Përshkrimi i kompetencave

Si bëhet përshkrimi i nxënësve në fund të vitit shkollor? Më poshtë gjeni hap pas hapi udhëzimet

Me shumë të drejtë secili nga ju që lexon këtë artikull do të pyes, nëse ka një dokument që unifikon terminologjinë që duhet të përdorin mësuesit për të realizuar këtë vlerësim? Udhëzimet e mëposhtëme nga Mirgent Kastrati, specialist në (MKZHP) ZVAP Kukës, e tregojnë këtë hap pas hapi.

Në fund të vitit shkollor, mësuesit bëjnë përshkrimin e sjelljes së nxënësve ose karakteristikës së nxënësve siç i referohen shumica prej tyre. Në fakt ai është vlerësimi i nxënësve për zhvillimin e kompetencave kyçe. Ky vlerësim bazohet në rezultatet e të nxënit të kompetencave kyçe për shkallën përkatëse dhe realizohet nga mësuesit kujdestar në bashkëpunim me mësuesit e të gjitha lëndëve.


Me shumë të drejtë secili nga ju që lexon këtë artikull do të pyes: A ka një dokument që unifikon terminologjinë që duhet të përdorin mësuesit për të realizuar këtë vlerësim?


Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje duhet të kujtojmë diçka. Me hyrjen në zbatim të kornizës së re kurrikulare në vitin 2014, Arsimi Parauniversitar ndahet në  gjashtë shkallë dhe secila prej tyre ka rezultatet e të nxënit të kompetencave kyçe për atë shkallë.


Më poshtë, tabela me shkallët e kurrikulës dhe klasat përkatëse që i përkojnë asaj shkalle.

Për të kuptuar më qartë të gjithë kornizën kurrikulare duhet të lexojmë KORRNIZËN KURRIKULARE të miratuar nga ASCAP.


Tani kalojmë tek ajo çfarë na duhet ne për të bërë vlerësimin e nxënësve për zhvillimin e kompetencave kyçe. Për të realizuar këtë na vijnë në ndihmë tre dokumente:


KURRIKULA BËRTHAMË PËR KLASËN PËRGATITORE DHE ARSIMIN FILLOR

KURRIKULA BËRTHAMË PËR ARSIMIN E MESËM TË ULËT

KURRIKULA BËRTHAMË PËR ARSIMIN E MESËM TË LARTË


Klikoni mbi emrin e çdo dokumenti për të bërë shkarkimin e tij.

Secili dokument, secila kurrikul bërthamë jep tabelën e rezultateve të të nxënit të kompetencave kyçe për çdo shkallë.

Marrim një shqyrtim një situatë reale dhe tregojmë procedurën që duhet të ndjek mësuesi për realizimin e vlerësimit.


Do të vlerësojmë një nxënës në klasë të IV, që duke iu referuar kornizës kurrikulare kjo klasë përkon me shkallën II. Hapim KURRIKULËN BËRTHAMË PËR KLASËN PËRGATITORE DHE ARSIMIN FILLOR dhe më pas gjejmë tabelën përkatëse. Në faqen 19 të këtij dokumenti gjejmë tabelën e cila nisë me titullin: Tabela e rezultateve të të nxënit të kompetencave kyçe për shkallën 2. Këto rezultate janë të ndara për të shtatë kompetencat kyçe. Në varësi të arritjeve të secilit nxënës atëherë marrim nga këto rezultate ato që nxënësi që ne po vlerësojmë ka arritur apo që janë më të përshtatshme për të.


Shembull: Nxënës nivel mesatar


"Beni Shpreh përjetimet që e kanë shoqëruar gjatë shikimit dhe dëgjimit të një filmi, dokumentari, ekspozite, dramatizimi, recitimi, interpretimi muzikor ose leximit të një libri në njërën nga format shprehëse. Shpreh me gojë dhe me shkrim fjali të thjeshta në gjuhën e huaj dhe i përkthen në gjuhën amtare. Zgjidh problemin dhe detyrën e dhënë në gjuhë, matematikë, shkenca natyrore dhe shoqërore ,duke dhënë shembuj nga jeta e përditshme për situata të ngjashme. Identifikon dhe krahason informacionet e njohura me ato të panjohura për një temë, çështje apo ngjarje të caktuar, duke përdorur teknika të ndryshme. Jep shembuj të punës me teknologjitë, të zgjidhjeve, qe na ofron në jetën e përditshme, në bazë të të cilave ne marrim vendimet tona".


Shembull: Nxënës shembullor


"Goni identifikon personazhet kryesore të një tregimi, drame, filmi, kënge dhe i analizon duke bërë një listë tiparet e tyre, diskuton rreth tyre, luan rolin e njërit prej personazheve në bashkëveprim me moshatarët. Dallon lëndët, trupat, objektet, dukuritë natyrore apo shoqërore të dhëna në detyrë sipas karakteristikave përkatëse, si: përbërjes, vetive, shndërrimeve apo vendndodhjes në kohë e hapësirë dhe bashkëveprimit të tyre. Përdor dhe zbaton në mënyrë efektive informacionin /njohuritë për zgjidhjen e një problemi /detyre të caktuar, përmes shfrytëzimit të TIK-ut apo burimeve të tjera. Propozon dhe ndan mendimin me shokët/shoqet e klasës për procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të grupeve, përbërjen dhe rolin e tyre në aktivitete të ndryshme mësimore, këshilla të klasës/shkollës etj."


Për shkak se këtë vit, vlerësimi për nxënësit është bërë në sistemin SMIP është e nevojshme që të shkruajmë më shumë informacion për nxënësit sepse sistemi e lejon një gjë të tillë, ndryshe nga shkrimi me dorë që kërkon më shumë hapësire.


Për lehtësi mund të krijohen edhe disa modele që i përshtaten nivelit të nxënësve dhe më pas këto nivele mund të përdoren për nxënës të ndryshëm të atij niveli.



Nga Mirgent Kastrati

Specialist në Sektorin e Monitorimit të Kurrikulës dhe Zhvillimit Profesional (MKZHP) ZVAP-Kukës 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,938 Lexime
9 muaj më parë