Ushqimi në shkollë

Ushqimi me vete në shkollë/ Regjimi shkollor reflekton në ushqimin e fëmijëve tanë

Studimet tregojnë se fëmijët që nuk konsumojnë vaktin e mëngjesit kanë rendiment të ulët në shkollë dhe mungesë të theksuar përqendrimi. Për të ofruar një mëngjes të ekuilibruar për fëmijën tuaj por edhe për t’i zgjedhur ushqimet që i jepni me vete duhet të keni parasysh disa parime bazë. Nga Blerina Bombaj.

Në moshën kur fëmijët fillojnë regjimin shkollor, ndryshojnë zakonet ushqimore dhe ky ndryshim reflekton edhe në peshën dhe shëndetin e tyre. Organizimi i vakteve të ushqimeve që fëmija duhet të konsumojë duhet të jetë prioritet i prindërve. Kujdesi për ushqimin e fëmijës fillon që me vaktin e mëngjesit. "Në anglisht fjala mëngjes - breakfast - do të thotë fjalë për fjalë: "të thyesh pushimin nga ushqimi". Të çosh fëmijën në shkollë pa ngrënë mëngjes është njësoj si të nisesh për rrugë të gjatë me makinë me llambë të ndezur. Që ta kuptojmë më mirë, nëse ju nuk i jepni energji fëmijës, ai deri në vaktin e drekës do të përdorë rezervat e veta, pra do të "hajë vetveten"! Për të mobilizuar depozitat e energjisë çlirohen hormonet e stresit të cilat e bëjnë fëmijën të ndjehet i acaruar, i lodhur dhe i pamundur të mësojë. Studimet, gjithnjë e më shumë tregojnë se fëmijët që nuk konsumojnë vaktin e mëngjesit kanë rendiment të ulët në shkollë dhe mungesë të theksuar përqendrimi.


Për të ofruar një mëngjes të ekuilibruar për fëmijën tuaj duhet të keni parasysh disa parime bazë:

Në trurin tonë, transmetuesit e mesazheve të cilët quhen neurotransmetues ndihmojnë trurin të bëj lidhjet e duhura. Ushqimi ndikon në funksionin e këtyre neurotransmetuesve. Ka dy lloje proteinash që ndikojnë në neurotransmetuesit tanë: 

1 - neurostimuluese si proteinat që përmbajnë tirosinë, dhe 

2- proteina qetësuese të cilat përmbajnë triptofan e cila relakson trurin. 


Një mëngjes me balancën e duhur të këtyre dy proteinave e ndihmon një fëmijë të fillojë ditën mbarë. Kombinimi duhur i karbohidrateve komplekse me proteinat është një bashkëveprim që rezulton në një ekuacion të tipit 1+1=3. Pra, ato së bashku kanë efekt shumë më të dëshiruar sesa të marra veç e veç.

Mëngjesi ideal për të vegjlit:

  • Bukë thekre + kos natyral + ½ mollë
  • Tost me gjizë, pak vaj ulliri, 1 kumbull vishnje
  • Trahana me pak fare vaj ulliri, gjizë, 5 kokrra rrush
  • 1 kupë kos me banane


Dy "jo" për mëngjesin:

"Jo" drithërave të gatshme pasi kanë përpunim të "dhunshëm" ndaj drithit dhe shpesh herë shtohet sheqer dhe konservues.

"Jo" lëngjeve të shtrydhur pasi janë më inferior në krahasim me frytin e tërë.


Sigurisht, është ajo që hani, jo ajo që thoni që do të ndikojë fëmijën. Nëse ju vetë nuk uleni të hani vaktin e mëngjesit, vështirë se do të realizoni një fillim të mbarë për fëmijën tuaj.


Ushqimi me vete


Pas mëngjesit, ushqimi që fëmija do të konsumojë në shkollë është i një rëndësie të veçantë. Parimi bazë është që të jeni në dijeni të ushqimit që ai konsumon dhe mundësisht të jetë i përgatitur nga ju. Në varësi të orëve që do të kalojë në shkollë duhet të jetë dhe ushqimi I marrë me vete. Për fëmijë që kthehen në shtëpi brenda 4 orëve është mëse i mjaftueshëm 1 frutë si molla, banania dhe dardha. Për më shumë se 5 orë është mirë të merret me vete një sandviç me bukë të zeze të cilin mund ta kombinoni me:

  • Ton, sallatë jeshile, gjizë;
  • Veze, djathë të bardhë, domate;
  • Gjoks pule, sallatë jeshile, kastravec, salcë kosi;
  • Gjize, ullinj te bërë salcë, speca të pjekur;
  • Ton, fasule të bëra në formë pureje, speca te kuq.


Sugjerime për drekën e fëmijëve në shkollë


Disa ide për të ndërtuar një vakt të ekuilibruar, për fëmijët e moshës 7-14 vjeç. Mbi moshën 14 vjeç, nevojat energjetike dhe në kalcium rriten ndjeshëm dhe për këtë arsye duhet ndërtuar një ushqim i pasur ne kalcium dhe hekur.


E hënë: Supë me perime kremoze;  Merluc* me bizele, karota dhe patate; 150ml kos me 1 lugë rrush të thatë.


E martë: Byrek me mish të grirë dhe qepë; Pure karotë me patate dhe 40 gr gjizë; 1 kivi.


E mërkurë: Sallatë me lakër të bardhë, karotë dhe ullinj; Makarona me mish viçi (ragu), salcë domatesh & djathë të bardhe; 150ml kos; 1 mollë. 


E enjte: Krepa me miell integral, djathë, vezë, ton, sallatë jeshile dhe salcë kosi; Gjellë me mashurka, karota dhe domate; Krem qumështi me portokall. 


E premte: Speca të kuq të pjekur, me djathë të bardhë; Qofte thjerrëzash me salcë kosi dhe kopër; Kek me vaj ulliri dhe portokall.


*Peshku nuk këshillohet të jepet me vete për fëmijët, pasi nuk duhet të qëndrojë më shumë se 2 orë pas gatimit! Nëse serviret në ambientet e shkollës, duhet të jetë i sigurtë dhe i freskët.

Nëse fëmija juaj ushqehet me ushqim të ofruar nga shkolla verifikoni:


  • Përmbajtjen në fruta, zarzavate;
  • Llojin e mishit (p.sh ushqime të përpunuara si salsiçe, sallam etj, në më të shumtën e rasteve përmbajnë konservues tepër toksik për fëmijët);
  • Vajin e gatimit, cilësia e të cilit mund ta kthejë një vakt nga të ushqyeshëm në çoroditës për metabolizmin e tij;
  • Pijet që ofrohen të cilat nuk duhet të përmbajnë sheqer.


Dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme është paisja e fëmijës me ujë me vete. Hidratimi i mjaftueshëm është shumë i rëndësishëm për funksionin e trurit dhe performancën mendore në përgjithësi. 


Mos harroni, modeli jeni ju, në fund të fundit, çfarëdo që të themi, fëmijët do të ndjekin zakonet tuaja, në më të shumtën e rasteve. Jepni shembullin e mirë!



(Nga Blerina Bombaj, nutricioniste)


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,243 Lexime
1 vit më parë