Sa kohë i duhet një fëmije për t’u përshtatur me fillimin e vitit shkollor?

Sa kohë i duhet një fëmije për t’u përshtatur me fillimin e vitit shkollor? Jo çdo fëmijë e gjen menjëherë ritmin e ri. Lodhja, nervozizmi apo ankthi mund të jenë pjesë e këtij procesi. Edi Gogu sjell këshilla për prindërit dhe shenjat që duhen marrë seriozisht.

Edi Gogu,

Bashkudhëtare me ju në prindërim,


Kanë kaluar tashmë dy javët e para të shkollës. Çantat e reja nuk janë më aq të reja, fletoret kanë filluar të mbushen dhe emocionet e ditës dhe javës së parë ja kanë lënë vendin rutinës së përditshme.


Pikërisht tani, disa prindër kanë filluar të shqetësohen dhe me të drejtë ngrenë disa pyetje;

“Pse vazhdon ende të zgjohet me vështirësi në mëngjes?”

“Pse kthehet kaq i/e lodhur nga shkolla?”

“Pse është më nervoz/e se zakonisht?”

“Përse nuk po e gjen ende veten në klasë?”


Përgjigjja, në shumë raste, mund të jetë shumë e thjeshtë: të gjitha sa thamë më sipër po ndodhin pasi fëmija është ende duke u përshtatur me fillimin e shkollës.


Përshtatja me shkollën nuk ndodh automatikisht që ditën e parë të shkollës dhe domosdoshmërisht as edhe javën e parë.


Nga përvoja ime si nënë, mësuese dhe drejtuese në arsim, kam mësuar se fillimi i shkollës nuk ka të bëjë vetëm me ndryshimin e orarit ditor të një fëmije. Për një fëmijë, ai sjell një ndryshim jo të vogël në mënyrën e tij/saj të jetesës.


Gjatë muajve të verës, ora e gjumit shpesh shtyhet për më vonë se zakonisht. Mëngjeset padyshim janë më të ngadalta. Dita ka më shumë kohë për lojë, më shumë liri për aktivitete dhe më pak detyrime. Edhe kur fëmijët lexojnë, përsërisin matematikën apo ndjekin një kurs gjatë verës, ritmi është përsëri shumë i ndryshëm nga ai i shkollës.


Pas muajve të verës ja ku vjen shtatori dhe  fëmija duhet të zgjohet herët, të bëhet gati në një orar të caktuar, të qëndrojë disa orë në klasë, të përqendrohet, të presë radhën për të folur, të ndjekë udhëzime, të përballojë detyra dhe kërkesa të reja dhe, njëkohësisht, të rigjejë vendin e vet mes shokëve dhe shoqeve të klasës.


Për ne të rriturit kjo mund të duket thjesht një rutinë që duhet ndjekur ama për një fëmijë është një proces i vërtetë përshtatjeje.


Në shkrimet e mia për prindërimin kam përdorur shpesh si orientim një periudhë prej 2 deri në 6 javësh për t’i dhënë fëmijës kohë të përshtatet me ritmin e shkollës, rutinën, mësuesit dhe marrëdhëniet me shokët dhe, dua ta sqaroj këtë: 2-6 javë nuk janë një afat shkencor dhe aq më pak një formulë matematike.


Studimet mbi tranzicionin dhe përshtatjen në shkollë tregojnë se përshtatja është një proces që vazhdon përtej ditëve të para dhe se ritmi ndryshon ndjeshëm nga një fëmijë te tjetri. Madje, kërkime që kanë matur reagimin fiziologjik ndaj stresit kanë gjetur ndryshime gjatë javëve të para të shkollës dhe kanë treguar se edhe pas një periudhe më të gjatë disa fëmijë përshtaten më shpejt, ndërsa të tjerëve u duhet edhe më shumë kohë dhe kjo është një gjë e pranueshme.


Pikërisht këtu duhet të bëjmë kujdes: të mos e kthejmë kalendarin në një provim tjetër që fëmija duhet ta kalojë medoemos në atë afat kohor që duam apo presim ne.


Çfarë po ndodh në të vërtetë me fëmijën?


Një fëmijë që pas shkollës është nervoz/e, i/e heshtur apo tepër i/e lodhur nuk është domosdoshmërish një fëmijë që “nuk e do shkollën”.


Fëmija mund të jetë thjesht i lodhur.

Mendoni se sa shumë vetëkontroll kërkon një ditë shkolle.


Të qëndrosh ulur kur në fakt do që të lëvizësh. Të dëgjosh kur do të flasësh. Të presësh pushimin kur ke uri. Të kërkosh leje për të dalë nga klasa. Të përballesh me një ushtrim që nuk e kupton menjëherë. Të gjesh mënyrën për të hyrë në një grup shokësh. Të përballosh një vërejtje, një notë që nuk prisje apo një keqkuptim me shokun e bankës.


Pastaj fëmija kthehet në shtëpi, në mjedisin ku ndihet më i sigurt, dhe mund ta lëshojë një pjesë të tensionit të mbledhur gjatë ditës.


Prandaj ndodh që ne prindërit dërgojmë në mëngjes një fëmijë të qeshur dhe pasdite na kthehet një tjetër: i lodhur, i acaruar, ndonjëherë edhe i përlotur.


Në vend që pyetja jonë e parë të jetë gjithmonë “Çfarë ke?”, ndoshta mund të fillojmë me diçka shumë më të thjeshtë:


“Duket sikur ke pasur një ditë të lodhshme. Hajde pusho pak.”

Ndonjëherë kjo është pikërisht ajo që i duhet.

Mos kërkoni rezultat kur fëmija është ende duke ndërtuar ritmin e tij/saj të ri.

Fatkeqësisht në javët e para, tundimi ynë si prindër është që të kërkojmë menjëherë rezultate.

Si shkruan? Çfarë note mori?

A i bëri detyrat? Çfarë bëri shoku i bankës?

Pse ai tjetri e bëri projektin më mirë?

Ne nuk duhet të harrojmë që fillimi i vitit shkollor nuk duhet të jetë garë.


Këtë e kam thënë shpesh sidomos për fëmijët e klasës së parë: ndonjëherë sillemi sikur një gjashtëvjeçar, sapo hyn në shkollë në shtator, duhet të bëhet menjëherë kandidat për Çmimin Nobel.


Jo! Ai/ajo është ende një fëmijë dhe, vajtja në shkollë nuk duhet të nënkuptojë një ndarje me thikë nga lodrat, shëtitjet, loja apo gjërat që i jepnin kënaqësi vetëm pak javë më parë.


Shkolla duhet t’i shtohet fëmijërisë, jo ta zëvendësojë atë.


Çfarë mund të bëjë prindi gjatë këtyre javëve?


Së pari, të ruajë rutinën.

Një orar herët dhe i qëndrueshëm gjumi është shumë më i rëndësishëm nga sa mendojmë. Një fëmijë që mezi hap sytë në mëngjes e fillon ditën me një vështirësi që nuk ka lidhje as me inteligjencën dhe as me dëshirën për të mësuar.


Së dyti, t’i lërë hapësirë për të pushuar pas shkollës.

Jo çdo fëmijë dëshiron të tregojë gjithçka sapo kalon pragun e derës. Disa kanë nevojë të hanë, disa të luajnë, disa të qëndrojnë pak vetëm. Pastaj fillojnë të flasin vetë ata, madje të cicërojnë si zogjtë.


Së treti, ta dëgjojë pa u përpjekur menjëherë t’ia zgjidhë çdo problem.

Ndonjëherë fëmija nuk kërkon një zgjidhje, thjesht kërkon vetëm të kuptojë se ajo që po ndien është dëgjuar nga prindërit dhe ata e kanë marrë seriozisht shqetësimin e tij.


Së katërti, të mos ia bëjë detyrat.

Ta ndihmojmë të kuptojë, po. Të ulemi pranë tij kur ka nevojë, patjetër, por mos t’ia marrim nga duart mundësinë për të provuar, për të gabuar dhe pastaj për të provuar përsëri, sepse bashkë me matematikën dhe gjuhën, fëmija po mëson diçka tjetër shumë të rëndësishme: besimin tek forcat e veta.

“Unë mund t’ia dal.” 


Ndërkohë krejt natyrshëm na lind edhe një pyetje tjetër; Po kur “përshtatja” po zgjat?  Çfarë duhet bërë?


Këtu duhet të bëjmë dallimin mes një procesi normal përshtatjeje dhe një vështirësie që kërkon më shumë vëmendje.


Nëse, me kalimin e javëve, fëmija vazhdon të ketë ankth të fortë, qan vazhdimisht para shkollës, ankohet shpesh për dhimbje barku ose koke, nuk fle mirë, refuzon të shkojë në shkollë, izolohet apo ndryshon dukshëm sjellje, nuk duhet ta mbyllim bisedën me: 

“Besoj që do t’i kalojë.”

Duhet të flasim; fillimisht me fëmijën, pastaj me mësuesin.


Prindi e sheh fëmijën në shtëpi; mësuesi e sheh në një botë tjetër nga ajo që e sheh familja. Kur këto dy pamje vendosen pranë njëra-tjetrës, shpesh kuptojmë shumë më tepër se çfarë po ndodh në të vërtetë.


Në fakt nuk është vetëm kohëzgjatja ajo që duhet të na bëjë të vëmendshëm. Nëse ankthi, refuzimi i shkollës apo simptomat fizike janë të forta dhe po ndikojnë seriozisht në jetën e përditshme të fëmijës, nuk ka arsye të presim që të kalojnë disa javë për të kërkuar ndihmë.


Kur shqetësimi vazhdon ose ndërhyn dukshëm në jetën e përditshme, duhet kërkuar edhe ndihma e një profesionisti.


Kjo nuk do të thotë se kemi dështuar si prindër. Do të thotë se po e marrim seriozisht atë që fëmija po përjeton. Ndoshta duhet të përshtatemi edhe ne më mirë.


Ndërsa përpiqemi të kuptojmë më mirë se çfarë po ndodh ekziston edhe një pyetje tjetër që ia vlen t’ia bëjmë vetes:


Po ne prindërve, sa kohë na duhet të përshtatemi me fillimin e shkollës?


Edhe ne kalojmë nga ritmi i verës tek alarmi i mëngjesit, përgatitja e ushqimit, trafiku, detyrat, aktivitetet pas mësimit dhe shqetësimi i përhershëm nëse po bëjmë mjaftueshëm për fëmijët tanë dhe, pa e kuptuar, ankthin tonë mund t’ua përcjellim atyre. Prandaj ndonjëherë përshtatja me shkollën është një punë familjare.


Fëmija mëson ritmin e tij të ri.


Prindi mëson kur të ndihmojë dhe kur të tërhiqet. Mësuesi njeh një klasë të re dhe dalëngadalë, të gjithë gjejnë vendin e tyre.


Nuk ka rëndësi nëse kjo ndodh në javën e dytë, të tretë apo të pestë, rëndësi ka drejtimi: që çdo javë fëmija të ndihet pak më i sigurt, pak më i qetë dhe pak më shumë “në shtëpi” në klasën e tij.


Fëmijët nuk kanë nevojë vetëm për një fillim të mbarë të vitit shkollor, ata kanë nevojë për të rritur që u japin kohën e nevojshme për ta bërë atë fillim kuptimplotë.



—————


(Nëse dëshironi për lexim të mëtejshëm)

Parent, S., Lupien, S., Herba, C. M., Dupéré, V., Gunnar, M. R., & Séguin, J. R. (2019). Children’s cortisol response to the transition from preschool to formal schooling: A review. Psychoneuroendocrinology, 99, 196–205.

Leblond, M., Parent, S., Castellanos-Ryan, N., et al. (2022). Transition from preschool to school: Children’s pattern of change in morning cortisol concentrations. Psychoneuroendocrinology, 140, 105724.

Li, A., Guessoum, S. B., Ibrahim, N., et al. (2021). A Systematic Review of Somatic Symptoms in School Refusal. Psychosomatic Medicine, 83(7), 715–723.




© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

77 Lexime
2 orë më parë