Si do të zbatohet metodologjia e re për kompetencat digjitale të mësuesve këtë vit shkollor?

Këtë vit shkollor, mësuesit do të vlerësojnë kompetencat e tyre digjitale përmes një pyetësori, feedback-ut nga kolegët dhe një portofoli digjital. Procesi synon të ndihmojë mësuesit të kuptojnë nivelin e tyre, të marrin mbështetje dhe të pasurojnë mësimdhënien me teknologji.

Këtë vit shkollor, mësuesit e arsimit parauniversitar do të përfshihen në një proces të ri: vlerësimin e kompetencave digjitale. Ky proces synon t’i ndihmojë ata të kuptojnë më mirë nivelin e përdorimit të teknologjisë në mësimdhënie dhe të marrin mbështetje aty ku kanë më shumë nevojë.


Çfarë do të bëjë praktikisht çdo mësues?


Procesi është ndërtuar në disa hapa të qartë:


1. Vetëvlerësimi


Çdo mësues plotëson një pyetësor të thjeshtë online (ose me letër nëse mungon lidhja në internet). Pyetësori përfshin pyetje praktike si:

  •  Sa shpesh përdor platforma digjitale për komunikim me nxënësit?
  •  Cilat programe përdor për të krijuar materiale mësimore?
  •  A përdor mjete online për testime dhe vlerësim?

Kjo është një pasqyrë e parë për të kuptuar nivelin personal.


2. Feedback nga kolegët dhe drejtuesit


Mësuesi do të marrë vëzhgime dhe sugjerime nga drejtuesi i shkollës ose kolegët e tij. Për shembull, një mësues që përdor një aplikacion për vizatime gjeometrike mund të tregojë përvojën e tij dhe të marrë ide se si një koleg tjetër mund ta përdorë diçka të ngjashme në lëndën e vet.


3. Portofoli digjital


Çdo mësues do të përgatisë një dosje digjitale ku mbledh shembuj nga puna e tij. Kjo dosje mund të përfshijë:

  •  Një test online të krijuar me Google Forms;
  •  Një plan mësimor me përdorimin e Kahoot ose Quizizz;
  •  Një projekt të nxënësve të shoqëruar me prezantime digjitale ose video;
  •  Komunikime online me nxënësit dhe prindërit.

Portofoli do të shërbejë si provë konkrete e aftësive digjitale.


4. Feedback dhe plan zhvillimi

 

Rezultatet e vetëvlerësimit dhe portofolit kombinohen për të ndërtuar një pasqyrë të qartë të nivelit të mësuesit. Mbi këtë bazë, mësuesi merr sugjerime se ku duhet të përqendrohet për përmirësim. Nëse dikush ka vështirësi me vlerësimin online, do t’i ofrohen trajnime dhe mbështetje në këtë fushë.


5. Përmbledhja përfundimtare


Në fund të vitit shkollor, rezultatet do të shërbejnë për të matur progresin individual të mësuesit dhe për të ndihmuar shkollën të përmirësojë përdorimin e teknologjisë në mësimdhënie.


Ku do të gjendet pyetësori?


Pyetësori i vetëvlerësimit do të ofrohet nga ASCAP përmes platformës digjitale zyrtare të mësuesve. Çdo mësues do të mund ta plotësojë online me llogarinë e tij. Për shkollat që hasin vështirësi me internetin, pyetësori do të ofrohet edhe në version letre. Rezultatet e tij lidhen drejtpërdrejt me portofolin digjital, duke ndihmuar mësuesit të ndërtojnë një profil të qartë të aftësive të tyre digjitale.


 Shembuj praktikë nga klasa


Në gjuhë shqipe: Nxënësit analizojnë një poezi dhe e paraqesin punën përmes një posteri digjital ose videoje të shkurtër.

Në matematikë: Përdorimi i aplikacionit GeoGebra për të vizualizuar funksione dhe figura gjeometrike.

Në histori: Nxënësit krijojnë një “kohështrirje digjitale” (timeline online) për një periudhë historike.

Në shkencë: Përdorimi i videove të eksperimenteve dhe diskutimi i rezultateve në një forum online të klasës.


 Çfarë përfiton mësuesi?


  1.  Kupton qartë nivelin e tij të aftësive digjitale;
  2.  Merr ide të reja për të bërë mësimin më tërheqës;
  3.  Përfiton trajnime dhe mbështetje aty ku ka më shumë nevojë;
  4.  Ndihmon nxënësit të zhvillojnë aftësi moderne dhe të përdorin teknologjinë me përgjegjësi.


Me këtë metodologji, mësuesit nuk vlerësohen thjesht për përdorimin e teknologjisë, por udhëzohen si ta kthejnë atë në një mjet të fuqishëm për të nxitur mësimin, krijimtarinë dhe bashkëpunimin në klasë.



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,273 Lexime
1 ditë më parë