri të pakushtëzuar. Dashuria e pakushtëzuar do të thotë të vlerësohesh vetëm për atë që je, jo për atë që bën, dukesh, ose për atë që arrin. 


Së dyti, të rriturit mund të ushqejnë vetëvlerësimin e një adoleshenti duke i dhënë mundësi të përjetojë sukses. Adoleshentët të cilëve u jepet përgjegjësi, u besohet dhe mbështeten në gjërat që bëjnë kanë më shumë gjasa të kenë besim dhe respekt për atë që janë.


Vetëvlerësimi i ulët është një çrregullim i të menduarit në të cilin një individ e sheh veten si të papërshtatshëm, të padashur dhe/ose të paaftë. Pasi formohet, kjo pikëpamje negative përshkon çdo mendim, duke prodhuar supozime të gabuara dhe sjellje të vazhdueshme vetëshkatërruese. 


Vetëvlerësimi i ulët manifestohet në:


• Përpjekjen e pakontrolluar të vajzave dhe djemve për të humbur peshë edhe pse mund të mos kenë probleme me peshën.

• Shmangien e aktiviteteve të përditshme si ndjekja e shkollës kur ndihen keq për pamjen e jashtme. 

• Ushtrimin kompulsiv me qëllim rritjen e masës muskulore.

• Përfshirjen në aktivitete negative si vetëdëmtimi, pirja e duhanit, pirja e alkoolit, drogës ose ushqimi i çrregullt.

• Përjetimin e depresionit para se të arrijnë moshën madhore.

• Besimin e shtrembëruar se nuk janë mjaftueshëm të mirë duke përfshirë pamjen e jashtme, performancën në shkollë dhe marrëdhëniet me miqtë dhe anëtarët e familjes. 


Gjatë këtyre viteve si psikologe dhe sidomos duke punuar me adoleshentë kam kuptuar se vetëm një gjë shëron çdo problem, dhe ajo është: të duash veten. 


Kur adoleshentët fillojnë ta duan veten më shumë, është e mahnitshme se si jeta e tyre përmirësohet. Ata ndihen më mirë, marrin pjesë në aktivitete, kanë miq që i kuptojnë dhe mbi të gjitha përfshihen më pak në sjellje të rrezikshme. 


Të duash veten është një proces që mësohet dhe mund të kthehet në një mekanizëm që të ndihmon të përballesh me çdo sfidë, të papritur dhe mendim ndryshe. Nuk ka një kohë kur duhet të fillojmë të duam veten, çdo kohë është e përshtatshme. 


Si mësojmë të duam veten:


  1. Ndaloni së kritikuari veten.- Kritika nuk ndryshon asgjë. Nuk na bën më të gjatë, më të dobët apo më të zgjuar, na bën thjesht të ndihemi më keq. Mësoni të pranoni veten pikërisht ashtu siç jeni. Bota është e bukur sepse ne jemi të ndryshëm. 
  2. Falni veten.- Lëreni të shkuarën të shkojë. Ju bëtë më të mirën që mundët në atë kohë me mirëkuptimin, vetëdijen dhe njohuritë që kishit. Tani po rriteni, po ndryshoni dhe do ta jetoni jetën ndryshe. Kështu duhet të ndodh!
  3. Mos e frikësoni veten.- Ndaloni së terrorizuari veten me mendimet tuaja. Është e lodhshme të jetosh me frikën dhe pasigurinë. Gjeni një imazh mendor që ju jep kënaqësi dhe kaloni menjëherë mendimin tuaj të frikshëm në një mendim kënaqësie.
  4. Jini të butë, të sjellshëm dhe të durueshëm.- Ji i butë, i sjellshëm dhe i durueshëm me veten ndërsa mësoni mënyra të reja të të menduarit. Trajtojeni veten ashtu siç do të bënit me dikë që e doni vërtet. E para që duhet të duash vërtet është vetja jote!
  5. Jini të sjellshëm me mendjen tuaj.- Mos e urreni veten për mendimet tuaja. Të gjithëve na ndodh të keni mendime që nuk na pëlqejnë por në vend që të fokusoheni te ato fokusohuni të ndryshoni butësisht mendimet tuaja.
  6. Lavdëroni veten.- Kritika thyen shpirtin e brendshëm, lavdërimi e ndërton atë. Lavdëroni veten sa të mundeni për çdo arritje që ju bën të lumtur, sado e vogël të jetë arritja juaj.
  7. Mbështetni veten.- Gjeni mënyra për të mbështetur veten. Kontaktoni miqtë dhe lejojini t'ju ndihmojnë. Është forcë të kërkosh ndihmë kur të nevojitet.
  8. Jini të dashur ndaj anëve tuaja negativeve.- Pranoni se i keni krijuar për të përmbushur një nevojë. Tani po gjeni mënyra të reja, pozitive për të përmbushur këto nevoja. Pra, hiqni dorë me dashuri nga modelet e vjetra negative.
  9. Kujdesuni për trupin tuaj.- Mësoni rreth të ushqyerit, ushtrimeve fizike, argëtimeve dhe çdo gjë që ju bën të ndiheni mirë fizikisht. 
  10. Bëjeni “shoqe” pasqyrën.- Shikoni shpesh në sytë tuaj dhe faleni veten ndërsa shikoni në pasqyrë. Të paktën një herë në ditë, thuaj: "Të dua, të dua vërtet!"
  11. Flisni me prindërit tuaj për mënyrën sesi ndiheni. Falini edhe ata. Fakti që ndonjëherë nuk dinë sesi t’jua tregojnë dashurinë e tyre nuk do të thotë se nuk ju duan.

Duaje Veten . . . Bëje tani.- Mos prisni derisa të bëheni mirë, të humbni peshë, të merrni një notë pozitive, apo të gjeni miqësi të reja. Filloni tani - dhe bëni më të mirën tuaj.


Rritja është një rrugëtim, ndonjëherë i lodhshëm e ndonjëherë i këndshëm drejt vetes. Unë dhe rasti im e shtymë për pak kohë ndërhyrjen dhe ndërkohë po kërkojmë të tjera gjëra të bukura te vetja, të ndryshme nga pesha dhe gjatësia”.


Bibliografia

1. Neuman, M.D., Fredric. "Low Self-esteem." Psychology Today. Accessed March 3, 2014. 

https://www.psychologytoday.com/intl/blog/fighting-fear/201304/low-self-esteem 




Nga Elona Mustafarajpsikologe 


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 



887 Lexime
3 javë më parë