MIRËQËNIE

Shëndeti i mendjes, rregullat që duhet të dini

Shëndeti mendor në kohët që po jetojmë rrezikohet më së shumti prej stresit dhe lodhjes së përditshme. Por ashtu siç kujdesemi për trupin, duhet te kujdesemi edhe për mendjen tonë. Këshillat në vijim janë elementare për t’u ndjekur.

Shëndeti mendor është tepër i rëndësishëm për të pasur një jetesë të shëndetshme. Ditët e sotme njerëzit përballën me lodhje dhe stres i cili ndikon drejtpërdrejtë në shëndetin e tyre mendor. 


Flini shumë gjumë

Gjumi është me të vërtetë i rëndësishëm për shëndetin tonë fizik dhe mendor. Ndihmon për të rregulluar kimikatet në trurin tonë që transmetojnë informacion. Mungesa e gjumit do të sjellë shqetësim dhe lodhje.


Hani shëndetshëm 

Ushqimi i mirë nuk është vetëm i rëndësishëm për trupin tonë, por gjithashtu është i rëndësishëm për mendjen tonë. Disa mangësi minerale, siç janë mungesat e hekurit dhe e vitaminës B12, mund të na japin një humor të ulët. Mundohuni të hani një dietë të ekuilibruar. Nëse e shihni që jeni një person veçanërisht i stresuar ose i shqetësuar, duhet të përpiqeni të kufizoni ose shkurtoni kafeinën, pasi kjo mund t'ju bëjë të ndjeheni të shqetësuar. 


Shmangni alkoolin, pirjen e duhanit dhe drogën

Pirja e alkoolit dhe duhanit nuk japin një ndikim të menjëhershëm, por ndikojnë në shëndetin tonë mendor. Kur pini disa pije të ndryshme përnjëherësh, ditën tjetër mund të ndjeheni më të dëshpëruar dhe të shqetësuar, ndërsa mund të jetë më e vështirë të përqendroheni. Pirja e tepërt për periudha të zgjatura mund të çojë në mungesë të tiaminës. Tiamina është e rëndësishme për funksionimin tonë të trurit dhe një mangësi mund të çojë në probleme të rënda të kujtesës, konfuzion dhe probleme të syve. 


Merrni mjaftueshëm rreze dielli 

Drita e diellit është një burim i shkëlqyeshëm i vitaminës D. Vitamina D është një vitaminë me të vërtetë e rëndësishme për trupin tonë dhe trurin tonë. Veçanërisht këtë të fundit e ndihmon të lëshojë kimikate të cilat përmirësojnë gjendjen shpirtërore, si endorfinën dhe serotoninën. Mundohuni të dilni në diell sapo t’ju krijohet rasti, por sigurohuni që të mbroni lëkurën dhe sytë tuaj. Nga 30 minuta deri në dy orë në ditë, rrezet e diellit janë ideale. Gjatë dimrit, disa njerëz depresionohen, sepse nuk marrin mjaftueshëm dritën e diellit.


Menaxhoni stresin

Stresi shpeshherë është i pashmangshëm, por nëse dini se çfarë e shkakton stresin tuaj dhe si mund ta përballoni atë, atëherë këto të dhëna janë tepër të rëndësishme për të ruajtur shëndetin e mirë mendor. Mundohuni të menaxhoni përgjegjësitë dhe shqetësimet tuaja duke bërë një listë ose një orar se kur mund të zgjidhni çdo çështje. Mund të themi që, nëse shkruani mbi shqetësimet tuaja kuptoni se stresi është i menazhueshëm.

 

Aktivitetet dhe ushtrimet 

Aktivitetet dhe ushtrimet janë thelbësore për ruajtjen e shëndetit të mirë mendor. Të qenit aktiv jo vetëm që ju jep një kuptim të arritjeve, por rrit kimikatet në trurin tuaj për të pasur një humor të mirë. Ushtrimet fizike mund të ndihmojë në eliminimin e humorit të ulët, ankthit, stresit dhe të dembelizmit. Gjithashtu bërja e aktiviteteve dhe ushtrimeve fizike janë të lidhura me jetëgjatësinë. 


Bëni diçka që ju pëlqen

Mundohuni të gjeni kohë për të bërë gjërat argëtuese që ju pëlqejnë më shumë. Nëse ju pëlqen të bëni shëtitje, të pikturoni ose të shihni një shfaqje specifike televizive, atëherë përpiquni të programoni kohën për të shijuar veten tuaj. Nëse nuk shpenzojmë kohë për të bërë gjëra që na pëlqejnë, mund të bëhemi të irrituar dhe të pakënaqur.


Ruani kontaktet dhe bëhuni i shoqërueshëm

Bëni një përpjekje për të mbajtur marrëdhënie të mira dhe të bisedoni me njerëzit sa herë që të mundeni. Të kesh miq është e rëndësishme jo vetëm për vetëvlerësimin, por edhe për sigurimin e mbështetjes në rastet kur nuk ndihemi mirë. Hulumtimet kanë zbuluar se biseda me të tjerët, për vetëm dhjetë minuta, mund të përmirësojë rezultatet e kujtesës dhe të provave!


Ndihmoni të tjerët

Ndihma që mund t’i ofroni të tjerëve nuk është një gjë e mirë vetëm për ta, por edhe për ju. Ndihma ndaj dikujt mund t’ju ndihmojë me vetëvlerësimin tuaj dhe t'ju bëjë të ndiheni mirë në këtë botë. Ndjenja sikur jeni pjesë e një komuniteti është një pjesë me të vërtetë e rëndësishme e shëndetit tuaj mendor. Mund të provoni vullnetarisht për një bamirësi lokale ose thjesht të jeni një fqinj i mirë.


Kërkoni ndihmë

Një nga mënyrat më të rëndësishme për ta mbajtur veten të shëndetshëm mendërisht është pranimi i gjendjes vetjake. Që do të thotë, ta kuptoni veten kur nuk ndiheni mirë dhe të pranoni nevojën për ndihmë të jashtme. Nuk është turp të kërkoni ndihmë, apo të shkoni te psikologu nëse ndjeheni jo mirë dhe të stresuar. Të gjithë kalojnë situata ku nuk ndjehen aq mirë sa duhet.


Përktheu:  Besmira Koro

Burimi: https://www.peoplefirstinfo.org.uk/health-and-well-being/mental-health/10-top-tips-for-good-mental-health/


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,566 Lexime
3 vjet më parë